Përballë agresionit rus në Ukrainë, kërcënues i paqes dhe sigurisë botërore, BE inkurajoi bashkëpunimin gjeo-strategjik me Ballkanin Perëndimor (BP) në samitin BE-BP që u zhvillua të martën, (06.12) në Tiranë.
Në deklaratën e përbashkët për shtyp, në përfundim të punimeve të këtij samiti, u vlerësua qëndrimi i BP në linjë me atë të BE,” si një tregues i fortë i qendrimit gjeopolitik të partnerëve, veçanërisht kur Rusia vazhdon konfliktin dhe agresionin e saj në Ukrainë. BE-ja mirëpret vendosmërinë e vendeve partnere në BP për të mbështetur idealet dhe parimet europiane në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.”
“Ndërsa zgjerojmë bashkëpunimin tonë me partnerët, ne i nxisim ata të bëjnë përparim të shpejtë dhe të qëndrueshëm drejt harmonizimit të plotë me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të BE” theksohet në deklaratë. Kancelari gjerman Scholz tha në konferencën e tij për shtyp, se “të gjitha shtetet e BP duhet të mbështesin politikën e jashtme të BE.”
Bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes ishte një tjetër fokus i samitit. “BE dhe BP janë të vendosura të forcojnë më tej bashkëpunimin në çështje thelbësore të sigurisë dhe mbrojtjes edhe në nivel operacional. BE do të vazhdojë të punojë së bashku me rajonin për të zhvilluar më tej aftësitë dhe kapacitetet e tij mbrojtëse edhe nëpërmjet Instrumentit Europian të Paqes. BE do të rrisë më tej angazhimin edhe në fusha të tilla si hapësira dhe lëvizshmëria ushtarake”, theksohet në deklaratë.
BE rikonfirmon angazhim të palëkundër ndaj perspektivës europiane të BP
Treguesit konkretë të këtij angazhimi u bënë të njohura nga Presidentit i Këshillit Europian Charles Michel, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe Kryeministri Edi Rama, në konferencën e përbashkët për shtyp, në përfunfdim të samitit. “Jam i bindur në mënyrë absolute që e ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë e sigurtë dhe më e begatë me Ballkanin Perëndimor në BE, ”, tha Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel në konferencën e përbashkët për shtyp. Ai bëri të njohur “një paketë financiare për të ndihmuar BP në përballimin e pasojave të rënda lidhur me pasojat e luftës në Ukrainë në furnizmin me energji dhe sigurinë ushqimore”.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha në konferencën e përbashkët për shtyp, se ” BE do ta mbështesë BP me një paketë prej 1 miliardë eurosh. 500 milionë euro do të jenë për të mbështetur bizneset dhe familjet në nevojë, kurse 500 milionët e tjerë për investime në energjinë e rinovueshme për të pasur pavarësi nga Rusia”.
“BP po trajtohet për herë të parë në këtë samit si një rajon gjeo-strategjik në sajë të luftës brutale të Rusisë në Ukrainë. Ka një lëvizje përpara të përbashkët nga BE dhe BP për të përballuar së bashku sfidat”, tha presidentja e Komisionit Eropian, Ursula von der Leyen.
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e vlerësoi samitin ”me përmasa historike, pasi BE del për herë të parë jashtë kufijve të tij gjë që është një tregues i jashtëzakonshëm i vetëdijes se BE ka nevojë për BP dhe BP për BE.” Kryeministri Rama vlerësoi si një “lajm të shkëlqyer për rininë” ngritjen në Tiranë të kampusit të kolegjit të Europës në Brugge, Belgjikë. “Universitetet e BP do të bëhen pjesë e universiteteve në BE. Studentët nga vendet e BP do të mund të ndjekin studimet edhe duke qëndruar në vendin e tyre”, bëri me dije kryeministri Rama.
Si tregues i forcimit të bashkëpunimit mes BE dhe BP në samitin e Tiranës u nënshkrua edhe marrëveshja e bashkëpunimit për tarifat roaming mes operatorëve të telekomit të BE dhe BP. Ursula von der Leyen tha lidhur me këtë marrëveshje, se operatorët e BE dhe BP “do të nisin të ulin tarifat e roaming duke filluar nga viti i ardhshëm, gjë që do të ketë ndikime pozitive për biznesin, turizmin dhe afrimin e njerëzve.
Sfida e emigrimit masiv nga BP
Shifrat në rritje të numri të emigrantëve që hyjnë në vendet e BE përmes rrugës së BP, mbetet një shqetësim i madh për BE, i shprehur edhe në samitin e Tiranës. Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, e cilësoi fluksin në rritje të emigrimit nga rajoni një “çështje sfiduese që duhet përballuar së bashku.” Ai foli për „bashkëpumim konkret operativ mes BE dhe BP, hamonizim të politikave të vizave dhe vendime shtesë.”
Nevojën e ndryshimit në politikën e vizave të BE theksoi edhe kancelari gjerman Scholz në konferencën e tij për mediat. FRONTEX, agjencia kufitare e BE, ka publikuar në tetor të këtij viti shifrën prej 22.300 tentativash hyrjeje të parregullta në BE, shifër që është tri herë me e lartë sesa një vit më parë.
Mbetet pa datë hyrja në BE e vendeve të BP
Samiti BE-BP dha disa tregues konkretë dhe të qartë të vullnetit për të përforcuar bashkëpunimin gjeo-strategjik mes tyre. Por nuk dha asnjë datë se kur rajoni do të mund të anëtarësohet në BE. Liderët e BE nuk qartësuan, nëse do të zbatojnë rekomandimin e fundit të Parlamentit Europian që ‘negociatat e anëtarësimit të vendeve kandidate në BP duhet të përfundojnë deri në vitin 2030”.
Kancelari gjerman Scholz tha në konferencën e tij për mediat pas përfundimit të samitit, se „Franca dhe Holanda kanë ndryshuar qëndrimin e tyre skeptik ndaj zgjerimit të BE drejt BP, krahasuar me një vit më parë.”
Anëtarësimi i plotë në i BP në BE, me sa duket, mbetet një perspektivë e largët, pa datë edhe pse BE i dha rajonit në samitin e Tiranës tregues konkretë që vendet e tij kanë në të ardhmen në BE. Një premtim në rrethana të reja kur lufta e Rusisë në Ukrainë kërcënon të riformojë ekuilibrat gjeo-strategjikë në Europën Jug-Lindore.
Sulm fizik ndaj ish-kryeministrit Berisha në protestën antiqeveritare e opozitës
Një protestë antiqeveritare e paralajmëruar e opozitës u zhvillua në Tiranë kur samiti filloi punimet e tij. Ish-kryeministri Sali Berisha, që kishte thirrur këtë protestë u sulmua dhe u godit me grusht në fytyrë nga një kalimtar kur ishte në krye të protestuesve drejt godinës së kryeministrisë. Sipas njoftimit të policisë 31 vjecari Gert Shehu, që sulmoi Berishën, rezulton të jetë i sëmurë mendor me diagnozë “çrregullim psikotik të papërcaktuar”, vërtetimi mjekësor i cili u publikua nga mediat lokale rezulton të jetë marrë në tetor të këtij viti.
dw