Çështja e Emiljano Shullazit dhe kërcënimet e prezumuara të tij ndaj profesor Mynyr Konit dhe disa biznesmenëve kanë qenë në qendër të debatit parlamentar të kësaj të enjteje, që ka patur tone të forta mes pozitës dhe opozitës.
Ish-kryeministri Berisha, duke e cilësuar ekzekutivin aktual si një organizatë kriminale, u ka bërë thirrje qytetarëve që të armatosen kundër saj.
“Iu bëj thirrje qytetarëve që të armatosen për të mbrojtur veten dhe sigurinë e tyre. Nëse ju kërcënoni me banda opozitën, qytetarët janë të gatshëm t’ju kundërshtojnë me armë e të mos gjeni vrimë ku të futeni. Armatosen amerikanët, armatosen të gjithë qytetarët. Me këtë organizatë kriminale në pushtet nuk ka siguri, rend dhe qetësi”, ka thënë Berisha.
Tahiri: Prokuroria të marrë masa, të nisë ndjekjen penale
Duke reaguar ndaj thirrjes së ish-kryeministrit, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri e ka cilësuar atë si skandaloze dhe ka bërë thirrje që prokuroria ta ndjekë rastin si vepër penale.
“Nuk e di si mund të vazhdojë punimet ky Parlament kur një ish-kryeministër iu bën thirrje qytetarëve që të armatosen. Uroj që prokuroria ta thërrasë pasi është vepër penale të bësh thirrje publike për armatosje dhe dhunë ndaj institucioneve. Kjo është një mendësi kriminale dhe djallëzore. Është skandaloze”, ka thënë Tahiri.
Sipas tij, “një ish-kryeministër që bën thirrje për armatosjen e popullit tregon se në ç’mënyrë ka qeverisur vendin, “në një kohë kur e kemi të freskët kujtesën se si vrau 4 qytetarë të pafajshëm në mes të bulevardit”, ka thënë Tahiri.
“Unë shpresoj që prokuroria të marrë masa dhe të nisë ndjekje penale ndaj tij. Kjo është thirrje e një epoke tjetër, të cilën shqiptarët e kanë lënë pas më 23 qershor 2013”, është shprehur Tahiri, i cili ka ftuar deputetët e opozitës që të distancohen nga thirrja e Berishës.
“Bëni ç’të doni, hidhni baltë sa të doni ndaj qeverisë dhe ministrave, por distancohuni nga kjo deklaratë”, ka thënë ai.
Më tej, duke prekur rastin e Shullazit, ministri i Brendshëm ka ftuar sërish deputetët e opozitës që të ngrenë komision hetimor parlamentar, duke dhënë garancinë e tij se do të kenë në dispozicion të gjitha dokumentet.
“Nëse doni të shihni se çfarë ka bërë policia me Shullazin ngrini komision hetimor në Parlament. Doni të shihni të vërtetën? Lërini pallavrat dhe ngrini komision hetimor. Me kushtin që t’i shihni të gjitha dokumentat dhe pastaj t’i bëni publike dhe kush nuk e ka bërë detyrën të shkarkohet në këtë Parlament”, ka thënë Tahiri.
“Nëse jeni dakord, reformën në drejtësi dhe Byronë Kombëtare të Hetimit i votojmë që nesër”, e ka mbyllur ministri fjalimin e tij.
Blushi: Thirrjet e Berishës, marrëzi. S’ka asnjë justifikim
Deputeti Ben Blushi i ka cilësuar si “fatale” thirrjet e ish-kryeministrit Berisha që qytetarët të armatosen kundër qeverisë.
“Unë kam shumë arsye për të qenë kundër kësaj qeverie, por t’u thuash qytetarëve ‘merrni armët’, kjo është fatale. Dhe këtë e tha dikush që e ka bërë njëherë”, ka thënë Blushi, i cili u është drejtuar deputetëve demokratë.
“Je dakord t’i, Edi Paloka, që ai që shet picën të ketë pistoletë në brez? Je dakord ti Jozefinë që parukjerja ku shkon ti të ketë pistoletë?”, është shprehur Blushi.
Në vlerësimin e tij, “edhe nëse Berisha tha që qytetarët të armatosen sikurse në Amerikë, është më keq”, “sepse në Amerikë po punohet që të reduktohet armëmbajtja”, ka thënë Blushi.
“Çfarë duhet të bëjë një i varfër që i kanë marrë tokën, të marrë armën dhe të vrasë fqinjin? Çfarë duhet të bëjë një qytetar që i bëhet padrejtësi, të marrë armën dhe të shkojë tek prokurori? Rasti i Shullazit nuk e justifikon atë që tha Berisha. Tërhiqeni këtë sepse është katastrofë, është turp”, ka thënë Blushi.
Berisha: Ja kush e vuri tritolin tek farmacia e Bashkim Tahirit
Më herët gjatë fjalës së tij, Berisha foli edhe për rastin e tritolit në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, duke dhënë variantin e tij mbi këtë ngjarje.
Berisha: “Bashkim Tahirit, kontrabandistit të kapur në flagrancë, dikush i vuri një kallëp tritoli në farmaci. Nga të parët që e kanë dënuar këtë akt kam qenë edhe unë. Kush i vendosi ato? Kush e vendosi tritolin? Për tritolin tek farmacia e kontrabandistit u arrestuan 7 vetë, por vetëm një mendje idiote mund të thotë se 7 vetë u morën me vendosjen e tritolit. U arrestuan të gjithë Gjutajt. Nisi procesi, ngeci procesi. Thirr prokuroria Bashkim kontrabandistin, ai thoshte ‘unë s’kam asgjë, ato janë vendosur për shkak të detyrës së djalit tim’. Djali i tij përhapi fjalë se një nga gjutajt kishte treguar të gjitha. Një oficer policie më ka dërguar një letër ku thotë: kam marr pjesë në hetimin për vendosjen e tritolit dhe është zbuluar se tritolin e vendosi Shullazi. Prokuroria njoftoi se Vladimir Gjutaj lirohej nga paraburgimi. Çfarë ndodhi? Prokuroria kishte thirrur Sajme qorrin që të dëshmonte, por ai nuk dëshmonte. Sepse ai u kishte dërguar Gjutajve Shullazin. Pra, Sajme qorri i dërgoi Emilin Vladimirit disa herë dhe filloi negociata të mëdha që ta mbyllnin këtë punë. Sepse Emili kishte vendosur vetë. Po pse u arrestuan Gjutajt? Sepse para zgjedhjeve Gjutajt e kishin shtrirë përtokë Sajme qorrin në bllok, duke i bërë rrahjen më të egër. Por sapo qorri u bë me krahë duhet t’u vendoste rregull gjutajve”.
Më parë, Berisha dhe deputetët e PD u përfshinë në një seri replikash me kryeministrin lidhur me rastin e eksponentit të njohur të krimit të organizuar.
Rama: Sali, nuk e di ç’do të bëje ti nëse ky vend nuk do të kishte kriminelë dhe nëse nuk do të kishe rënë në Facebook në këtë moshë. Atë që po të them ty dhe të gjithëve është që shqiptarët nuk i merrni dot për hunde dhe nuk u tregoni dot përrallat tuaja.
Topalli: Përse nuk i jepni pamjet filmike të arrestimit të Shullazit?
Rama: Policia jep pamjet e personave që arreston, jo të atyre që ndalon. Shullazin unë e kam njohur gjatë qeverisjes së kryeministrit tënd.
Berisha: Gjatë qeverisjes sime Shullazi është arrestuar 4 herë. Ndërkohë që kur atij i është dhënë pushtet absolut, ai bën ligjin në Ministrinë e Brendshme. Ai bën terror në policinë e durrësit. Të gjitha këto për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me edvin shullazin dhe sajme qorrin. Dëshmia e një oficeri policisë deklaronte se në lagjen e Shullazit jetohej në terror të plotë. Në bandën e tij ai njihej si gjenerali. Ai zbarkonte në kafenetë e qytetit me bandën e tij sikur të ishte mafia më e fortë në botë. Me lidhejet e tij direkte me Ramën dhe Tahirin ai ishte bërë nënkryetari i kësaj qeverie. Me ndërhyrjen e Sajme qorrit u deklarua se Shullazi nuk kishte lidhje me ngjarjen tek rruga e Kavajës. Ai iu drejtua Lulzim Bashës duke i thënë se, po dole në atë dritare kokën do të ta masim me plumb.
Në fillim të seancës, kryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka kundërshtoi opozitën e homologut socialist Gramoz Ruçi, që çështja të ngrihej në Parlament.
“Kur Shullazi kërcënon kandidatin për rektor, Ruçit i duket habi përse kjo çështje ngrihet në Parlament. Nuk mund të bëjmë sikur nuk ka ndodhur asgjë, kur shefi juaj i vërtetë është futur pa dijeninë e shefit tuaj të zgjedhur me referendum në burg. Duhet të shqetësoheni edhe ju zoti Ruçi, sikurse janë edhe Rama e Tahiri, që tre ditë më parë nuk dinin ku të shkonin. Krimi me mbështetjen e kësaj qeverie po bën çfarë të dojë”, tha Paloka.
Duke reaguar, kryeministri Rama i ka cilësuar këto si akuza politike, të imponuara sipas tij nga lidershipi i vjetër i Partisë Demokratike.
“Nuk mund të mos flas kur flet i dënuari nga gjykata për shpifje. Në gjyq, një pulë do të thoshte ‘ç’lidhje kam unë, nuk kam asnjë lidhje unë me këtë, kjo është çështje politike, që ma ka dhënë partia, bindja e partisë për mua është provë’. E kam ftuar të provojë qoftë edhe një fjalë të vetme të llumit që ka derdhur për këtë personazh dhe nuk e kuptoj me çfarë kurajoje kërkojnë ta bashkangjisin me ne. Si ka mundësi që nuk latë njeri të botës së krimit pa e kthyer në personazh të politikës?”, tha Rama.
Ai nënvizoi se, “ndalimi i Shullazit është bërë nga policia, që ka nisur procedurën pa pasur një denoncim konkret, por duke u nisur vetëm nga një indicje, e paprovuar dhe e ka ndaluar, ka kërkuar nga prokuroria autorizimin për arrestim, të cilin e ka marrë pas mesnate, ndërkohë që personazhi në fjalë ka qenë në qeli”.
“Ju jeni viktimat e para të atij që ju ka drejtuar për 25 vjet, sipas parimeve të Adolf Hitlerit, që thoshte: ‘doni që një gënjeshtër ta besojë turma? Bëjeni sa më të madhe dhe thojeni sa më shpesh’. Në Policinë e Shtetit që drejtojmë ne nuk bëhen përgjime ilegale. Por pak rëndësi ka kjo. Rëndësi ka fakti se ju nuk e fshihni dot kënaqësinë kur flisni për krimin. Po të mos ishte krimi ju do të ishit një çetë memecësh që do flisnit me shenja”, shtoi Rama.
Duke iu referuar vizitës së fundit në SHBA, kryeministri theksoi se, “në Shtëpinë e Bardhë nuk ftohen persona të inkriminuar”. Më pas debati vijoi me replika.
Paloka: Rama dhe Tahiri kanë frikë nga institucionet që nuk varen prej tyre. Byroja e Hetimit nuk varet nga Tahiri i tij dhe prandaj nuk po e votojnë. I trembet byrosë se mund të përfundojë ashtu si Shullazi. Ky kryeministër nuk i fiton dot zgjedhjet pa krimin. Le të shkojë ku të dojë, nga ai vendi ku ishte i erdhi mesazhi si kryeministri i korruptuar. Le të dëgjojë edhe deklaratën e ish-zëdhënësit të Pentagonit kundër tij.
Rama: Unë nuk besoj se ti ke luajtur poker me Shullazin tek “Milosao”. Por unë besoj se ti luan me skedina. Sa për zëdhënësin e Pentagonit, ai është vartës i Donald Trump. Ka punuar në Pentagon, por tani punon për Trump. Por unë mes teje dhe Trump të zgjedh ty. Sa për reformën në drejtësi, ne presim që ju të vini në tavolinë dhe ju thoni që nuk duam ne ta bëjmë reformën. Sa për byronë, FBI-në në Tiranë e kam sjellë unë. Çfarë e pengon reformën në drejtësi të miratohet brenda kësaj jave? Reforma në drejtësi shtyhet pa asnjë lloj arsyeje objektive. Është gjendja e dëshpëruar e disa njerëzve. Unë Shullazin e kam ndeshur dy herë për shkakun tuaj, në vitin 2007 dhe 2009, kur sulmonte tubimet elektorale të PS.
Ristani: Sapo dëgjuam një sallatë të një kryeministri rrumpallë, që donte të justifikohej por nuk dinte ç’të thoshte. Në fillim të viteve ’90, ai pëlliste si gomar për një qofte pa lekë në rrugët e Tiranës. Ky njeri bëhet sot kryeministër dhe hyn në këtë Parlament duke sharë deputetët e opozitës njëri pas tjetrit. Ne sigurisht që e duam reformën në drejtësi, por atë nuk e do ky njeri që merr në telefon gjyqtarët dhe i kërcënon. Në gjykatë u dënuam unë dhe Paloka dhe u shpallën të pafajshëm ata që sulmuan deputetët e opozitës në Parlament. Kjo është drejtësia e sotme. Krimi përbën problem, këtë vend po e mbyt krimi dhe droga.
/ Top Channel