Banka europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) vlerëson se ekonomia shqiptare do të bjerë në -9 përqind në 2020. Shqipëria dhe Mali i Zi, sipas një raporti të publikuar sot nga BERZH, janë dy vendet që po e ndjejnë më shumë goditjen e COVID-19 në rajonin e Ballkanit. Kosova, së bashku me Bosnjen, dhe Maqedoninë e Veriut, pritet të kenë një rënie më të lehtë, në nivelin e -5 përqind, ndërsa Serbia rezulton të jetë vendi me një tkurrje prej vetëm 3.5 përqind.
“Rajoni i Ballkanit Perëndimor po përjeton një recesion të theksuar në vitin 2020, me PBB-në që parashikohet të bjerë me 5.1 përqind. Kriza COVID 19 po prek ekonomitë në rajon përmes kanaleve të ndryshme”, vlerëson raporti duke theksuar se “ndërsa Shqipëria dhe Mali i Zi, me mbështetjen e tyre të fortë në turizëm, po preken kryesisht nga kufizimet në udhëtimet e brendshme dhe ndërkombëtare, vendet e tjera po goditen përmes ndërprerjeve në zinxhirët globalë të furnizimit. Disa vende po shohin gjithashtu një rënie të dërgesave të parave dhe fluksit të investimeve të huaja direkte, të cilat mund të frenojnë rritjen”.
Megjithatë si Shqipëria ashtu dhe Kosova, parashikohet të kenë një rritje me ritme më të larta, respektivisht me 4.5 dhe 4 përqind vitin e ardhshëm. Vlerësimet janë dukshëm më të ulta se ato të pranverës kur sipas Bankës, Shqipëria do të rritej me 12 përqind, ndërsa Kovova me 7.5 përqind.
Me përjashtim të Malit të zi, që siç parashikon BERZH-i, do të rritet me 5 përqind, vendet e tjera të rajonit do të jenë në nivelin e 3 përqindshit. Rajoni i Ballkanit, sipas BERZH-it “ka të ngjarë të ketë një rikuperim në 2021, me rritje prej 3.4 përqind të parashikimit, por nivelet e Prodhimit të Brendshëm Bruto vitin e ardhshëm do të qëndrojnë nën ato të vitit 2019”.
SHQIPERIA
Pandemia Covid-19 po prek ekonominë shqiptare kryesisht përmes efektit të saj negativ në turizëm, i cili normalisht kontribuon në më shumë se një të pestën e PBB-së së vendit. Sipas Unionit Shqiptar të Turizmit, këtë vit, gjatë sezonit të verës janë anuluar rreth 5 milion netë-qëndrime. Gjithashtu, eksportet e mallrave me Italinë, partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, ranë me më shumë se 40 përqind gjatë bllokimit në muajt mars-maj 2020 dhe me 15 përqind në qershor-korrik. Në përgjithësi, eksportet totale të mallrave në shtatë muajin e parë të vitit 2020 ishin 17 përqind më të ulëta në terma vjetorë. Rënia e dërgesave të parave, të cilat ranë me pothuajse një të pestën në gjysmën e parë të vitit 2020 kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2019, ka dëmtuar konsumin privat”, vë në dukje raporti.
Duke ju referuar masave të ndërmarra nga autoritetet në përgjigje të pasojave të pandemisë, BERZH vlerëson se “deri në fund të gushtit 2020, qeveria kishte miratuar dy paketa të mbështetjes ekonomike, me vlerë sa 2.8 përqind e PBB-së. Paketat konsistonin kryesisht në rritjen e shpenzimeve qeveritare për të mbështetur bizneset, garancitë sovrane dhe transfertat sociale. Politika monetare u përgjigj me ulje të normave të politikës, në nivelin më të ulët rekord prej 0,5 përqind, ndërsa ndërhyrjet e tregut valutor në fund të marsit 2020 kërkuan të zvogëlojnë presionet e amortizimit. Në mesin e vitit 2020 borxhi publik ishte në 80 përqind të PBB-së, 14 pikë përqindje më i lartë se në fund të vitit 2019”, thekson raporti.
Duke marrë në konsideratë këtë situatë, raporti vlerëson se “PBB e Shqipërisë parashikohet të tkurret me 9.0 përqind në 2020, duke u rikthyer me 4.5 përqind në 2021 , mbështetur nga rindërtimi pas tërmetit”, të nëntorit të vitit të shkuar. BERZH, megjithatë saktëson se parashikimet e saj nuk kanë marrë parasysh një rigjallërim të pandemisë.
“Me fillimin e pandemisë, ritmi i rritjes së PBB-së në Kosovë u ngadalësua në 1.3 përqind në tremujorin e parë të vitit 2020, nga 4.2 përqind në vitin 2019. Ngadalësimi erdhi kryesisht si pasojë e rënies së investimeve (-9 për qind në terma vjetorë) dhe ndërtimi (-12 për qind). Eksportet e shërbimeve, të cilat lidhen më së shumti me diasporën e madhe të vendit dhe vizitat e tyre në vend, regjistruan një rënie prej 35 përqind në gjysmën e parë të vitit 2020. Në të kundërt, eksportet e mallrave rregjistruan çuditërisht një ecuri të mirë, duke u rritur me 20 përqind në terma vjetorë, kryesisht falë zgjerimit të eksporteve të metaleve bazë dhe produkteve kimike”, vlerëson BERZH-i.
Sipas raportit “në mënyrë të ngjashme, fluksi i dërgesave të parave qëndroi i fortë, duke u rritur me 10 për qind, në shtatë muajt e parë të vitit 2020. Inflacioni vjetor ra në terren negativ në korrik 2020, i nxitur nga kërkesa e dobët për shkak të masave shtrënguese. Shkalla e papunësisë ra lehtë në tremujorin e parë të vitit 2020, duke zbritur në 25 përqind, por që atëherë mund të jetë rritur”.
Sa i takon ndërhyrjeve të autoriteteve, raporti sjell në vëmendje se “në Prill 2020, qeveria miratoi një paketë të ndihmave emergjente që mbështeste punësimin, bashkitë dhe njerëzit në nevojë. Në qershor, qeveria e re miratoi një paketë të rimëkëmbjes ekonomike afatmesme që mbulon periudhën 2020-2023 dhe synon të lehtësojë qasjen në financime, të ulë barrën e taksave, të mbështesë punësimin, bujqësinë si dhe ndërmarrjet publike”
BERZH-i parashikon se “pas një tkurrje të PBB-së prej 5.0 përqind në 2020 pritet kapërcim në 4.0 përqind në 2021, me kërkesën e brendshme që do të vazhdojë të jetë nxitësi kryesor i rritjes”. Sipas raportit, parashikimet mund të përkeqësohen “pasi epidemia mund të intensifikohet përsëri. Rreziqet e tjera lidhen me dobësitë e vazhdueshme në fushën e menaxhimit të investimeve publike dhe një rimëkëmbje më të ngadaltë nga sa parashikohet, i partnerëve kryesorë tregtarë në Bashkimin Europian”.
voa