Zëvendës presidenti rajonal i Bankës Botërore Cyril Muller në Tiranë: Rritja ekonomike afatgjatë të orientohet drejt investimeve dhe eksporteve
Në Shqipëri, zëvendës presidenti rajonal i Bankës Botërore për Europën dhe Azinë Qendrore Cyril Muller, theksoi nevojën që vendi “të mbajë ritmin e reformave” dhe se rritja ekonomike afatgjatë e tij “duhet të orientohet drejt investimeve dhe eksporteve për të siguruar një mirëqënie më të madhe”. Këto deklarata zoti Muller i bëri në përfundim të vizitës së tij dy ditore në Tiranë gjatë së cilës ai u takua me autoritet kryesore politike dhe financiare. “Kjo vizitë u fokusua në përpjekjet për reforma afatgjata të Shqipërisë për të kapërcyer izolimin historik dhe ecur drejt integrimit të plotë në BE dhe në nivel global”, thekson një komunikatë e shpërndarë nga zyra e Bankës Botërore në Tiranë, sipas së cilës “zëvendës Presidenti Rajonal vlerësoi rezultatet e programit afatmesëm të konsolidimit fiskal, stabilitetit financiar dhe reformave strukturore që ndihmojnë rritjen ekonomike”.
Banka Botërore ka dhënë një mbështetje të vazhdueshme ndër vite për realizimin e një sërë reformash të rëndësishme në Shqipëri. “Po fillojmë të shohim rezultatet pozitive të valës së parë të reformave makroekonomike dhe strukturore. Përfundimi i këtij programi të vështirë dhe afatgjatë reformash do të kërkojë kohë. Është me rëndësi kritike të ruhet ritmi dhe kahu i tyre,” tha zoti Muller, duke shtuar se “kalimi i Shqipërisë drejt një modeli të ri rritjeje të orientuar nga eksportet dhe investimet, përmirësimi i mjedisit të biznesit, qeverisja e mirë dhe transparenca do të jenë me rëndësi për përshpejtimin e rritjes dhe mirëqenies së përbashkët.”
Zëvendës Presidenti Rajonal nënvizoi nevojën për të gjetur burime të reja për ta përshpejtuar rritjen, si dhe nevojën e një shtytjeje të fortë për reformimin e shtetit dhe të shërbimeve të tij, lidhjen rajonale, gjithëpërfshirjen dhe barazinë gjinore në tregjet e punës, dhe çlirimin e potencialit të sektorit privat.
Që prej vitit 1991, kur u anëtarësua në Bankën Botërore, Shqipëria ka marrë mbështetje për 86 projekte, në shumën totale prej mbi 2,4 miliard USD kredi dhe grante nga IDA (International Development Association) Fond i Bankës Botërore për Varfërinë, dhe hua nga IBRD, Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim. Aktualisht, Banka Botërore mbështet një portofol prej nëntë projektesh në shumën 544 milion USD. (voa)