COVID19, Manastirliu: Po përgatitemi për çdo skenar

Ogerta Manastirliu dhe Luigi Soreca

“Jemi duke u përgatitur për hapjen e dy spitaleve të tjera COVID dhe për çdo skenar, sipas strategjisë për përballimin e situatës” deklaroi Ministrja Manastirliu në spitalin COVID4, gjatë ceremonisë së dorëzimit nga Ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca, të pjesës së katërt të ndihmës së BE-së për Shqipërinë, në kuadër të mbështetjes për përballimit e situatës së shkaktuar nga COVID19.

Duke falënderuare vendet e Bashkimit Evropian për mbështetjen, Manastirliu u shpreh se po bëhen të gjithë përpjekjet, për të rritur kapacitetet testuese, kapacitetet laboratorike, për t’iu përgjigjur çdo situate që kjo epidemi mund të sjellë.

“Kemi tashmë katër struktura të dedikuara për trajtimin e pacientëve që vuajnë nga COVID19. Dy spitale të cilat sot funksionojnë dhe të cilët ofrojnë kujdes shëndetësor për më shumë se 120 pacientë aktualisht ë cilët janë të dyshuar dhe të cilët vijojnë të marrin shërbime në këto spitale. Nga ana tjetër parapërgatitemi që në rast të shtimit të fluksit të pacientëve, të hapim dhe strukturën COVID3, ish-kirurgjitë në QSUT dhe më pas edhe COVID4, që është pikërisht kjo strukturë , të cilën e bëmë gati në një kohë rekord për të mundësuar zgjerimin e kapaciteteve. Jemi duke u përgatitur për çdo skenar, duke punuar fort për rritjen e kapaciteteve të burimeve njerëzore për krijimin e skuadrave rezervë në mënyrë që t’i përgjigjemi çdo situate”, tha Manastirliu.

Manastirliu ka kërkuar të mos bëhet politikë me koronavirusin, por secili të japë shembullin personal për të përballuar këtë situatë.

“Mjekë të politikës dhe politikanë të mjekësisë duan të përfitojnë për të bërë politikë me virusin. Nuk bëheët politike me virusin. Mjekët që punojnë në spitalin infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” e dinë çfarë po shohin. Familjarët e të prekurve e dinë mirë ç’po përjetojnë, që presin aty poshtë për një lajm për të afërmit e tyre që vuajnë nga COVID19. Nuk është asnjëherë vonë për të kthyer faqen, për të bërë atë që është e nevojshme.Të rrisim ndërgjegjësimin përmes shembullit personal” -tha Manastirliu.

 

Manastirliu u bëri thirrje qytetarëve dhe sidomos të rinjve të përshateten me normalitetin e ri për të respektuar rregullat e vendosura, duke pranuar që javën e fundit ka pasur një ndërgjegjësim të qytetarëve.

“Nuk duhet të lejojmë virusin të fitojë terren. Virusi fiton terren nëse njerëzit e lejojnë atë. Gjëja që kërkohet sot është një përgjegjësi e gjithë secilit, për të bërë ato veprime të thjeshta, të cilat ndikojnë në uljen e përhapjes së infeksionit : Distancimi, mbajtja e maskës, higjiena. Duhet të përfitojmë çdo ditë për të krijuar barrierën e nevojshme që ky virus të mos gjejë terren”, apeloi ministrja.

Ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca tha se do të vazhdojë mbështetja për Shqipërinë, duke i’u bashkuar thirrjes së ministres Manastirliu për respektimin e masave të vendosura.

“Kënaqësi të jem përsëri me ju për herë të katërt për mbështetjen që Bashkimi Europian po jep për Shqipërinë. Vlera e këtyre pasijeve që janë sot këtu janë në fakt 650 mijë euro. Kjo është ndihmesa e katërt që japim. Me lejoni që t’i bashkangjitem thirrjes që i bëtë qytetarëve për të respektuar rregullat e caktuara të distancimit, higjienës dhe rregullat që rrjedhin nga akti normative për vendosjen e maskës së detyrueshme”, tha Soreca.

Në kuadër të marrëveshjes së lidhur me BE për ndihma me pajisje mjekësore për përballimin e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, në vlerën 4 milion Euro në këtë mbështetje të radhës janë të përfshirë: 15 respiratorë të lëvizshëm; 50 monitorë pacienti; 25 defibrilatorë; 20 EKG; 10 Eko fikse; 2 grafi të lëvizshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>