Bashkimi Evropian dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina, i dhanë fund takimit të lartë në Sofje me një deklaratë për përmirësimin e lidhjeve infrastrukturore si dhe për përmirësimin e sigurisë, luftën kundër radikalizmit dhe për migrimet.Në tekstin e deklaratës theksohet mes tjerash se Bashkimi Evropian përshëndet angazhimin e përbashkët të partnerëve të Ballkanit Perëndimor për vlerat dhe parimet evropiane si dhe vizionin e një Evrope të fortë, të qëndrueshme dhe të bashkuar që bazohet në lidhjet historike, kulturore e gjeografike dhe në interesat e përbashkët politikë, ekonomik dhe të sigurisë.
Duke rikujtuar takimin e Selanikut të vitit 2003, Bashkimi Evropian ripohon mbështetjen e tij të qartë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe është e i vendosur të përforcojë dhe shtojë angazhimin e vet në të gjitha nivelet me qëllim për të mbështetur transformimin politik, ekonomik dhe shoqëror të rajonit, duke përfshirë rritjen e ndihmës në bazë të përparimit të prekshëm në sundimin e ligjit dhe reformat socio-ekonomike të kryera nga partnerët e Ballkanit Perëndimor.
Në deklaratë thuhet se Bashkimi Evropian mirëpret angazhimin e partnerëve të Ballkanit për t’u dhënë përparësi demokracisë dhe sundimit të ligjit, posaçërisht për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, qeverisjes së mirë dhe respektimit të të drejtave të pakicave.
Bashkimi Evropian, thuhet mes tjerash në deklaratë, mbështet angazhimin e partnerëve të Ballkanit perëndimorë për të përforcuar më tutje marrëdhëniet fqinjësore të mira, qëndrueshmërinë rajonale dhe bashkëpunimin e ndërsjellë. Kjo, thuhet në deklaratë, përfshinë në veçanti gjetjen dhe zbatimin e zgjidhjeve përfundimtare gjithëpërfshirëse dhe detyruese për mosmarrëveshjet dypalëshe të rrënjosura në trashëgiminë e së kaluarës. duke siguruar përpjekje shtesë për të siguruar pajtimin mes tyre.
Deklarata, gjuha e së cilës ishte bërë pjesë debatesh të gjata brenda vendeve të Bashkimit Evropian, ishte pjesa përmbyllëse e takimit të lartë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, që është i pari i këtij lloji pas 15 vjetësh.
Deklarata e përbashkët bart me vete frymën e imponuar nga kryeministri spanjoll Mariano Rajoy, i cili nuk mori pjesë në takimin e së enjtes për shkak të qëndrimit të tij ndaj pavarësisë së Kosovës e cila nuk njihet edhe nga katër vende tjera anëtare të Bashkimit Evropian. Së këndejmi deklarata përfundimtare u referohet vendeve të Ballkanit perëndimore si “partnerë”, një kompromis i pranuar edhe nga Spanja, e cila përballë problemit të Katalonjës, ka ashpërsuar gjuhën e saj kundrejt Kosovës.
Kjo bëri që në takimin e sotëm, të gjithë pjesëmarrësit të paraqiten vetëm me emrat e tyre, pa simbole dhe pa funksionet e tyre.
Vëzhguesit tërheqin vëmendjen se derisa në takimin e Selanikut 15 vjet më parë është folur për “zgjerimin” e BE-së, kësaj radhe fjala “zgjerim” është shmangur në tërësi.
Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha se është me rëndësi përmbajtja e asaj që është diskutuar dhe jo afatet, duke nënvizuar se historikisht, gjeografikisht dhe në pikëpamje kulturore, rajoni është pjesë e Evropës.
“Nuk është synimi ynë të prishim këtë proces duke folur për gjera jorealiste siç janë rrugët e shkurtra e të shpejta apo diç të ngjashme”, tha ai duke theksuar se duhet qasje e kujdesshme.
Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se duhet parë me kujdes “çdo zgjerim të ri” të bllokut pa reformimin e tij të brendshëm.
Por, ndryshe nga pritja 15 vjecare pas takimit të Selanikut, Bashkimi Evropian do të mbledhë në takim të ngjashëm vendet e rajonit në vitin 2020 në Zagreb.
Zyrtarët evropian e bënë sërish të qartë se Bashkimi Evropian nuk do të pranojë asnjë vend që nuk i ka të zgjidhura konfliktet dypalëshe dhe se marrëdhëniet fqinjësore i sheh si thelbësore për rajonin që ende bartë plagët e luftërave të viteve të 90-ta.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, tha se në takim është vlerësuar angazhimi për marrëveshjen gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë mbase brenda këtij viti.
“Nuk është diskutuar për çështje kohore, por mendohet në periudhën gjashtë deri në nëntë muaj”, tha presidenti Thaçi, i cili është takuar shkurt gjatë dy ditëve edhe më presidentin serb Aleksandër Vuçiç.
Por ky i fundit nuk beson në një zgjidhje të shpejtë. “Shpresoj. Nuk jam optimist i madh por do të jap gjithçka nga vetja që kjo të ndodhë”, tha ai.
Për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, Serbia duhet të zgjidhë problemet kufitare me Bosnjën dhe të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse detyruese për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pavarësinë e së cilës vazhdon ta kundërshtojë.
Komisioni Evropian ka propozuar që udhëheqësit e Bashkimit Evropian të hapin muajin e ardhshëm edhe formalisht bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë e cila përballet me kritika për shkallën e krimit e korrupsionit dhe Maqedoninë, kontesti i së cilës me Greqinë për emrin, ka bllokuar për një kohë të gjatë proceset e integrimeve.
Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, tha të enjten se një marrëveshje për emrin mund të arrihet madje para takimit të udhëheqësve të Bashkimit Evropian muajin e ardhshëm.
Përtej Ballkanit Perëndimorë, udhëheqësit e lartë evropian diskutuan edhe sfidat tjera më të cilat përballet Bashkimi Evropian. Ata thanë se janë pajtuar të vazhdojnë të mbështesin marrëveshjen bërthamore me Iranin, me gjithë tërheqjen amerikane prej saj. Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se do të vazhdojnë diskutimet për këtë çështje me Shtetet e Bashkuara sikundër edhe çështjen e tarifave të çelikut dhe aluminit. Por, ajo mohoi mundësinë që këto çështje të diskutohen në takimin e saj të së premtes me presidentin rus Vladimir Putin. (voa)