Në Shqipëri Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi sot të dënojë me dy vjet burg kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës Fredi Beleri, i akuzuar për korrupsion aktiv në zgjedhje.
Zoti Beleri, i cili gjatë gjithë kohës ka folur për një burgosje politike të tij, përsëriti të njejtin qëndrim dhe në Gjykatë, ndërsa ka akuzuar Prokurorinë se ka sajuar faktet dhe provat kundër tij. Gjykata gjeti fajtor dhe Pandeli Kokaveshin, bashkëpunëtorin e zotit Beleri. Dënimi i tij me 1 vit e 6 muaj burg u konvertua me 3 vite shërbim prove, për shkak të gjendjes shëndetësore.
Zoti Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit të vitit të kaluar, pasi më herët një banor i Himarës, Arsen Rama i ishte ofruar Policisë të rregjistronte bisedat dhe veprimet me të, për blerje të votave në favor të tij. Sipas Prokurorisë, Ramës i janë dhënë shuma monetare prej 5 mijë lekësh për 8 persona, emrat e të cilëve ishin në një listë që ai ia kishte dorëzuar Belerit. Vetë Rama do të përfitonte një shpërblim prej 300 eurosh. Paratë për personat që do duhej të votonin në emër të zotit Beleri janë dhënë nga bashkëpunëtori i këtij të fundit, Pandeli Kokaveshi.
Me këto argumenta, Prokuroria kërkoi dënimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, me 2 vjet e gjashtë muaj burgim, ndërkohë që ai vetë foli sot në seancë për një proces me sfond politik, që sipas tij synon t’i japë mundësi kyeministrit Edi Rama që të organizojë zgjedhje të reja në Bashkinë e Himarës. “Vendimi për dënimin tim është marrë në drejtorinë e policisë, ku është bërë plan për arrestimin tim, por plani u prish nga votuesit e Himarës. Vendimi politik, ishte moslejimi im për të votuar. Kërkesa e SPAK për dënimin tim me 2 vjet e 6 muaj burg është diskriminuese. Të tjerë kryetarë bashkishë të gjykuar për të njëjtën akuzë janë në shërbim prove, ose ende në detyrë. Unë nuk e gjej veten fajtor për asnjë akuzë dhe e vërteta do të dalë herët a vonë”, deklaroi zoti Beleri përpara se trupi gjykues të tërhiqej për vendim
Gjykata vendosi ta dënojë më 2 vjet burgim zotin Beleri. Avokati i tij, deklaroi menjëherë më pas se do të bëhej ankim, duke përsëritur dhe ai, se bëhej fjalë për “një vendim dhe dënim politik siç e ka porositur kryeministri Rama. Provat i sjell Prokuroria dhe siç u pa nuk solli asnjë provë. Madje ne, me tabulatetet e telefonit provuam se dhe aktet e tjera proceduriale janë të falsifikuara. Katër ditë është ndjekur nga policia, pa vendim të prokurorisë. Kjo është provuar nga tabulatet e telefonit dhe ky është skandali më i madh. Por prokuroria ra nën presionin e policisë”, tha avokat Edmond Dëma.
Rasti i zotit Beleri, kandidat i opozitës në zgjedhjet vendore, e përfaqësues i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e cila mbron interesat e minoritetit grek, ka acaruar dukshëm marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Fillimisht Athina kërkoi lirimin e tij, duke pretenduar shkelje të të drejtave të minoritetit. Më pas foli për shkelje të të drejtave politike, duke këmbëngulur që zotit Beleri duhej t’i jepej e drejta për të bërë betimin. Kërkesat e kryebashkiakut të zgjedhur, për t’i mundësuar atij këtë gjë, janë hedhur poshtë nga gjykatat shqiptare, ndërkohë që autoritetet e vendit i janë përmbajtur qëndrimit se çështja i përket drejtësisë, dhe ata nuk mund të ndërhyjnë.
Greqia që në fillim e kushtëzoi rastin Beleri me përparimin e vendit në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin europian dhe në fund të vitit ajo u bë pengesë për vendimin për nisjen e bisedimeve konkrete për grupkapitujt e parë mes Shqipërisë dhe Komisionit europian. Një pozicion të cilin javën e shkuar e kritikoi dhe Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi, kur deklaroi në Tiranë se “në Bruksel të gjitha janë dakortësuar me faktin se Shqipëria është gati për të hapur negociatat për grup-kapitullin e parë. Unë nuk e kuptoj dot se pse nuk e marrim dot ne këtë vendim, edhe pse e kuptoj tërësisht rëndësinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, por nuk mund të ndërtohen marrëdhënie të tilla dhe të mira me fqinjët në rast se ti e bllokon tjetrin për të ecur përpara”.
Greqia reagon për dënimin e Fredi Belerit
Ministria e Jashtme greke reagoi përmes një deklarate për dënimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri.
Ministria e Jashtme greke thotë se “dënimi i sotëm nga një gjykatë shqiptare ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarrës Fredi Beleri shton shqetësimet e ngritura për objektivitetin e procesit.”
“Dhe kjo, vijon deklarata e Ministrisë së jashtme greke, për shkak të lëkundjes së prezumimit të pafajësisë për shkak të deklaratave dhe veprimeve të jashtme që mbronin dënimin ndërsa dënimi përfundimtar është dukshëm joproporcional në raport me masën e veprës së pretenduar”.
Ministria e Jashmte greke thotë se “ masa e dënimit, që të mos dalë nga burgu, e pengon kryebashkiakun e zgjedhur që edhe sot të marrë detyrën dhe e mban kandidatin e mundur në krye të bashkisë, pavarësisht vendimit të shprehur të gjykatës muaj më parë që vendosi shkarkimin e tij të menjëhershëm.”
“Zbatimi selektiv i vendimeve gjyqësore nuk është në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës” , thotë Ministria e Jashtme greke.
“Qeveria greke do të monitorojë nga afër çështjen dhe do të presë një gjykim të drejtë dhe objektiv në shkallën e dytë të juridiksionit”, përfundon deklarata e Ministrisë së jashtme greke.
voa