“Burg për shpifje”, tërhiqet qeveria

Propozimi i kryeministrit Rama u kundërshtua me forcë. Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Mediave bëri thirrje që propozimi të rrëzohej nga parlamenti. Reagime nga mediat, opozita dhe presidenti Nishani.

ramaNë Shqipëri një propozim i qeverisë për të rikthyer dënimin me burg për shpifje apo fyerje, ka shkaktuar një reagim të menjëhershëm kundërshtues në opinion, dhe vecanërisht në media, duke u parë atë si një kërcënim të fortë ndaj lirisë së shtypi. Ndërkaq dhe përfaqësuesja e OSBE-së për lirinë e medias Dunja Mijatovic, i bëri thirrje parlamentit të mos e votojë. Kryeministri Edi Rama deklaroi se propozimi nuk lidhet me gazetarët, ndërsa më pas ministrja për marrëdhëniet me parlamentin njoftoi tërheqjen e propozimit dhe riformulimin e tij

Ndryshimi në Kodin Penal është miratuar nga qeveria që 14 tetorin e shkuar. Projektligji u mbajt i fshehtë dhe nuk u përfshi në listën e vendimeve të marra prej saj e që bëhen publike në faqen online të Këshillit të ministrave, pas cdo mbledhjeje. Propozimi u zbulua ndërsa përgatitej t’i nënshtrohej shqyrtimit në komisionet parlamentare.

Ndryshimi i kërkuar është formuluar në këtë mënyrë: “Shpifja e kryer botërisht ndaj një funksionar i të lartë shtetëror apo të zgjedhur, me qëllim atribuimin atij të një fakti, që parashikohet nga ligji si vepër penale, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”.

Në vitin 2012, nën trysninë edhe të institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare, parlamenti shqiptar, me konsensusin e të gjitha palëve, e shfuqizoi nenin që në atë kohë parashikonte dënimin me burg për shpifje apo fyerje, ndërkohë që ka patur kërkesa të vazhdueshme, që shpifja të mos ekzistojë fare si vepër penale.

Por në relacionin që shoqëron propozimin e kryeministrit vlerësohet se vendimi i tre viteve më parë ka qenë i gabuar “ishte një veprim jo thjesht i parakohshëm, por me një impakt tërësisht negativ, pasi ka nxitur në mënyrën më ekstreme shpifjen në emër të lirisë së shprehjes, shpifjen duke i atribuar dikujt tjetër pa asnjë hezitim kryerjen e veprave nga më të rëndat penale, ndërkohë që dihet me siguri se faktet e prezumuara si të tilla janë tërësisht të pavërteta”, shpjegon relacioni, ndërsa nënvizon se “Pështjellimi, që “denoncime” të tilla shpifëse shkaktojnë në opinionin shoqëror, është i tillë që cenon maksimalisht dhe mbi të gjitha ndjenjën e sigurisë dhe të besimit që shteti nëpërmjet përfaqësueve të tij më të lartë shtetërorë përçon dhe ka për detyrë të përçojë te qytetarët”, shkruhet në relacionin shpjegues

Shqetësim për propozimin e tij shfaqi menjëherë përfaqësuesja e OSBE-së për lirinë e Medias Dunja Mijatovic, sipas së cilës “institucionet publike dhe zyrtarët nuk duhet të gëzojnë një mbrojtje shtesë ndaj fjalimeve kritike. Përkundrazi, ata duhet të tolerojnë një shkallë më të madhe kritike, krahasuar me qytetarët e thjeshtë”. Përfaqësuesja e OSBE-së vlerëson se “sanksionet penale janë të tepruara dhe disproporcionale. Ato duhet të zëvendësohen me masa të përshtatshme dhe efektive administrative apo të së drejtës civile”, ndërsa i bën thirrje parlamentit “të rrëzojë propozimin e qeverisë” madje “të konsiderojnë dekriminalizimin e plotë të shpifjes”.

Në Tiranë më herët kjo cështje përfshiu edhe kreun e Shtetit Bujar Nishani sipas të cilit “befasues për mua si qytetar i këtij vendi, por edhe si President i Republikës u shfaq projektligji i qeverisë që kërkon rikthimin e burgimit për gazetarët me pretendimin e luftës ndaj shpifjes. Personalisht një akt të tillë e shoh me preokupim dhe shqetësim. E gjykoj kufizim të lirisë së shprehjes dhe cënim të standarteve demokratike të arritura deri më tash me kontributin e të gjitha paleve politike në vend. Sigurisht, shpifja është një gjest i ulët kudo dhe kurdo e sidomos kur përdoret mirëfilli për qëllime politike ajo shfaq gjithë shëmtinë e saj. Me fjalen mund të abuzohet dhe çdo abuzim është i kritikueshëm, por me ndrydhjen e saj mund të abuzohet shumë më tepër”, theksoi presidenti Nishani.

Kryeministri u vu në qendër të sulmeve edhe të opozitës. Kryetari i saj Lulzim Basha theksoi se “burracaku Rama kërcënon me burg mediat dhe gazetarët që nuk arrin t’i shantazhojë apo bleje e që kanë kurajon të nxjerrin në dritë skandalet, korrupsionin, vjedhjen, ortakërinë e tij me krimin”.

Nga ana e tij kryeministri Edi Rama reagoi përmes disa postimeve në Facebook, duke sqaruar se nisma sipas tij nuk ka lidhje me shtypin, e duke saktësuar se “shpifja duhet të jetë vepër penale për çdo politikan që paguhet me taksat e popullit”. Megjithatë zoti Rama bëri një hap pas ndërsa kërkoi “ndjesë që ka hapur shteg për një keqkuptim të madh”.

Edhe kryetari i parlamentit Ilir Meta foli për “një keqkuptim midis qëllimit të kësaj iniciative dhe të mënyrës se si ka funksionuar formulimi, kështu besoj se ky keqkuptim do të zgjidhet, do të ketë një reflektim”.

Më vonë, ministrja për marrëdhëniet me parlamentin Ermonela Felaj njoftoi se projektligji do të tërhiqet, duke shpjeguar se qëllimi i nismës nuk kishte të bënte me shtypin:  “Ne do ta tërheqim atë nismë për të saktësuar pikërisht këtë moment në mënyrë që të mos ndodhi ky lloj diskutimi por një gjë duhet të jetë e qartë që politikanët duhet të kenë një marrëdhënie korrekte me të vërtetën, kanë detyrimin për sa kohë paguhen nga taksat e publik të shprehin të vërtetën dhe të luftojnë për të vërtetën”.

Por edhe nëse saktësohet cështja lidhur me gazetarët, për opozitën sërish shihet si një instrument për të goditur cdo zë kundërshtar. “Ajo që thotë ministrja Felja, është absolutisht pa sens. Dispozita që është paraqitur nuk është cështje keqkuptimi, është një dispozitë që godet drejtpërdrejtë, median, cdo individ dhe opozitën. Ajo që ka ndërmend kryeministri nuk është gjë tjetër vecse të mbyllë cdo zë opozitarizmi. Dhe më sumë se kushdo, këtu në parlament, këtë e bën partia demokratike”, deklaroi Oerd Bylykbashi, deputet demokrat.

Propozimi i kryeministrit mbërriti në një moment kur ka një rritje të ndjeshme të kritikave ndaj qeverisë së tij dhe ministrave për përfshirje në aktivitetet të paligjshme apo korrupsion, jo vetëm nga opozita por edhe nga mediat. Nga ana tjetër së fundmi, edhe personalisht, zoti Rama ka ngritur tonet ndaj shtypit duke e akuzuar atë se po abuzon me të vërtetat. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>