Britania e Madhe mbështet dhe inkurajon ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, një strukturë që do të operojë në kuadër të Ligjit për Policinë e Shtetit, por që u vlerësua si antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese në formën e kaluar më herët nga mazhoranca.
Ky qëndrim i Londrës u shpreh përmes përfaqësuesit të saj në Tiranë, ambasadorit, Nicholas Cannon. Cannon u takua këtë të mërkurë me drejtorin e Policisë së Shtetit, Haki Çako.
Në takim u vlerësuan marrëdhëniet dhe bashkëpunimi mes dy vendeve tona në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, por me këmbëngulje është kërkuar ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
“Ju duhet që ta ngrini atë duke kapërcyer pengesat ligjore që t’ju ndihmojmë me asistencë. Ne besojmë se ngritja e Byrosë së Hetimit do t’i japë një shtysë luftës kundër korrrupsionit” – tha ambasadori.
Drejtori i Policisë së Shtetit u shpreh se po punohet për të gjetur një zgjidhje ligjore pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që shfuqizoi kapitullin e Byrosë Kombëtare të Hetimit në Ligjin e Policisë, duke i mbetur bindjes për të ngritur këtë strukturë sipas modeleve më të mira të partnerëve.
Çako shtoi se Policia Shqiptare është në një proces ristrukturimi dhe po i kushtohet vëmendje luftës anti- terror, duke ngritur një Drejtori të posaçme.
Ambasadori Cannon ka vlerësuar ngritjen e strukturave antiterror dhe ka theksuar faktin se ristrukturimi nuk duhet të mbetet në një institucion të vetëm, por është kompleks dhe përfshin një sërë hallkash që duhet të funksionojnë bashkë, si Polici, Prokurori e Gjykatë.
Cannon ishte kryediplomati i dytë i vendeve të BE-së që viziton Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Të hënën Haki Çako priti ambasadorin italian Massimo Gaiani, i cili i shprehu vullnetin e Italisë për të mbështetur identifikimin nga ajri të parcelave me bimë narkotike, ashtu siç është bërë vitet e fundit.
/ Top Channel