Ish ministrja shqiptare e Integrimit europian Majlinda Bregu, njoftoi të hënën se ajo ishte zgjedhur në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) një strukturë e cila është pjesë e Procesit të Bashkëpunimit në Europën Juglindore (SEECP). Këshilli, i cili zëvendësoi në vitin 2008 Paktin e Stabilitetit për Europën Juglindore ka si objektiv “të promovojë bashkëpunimin dhe integrimin europian dhe euroatlantik në Europën juglindore” dhe aktiviteti i tij është i përqëndruar në 5 fusha prioritare: zhvillimi ekonomik e social; infrastruktura dhe energjia; drejtësia dhe çështjet e brendshme, bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe formimi i kapitalit njerëzor e bashkëpunimi parlamentar.
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit zgjidhet nga ministrat e Jashtëm të SEECP-it. Zonja Bregu e cila përfaqësoi kandidaturën e Shqipërisë, ishte në garë me politikanin malazez Igor Lukšić, i cili ka mbajtur për dy vjet postin e kryeministrit dhe më pas për katër vite atë të ministrit të Jashtëm të Malit të Zi. Zgjedhja e zonjës Bregu duket se ka ardhur dhe si rezultat i një kompromisi mes Tiranës dhe Podgoricës, pasi në përfundim të mandatit të saj më 2021, ajo do të zëvendësohet pikërisht nga zoti Lukšić. Vendimi u mor të hënën gjatë mbledhjes së ministrave të Jashtëm të SEECP-it në Brdo pri Kranju të Slovenisë.
Zonja Bregu bëhet shqiptarja e parë që merr një post të lartë në një organizatë ndërkombëtare, anëtarë të së cilës janë 45 shtete dhe organizata e institucione ndërkombëtare. Përmes një postimi në Facebook zonja Bregu shpreh “mirënjohje të gjithëve,vendeve anëtare, institucioneve shqiptare, Komisionit Europian, EEAS ( Shërbimi i Jashtëm i BE), Parlamentit Europian, familjes time politike EPP, e mbi të gjitha vendeve që votuan bindshëm kandidaturën time. U përpoqën të gjithë, me qartësinë se drejtimi prej meje i këtij institucioni do të ishte fitore e Shqipërisë dhe shqiptarëve!”. Më tej zonja Bregu shprehet “e nderuar që për herë të parë më takon mua të drejtoj si e para shqiptare në një pozicion të lartë ekzekutiv, institucionin që ka si mision fuqizimin dhe rritjen e bashkëpunimit në vendet e Europës Juglindore!”. Ajo ka falenderuar “miqësisht” dhe ministrin e Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati. “Na ndajnë sinoret politike, por na bashkoi qasja Europiane dhe përpjekja për të punuar pro Shqipërisë!”, nënvizon zonja Bregu. (voa)