“Çështja Tahiri”, Lu: Kemi ofruar prokurorë federalë

LuNë Shqipëri, ambasadori amerikan Donald Lu tha sot se Shetet e Bashkuara kanë ofruar mbështetje me prokurorë federalë për hetimet që po zhvillohen ndaj ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Këto komente ambasadori Lu i bëri për portalin e lajmeve BalkanWeb në përfundim të një takimi që ai pati sot me ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Ambasadori amerikan, u shpreh se “çështja e zotit Tahiri kërkon një hetim të plotë dhe proces të paanshëm ligjor”, dhe se “është ofruar mbështetja e prokurorëve federalë amerikanë dhe agjencive të zbatimit të ligjit të Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë ndihmë teknike Prokurorisë në kryerjen e një hetimi të plotë, i cili ka për qëllim zbulimin e të vërtetës”, deklaroi ambasadori Lu. Ai nënvizoi se do të donte të shihte “një hetim më aktiv nga prokurorët dhe policia gjyqësore” duke shtuar se ky është një mesazh që i është përcjellë palës shqiptare.

“Në një demokraci të vërtetë, askush nuk është mbi ligjin”, tha ambasadori amerikan duke shtuar se “bota, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, po e ndjek nga shumë afër këtë çështje dhe çështje të tjera sensitive, si ato të Emiljano Shullazit, Lul Berishës dhe tre gjykatësve të apelit në Durrës”.

Ish ministri i Brendshëm është nën hetim pasi dyshohet sipas prokurorisë, se ka patur lidhje me një grup narkotrafikantësh shqiptarë, pjesë e një organizate italo-shqiptare që dërgonte marijuanë drejt Italisë. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>