Guvernatori i Bankës Qendrore Gent Sejko paraqet raportin vjetor: Cikli i rritjes ekonomike shënoi një pikë kthese gjatë 2014-s
Në Shqipëri, guvernatori i Bankës Qendrore Gent Sejko deklaroi se ekonomia e vendit po përballet prej disa kohësh me një mjedis të dobët ekonomik, me presione të ulëta inflacioniste dhe një rritje nën potencial
“Duke përjashtuar pagimin e detyrimeve të prapambetura, politika fiskale ka pasur natyrë konsoliduese gjatë vitit 2014 por nga ana tjetër, shkëmbimet tregtare me jashtë nuk kanë gjeneruar impulse pozitive në rritjen ekonomike. Pavarësisht ritmit më të lartë të rritjes, ekonomia shqiptare vazhdoi të mbetet nën potencial. Kjo situatë ka sjellë shfrytëzim jo të plotë të kapaciteteve prodhuese dhe ka diktuar norma papunësie përtej nivelit ekuilibër”, deklaroi guvernatori Sejko në Komisionin parlamentar të Ekonomisë ku paraqiti raportin për vitin 2014.
Zoti Sejko shpjegoi se “kapacitetet e lira në tregun e punës sjellin rritje të ulët të pagave, të kostove të prodhimit, si dhe të çmimeve finale në ekonomi”.
Gjatë vitit 2014 ekonomia shqiptare u rrit me 1.9 përqind. Guvernatori Sejko tha megjithatë se “Banka e Shqipërisë vlerëson se cikli i rritjes ekonomike shënoi një pikë kthese gjatë vitit të kaluar” dhe se “në vitet në vijim, ekonomia parashikohet të lëvizë në një trajektore rritëse, çka do të mundësojë edhe kthimin e ekonomisë në ekuilibër dhe të inflacionit në objektiv, në një periudhë afatmesme”. Sipas zotit Sejko “një pjesë e faktorëve kryesorë që do të mbështesin këtë rritje, si kushtet e lehtësuara të financimit dhe stabiliteti monetar e financiar i vendit, janë tanimë të pranishëm”, nënvizoi guvernatori i Bankës së Shqipërisë.