Mes 42 kandidatëve për euro-deputetë të partisë “Demokracia e Re” është dhe kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, që aktualisht vuan dënimin prej 2 vitesh për blerje votash gjatë zgjedhjeve lokale 2023.
Prillin e këtij viti, kohë kur debati për dënimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri ishte në pikun e tij, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe partia që ai përfaqëson “Demokracia e Re” propozuan zyrtarisht emrin e Belerit si kandidat për euro-deputet. Lajmi ngjalli debate në të dyja anët e kufirit, ku mes fqinjëve ekziston teknikisht ende Ligji i Luftës që nga viti 1940. Mitsotakis u kritikua lidhur me këtë kandidim edhe nga partia më e madhe opozitare e vendit të tij, SYRIZA. Kjo është hera e parë që një kandidat për në Parlamentin Europian ndodhet në qeli.
“Beleri” – Pro dhe kundër
“Ky është një akt i paprecedent, i cili nuk ka ndodhur më parë dhe nuk besoj se do të sjellë ndonjë rezultat në pritshmëritë e zotit Mitsotakis për të zgjuar votat e fjetura nacionaliste greke e aq më tepër për të realizuar lirimin e zotit Beleri nga burgu. Në qoftë se një pjesë e opozitës bëri gabim kur e kandidoi Belerin për kryebashkiak të Himarës, Mitsotakis po bën një gabim të dytë edhe më të madh, duke e kandiduar atë për deputet të Parlamentit Europian. Ky akt politik mund t’i kthehet në bumerang. Ka qindra figura të tjera të nderuara që kanë shtetësi shqiptare dhe greke, të cilët mund të përzgjidheshin si kandidatë dhe do ta ndihmonin më shumë zgjerimin e bazës elektorale të kësaj partie, sesa një personazh problematik si Beleri” – thotë për DW Arben Çejku, ish-ambasador, drejtues i “Qendrës Shqiptare për Qeverisje të Mirë”.
Për Marin Sulin, përfaqësues i Omonia-s, kandidimi i Belerit është një lajm i mirë. “Kandidimin e zt. Beleri për euro-deputet e shoh si një qasje pozitive në raport me demokracinë e mohuar në Shqipëri. Po ashtu, e shikoj si një proces normal brenda nje vendi demokratik dhe evropian siç është Greqia, kandidim i cili buron nga propozimi dhe kalimi nëpër filtrat e seleksionomit të kandidaturave brenda Demokracisë së Re dhe lexim i qartë i sondazheve paraprake, sondazhe të cilat e nxjerrin zt. Beleri fitues, madje me një numër të madh votash. Në kundërshtim me ata që janë skeptikë, unë besoj që kjo zgjedhje është një lajm i mirë në radhë të parë për opozitën, por edhe për popullin shqiptar në përgjithësi”.
Braka: Beleri po përdoret nga partia e kryeministrit grek
Panajot Barka ka punuar prej vitesh si korrespondent nga Shqipëria për Agjencinë Greke të Lajmeve. Qëndrimi personal për çështjen Beleri i ka kushtuar vendin e punës. “Beleri si individ dhe i paraqitur si mbrojtës i të drejtave të minoritetit etnik grek, përdoret nga partia e kryeministrit grek për të krijuar një mburojë penguese të rrjedhjes së votave të kësaj partie drejt së djathtës ekstreme. Pra, një çështje e cila u promovua si një “aset kombëtar grek”, përdoret për qëllime të brendshme politike dhe ideologjike. Kjo ka ndezur një debat të fortë politik në Greqi. Ka një pasojë të dyfishtë edhe për minoritetin grek në Shqipëri. Së pari, si ai, ashtu edhe grupimi politik që përfaqëson, nuk kanë mbështetjen reale të këtij minoriteti. Por edhe sikur ta pranojmë këtë, atëherë mbrojtja e këtyre të drejtave ndodh këtu, pranë këtij minoriteti. Pra e kërkon atë këtu dhe jo duke e eksportuar jashtë tij, qoftë edhe në Parlamentit Evropian. Së dyti, qëllimi i publikuar i Demokracisë së Re për kandidimin e tij, e identifikon Belerin me ekstremin e djathtë, madje me ndikim të rëndësishëm atje. Kjo e dëmton shumë minoritetin!” – thotë Barka për Deutsche Wellen.
Christopoulos: Beleri nuk doli nga hiçi
Për ekspertin e shkencave politike, të drejtave të njeriut dhe pakicave, Dimitris Christopoulos, njëkohësisht dekan i fakultetit të Shkencave Politike në Universitetin “Panteion” në Athinë, shprehja: ‘Duhen dy vetë për të kërcyer tangon’, i përshtatet më së miri kësaj situate.
“Sigurisht që Mitsotakis mban përgjegjësitë e veta personale për përzgjedhjen e Belerit për në Parlamentin Europian, por ky vendim duhet parë në kontekstin e veprimeve të mëhershme të të dyja palëve. Nëse Beleri nuk do të ishte në burg, ai nuk do të ishte kurrë kandidat. Pra, nëse duam të jemi të drejtë për këtë çështje, atëherë askush nuk është i pafajshëm. Edhe pse të ndash përgjegjësitë nuk nënkupton që të dyja palët kanë të njëjtën dozë përgjegjësie. “Belerizimi” i marrëdhënieve greko-shqiptare është kryesisht nismë e Athinës. Dhe nëse duam të kuptojmë me të vërtetë se çfarë po ndodh sot në rajon, duhet të lexojmë në mënyrë të paanshme dhe pa pasione kombëtare se çfarë ka ndodhur në Himarë gjatë shekullit të kaluar dhe veçanërisht pas mbarimit të Luftës së Ftohtë. Himara u shndërrua në fushë-betejën e përplasjeve të nacionalizmit grek dhe atij shqiptar. Këtë po e paguajmë sot. Shqipëria duhet të pranojë që ka grekë në Himarë që kërkojnë pronat e tyre. Kjo nuk i vjen në ndihmë planit për ta kthyer Himarën në një parajsë mega-turistike, por nuk është fundi i botës. Beleri nuk doli nga hiçi. Nëse duam vërtet të kuptojmë se kush e bëri atë një figurë të fortë politike, atëherë themi të dyja palët, pala greke dhe pala shqiptare”.
Deutsche Welle kontaktoi edhe me përfaqësues të qeverisë dhe të opozitës greke për këtë çështje, por ata nuk iu përgjigjën kërkesës sonë për koment.
Gjyq juridik apo politik?
Që nga çastet e para pas arrestimit të Fredi Belerit në Himarë, nga vetë ai por dhe përfaqësues të pakicës greke në Shqipëri, është pretenduar për një proces të montuar politik. Këto pretendime janë hedhur vazhdimisht poshtë nga kryeministri Rama, i cili ka këmbëngulur se çështja “Beleri” i përket vetëm gjyqësorit.
“Ne tashmë nuk kemi më pretendime, por kemi prova shkresore dhe shkencore të dhëna nga vetë SPAK-u, që zt. Beleri është viktimë e një procesi politik të montuar dhe të manipuluar nga zt. Rama” -thotë Marin Suli. Sipas tij prokuroria ka falsifikuar dokumente dhe ka shkelur hapur ligjin. Besimi i vetëm që ata kanë, sipas Sulit, është gjykata e Strasburgut.
“Nëse kryeministri shqiptar do të donte që bota të besonte se kjo është një çështje gjyqësore, ai duhet të përmbahej me deklaratat që thoshte në televizion kundrejt Belerit, pak ditë para se Beleri të arrestohej. Unë nuk jam në pozitën për të ditur se çfarë ka ndodhur në të vërtetë, por ajo që di është se praktika të tilla për të cilat u burgos kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, nuk janë të rralla në Shqipëri. Le flasim seriozisht … unë jam i fundit që do të thosha që kryetari i Bashkisë Himarë është i pafajshëm. Sidoqoftë në Shqipëri ka shumë të tillë që janë ende të lirë dhe të suksesshëm. Ky është problemi. Nga ana tjetër, Athina mban një përgjegjësi madhore për promovimin e një personi të tillë për të mbrojtur interesat e pakicave. Faji i dytë madhor i diplomacisë greke është pritshmëria që Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i respektojnë pretendimet e Athinës për këtë çështje. Por kjo nuk është kështu dhe tashmë jemi në një ngërç” – analizon profesor Christopoulos.
Për ish-diplomatin Çejku, akuza për blerje votash duhet hetuar e dënuar, por ai heq paralele me të kaluarën, kur personazhe të mazhorancës aktuale qeverisëse janë akuzuar për blerje votash në përmasa edhe më madhore, por nuk janë dënuar. “Mos vallë ai u kap pikërisht sepse “bleu pak vota”, ndërkohë që personazhe të tjera të mazhorancës “kanë blerë shumë vota” dhe ndoshta për këtë “meritë” as nuk hetohen as nuk dënohen? Në anën tjetër, gjykoj se Greqia u nxitua në përfshirjen dhe ndërhyrjen e saj, duke paragjykuar që në fillim hetimet dhe procesin gjyqësor. Athina duhej të mjaftohej me monitorimin e procesit dhe në fund, bazuar mbi fakte, të hartonte një raport mbi të gjitha pretendimet. Por, me reagimet e shpeshta emocionale, deklaratat politike në distancë, hetimi dhe gjykimi ndaj zt. Beleri ra në kurthin e një procesi juridik të paragjykuar e të politizuar. Se kush e politizoi më shumë këtë, do të jenë të tjerë që do ta analizojnë në të ardhmen, por ndërhyrjet pa takt të Athinës zyrtare nuk sollën asnjë dobi as për Belerin dhe as për klimën e marrëdhënieve mes dy vendeve”.
Ngërç i (pa) zgjidhshëm?
Për Panajot Barkën zgjedhja e Belerit do t’i ndërlikonte akoma më shumë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, sidomos në raport me Bashkimin Europian. “Beleri me tri dënime penale, dy për çështje etnike në të dy anët e kufirit dhe një tani për korrupsion zgjedhor, krijon njëhandikap ose një ngërç, jo lehtësisht të kapëcyeshëm”.
“Unë mendoj se çdo akt që minon demokracinë, lirinë e të drejtave të njeriut dhe Kushtetutën e vendit, vështirëson rrugën evropiane të Shqipërisë. Në rastin konkret janë të përfshira dhe shkeljet e rënda të një pjese të popullsisë që gëzon dy-shtetësinë, atë shqiptare dhe greke” – argumenton Marin Suli.
Megjithatë kryeministri Rama u shpreh i vendosur pak kohë më parë, kur u pyet për pengesat që Greqia mund të vendosë sërish për anëtarësimin e vendit në BE. “Nuk besoj se do të vazhdojë shqetësimi i Greqisë deri në 2030-ën dhe nëse do të mbetet kjo punë te Beleri, nami u bëftë, mos hyfshim kurrë në BE”.
“Gjatë viteve të fundit, sjellja greke ndaj shqiptarëve në Greqi dhe pakicës greke në Shqipëri ka provokuar dhe kultivuar një mungesë besimi tek pala shqiptare. Nuk hezitoj të them se Athina mbart një peshë më të lartë përgjegjësie në këtë përshkallëzim, duke qenë më e fortë dhe ajo nga e cila pritet më shumë maturi. Tashmë, pala shqiptare ndjen se ka fuqinë për të reaguar përmes krenarisë kombëtare. Unë e kuptoj, megjithatë duhet t’u kujtoj të dyja palëve se një krenari kombëtare me qëllim të mirë mund të shndërrohet lehtësisht në nacionalizëm dhe arrogancë të ashpër. Dhe këto nuk janë “këshillues” të mirë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Greqia dhe Shqipëria kanë gjithnjë e më shumë arsye të mira për të gjetur marrëveshje dhe për të nisur një kapitull të ri. Ka gjëra shumë më tepër të rëndësishme për t’u marrë në të ardhmen” – përfundon Christopoulos.
dw