Në Shqipëri, Banka Botërore deklaroi sot se ajo parashikon një ngadalësim të rritjes ekonomike të vendit për dy vitet e ardhshme. Për vitin 2017, Prodhimi i Brendshëm Bruto, sipas të dhënave paraprake të Institutit të Statistikave, u ngjit në 3,84 përqind. Në raportin e saj periodik mbi zhvillimet ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor, Banka Botërore theksoi se pret që për vitin 2018 rritja në Shqipëri, të zbresë në 3.6 përqind dhe të vijojë të ulet sërish në 3.5 përqind në vitin 2019, për shkak të rënies së investimeve në projektet e mëdha në sektorin energjitik, si punimet për gazsjellësin Trans Adriatik Pipeline, Tap, dhe ndërtimi i hidrocentralit mbi lumin Devoll.
Parashikimet e Bankës Botërore janë në linjë me ato të Fondit Monetar Ndërkombëtar, ndërkohë që Qeveria shqiptare është optimiste, dhe për 2018 parashikon një rritje prej 4,1 përqind, si dhe një rritje progresive në vitet në vazhdim. Sipas Bankës Botërore “perspektiva e rritjes ekonomike është pozitive, por jo e qartë”, ndërsa rendit faktorët e brendshëm dhe të jashtëm që mund të ndikojnë pozitivisht si dhe rreziqet që mund të ngadalësojnë rritjen.
Ekspertët e Bankës Botërore komentuan dhe debatin e fundit lidhur me përfshirjen në skemën e TVSH-s të ndërmarrjeve të vogla me një xhiro vjetore mbi 2 milion lekë. “Përsa i përket efektit të rritjes së pragut të TVSH-s ka qënë një pikë diskutimi dhe më pare. Ne mendojmë që efekti në buxhet i kësaj të ardhure do të jetë i vogël pasi për pjesën e transaksioneve të taksueshme është shumë e vogël, ndërsa barrra administrative për organet e taksave mund të jetë shumë e lartë”, u shpreh Hilda Shijaku, eksperte e Bankës Botërore. “Rritja e barrës administrative për organet e taksave për ne nënkupton më pak kohë dhe mundësi për t’u marrë me taksapaguesit më të mëdhenj me ata që realisht afektojnë përqindjen më të lartë të taksave të mbledhura dhe ky është shqetësimi ynë që kapaciteti i organeve të taksave gjithsesi është i kufizuar dhe kjo është një barrë shtesë mbi ta.Përsa i përket efekteve sociale dhe të punësimit mbi biznesin e vogël është një gjë që mbetet për t’u monitoruar dhe në këtë fazë, nuk e dimë se cfarë impakti do ketë”.
Të njejtin qëndrim për këtë çështje ka patur dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Të dyja institucionet ndajnë dhe shqetësimin lidhur me projektet sipas formulës së Partneritetit Publik Privat (PPP). “Rreziqet që mund të vijnë nga PPP-të mund të jenë disa.Së pari duhet parë se çfarë ndikimesh kanë në borxhin public, si planifikohen pagesar.Së dyti duhet parë nëse ofrimi i shërbimeve është ai i duhuri. Siç është vënë re dhe nga e kaluara, në Shqipëri jo të gjitha PPP-të kanë rezultuar të sukseshme dhe nga eksperienca ne mund të filtrojmë një sërë rreziqesh që mund të përsëriten për të minimizuar këto rreziqe. Eshtë e nevojshme që të përmirësohet kuadri seleksionues,monitories dhe vlerësues i PPP-ve”, shpjegoi Shijaku. (voa)