Xhani De Biazi beson se Shqipëria nuk do të dështojë sot në “Elbasan Arena” në ndeshjen e jetës. Trajneri i kuqezinjve ka pohuar se ai e ka pasur shumë të lehtë të organizojë e motivojë ekipin këto ditë. Edhe kapiteni i kombëtares së shqiptarëve, Lorik Cana tha se Shqipëria ka dy mundësi për të shënuar arritjen historike, për herë të parë, të kualifikimit në një veprimtari madhore ndërkombëtare. Kapiteni foli në të njëjtën konferencë për gazetarë bashkë me trajnerin italo-shqiptar Xhani de Biazi.
“Nëse do të arrihet suksesi në ndeshjen me Serbinë, atëherë do të festohet, e nëse jo, për të shkuar në finalet e Europianit, do të luftohet në ndeshjen e datës 11 tetor në Jerevan me Armeninë”, tha Cana. Xhani de Biazi pohoi se Shqipëria luan të ardhmen kundër Serbisë të enjten në 8 tetor. “Ne futemi në fushë gjithmonë për të fituar ndeshjen dhe jo për barazim. Kjo nuk do të thotë që jemi mendjemëdhenj, por sepse duam të arrijmë objektivat që kemi. Ndaj Serbisë luajmë një ndeshje shumë të rëndësishme, duke qenë se është një kundërshtar i fortë, dhe ky takim është vendimtar për të ardhmen. Është një takim vendimtar për Shqipërinë, ndaj dhe ne do të përpiqemi të japim maksimumin për të arritur një rezultat pozitiv.
Kjo për mua është vetëm një ndeshje futbolli, një ndeshje që mund të na çojë drejt një objektivi shumë të rëndësishëm. Ne luajmë gjithmonë për t’i fituar ndeshjet, duke respektuar kundërshtarët. Kjo nuk do të thotë se jemi mendjemëdhenj, por që e respektojmë kundërshtarin dhe e dimë qëllimin tonë. Kjo është ndeshja më e thjeshtë për t’u përgatitur pasi motivimin e ka brenda. E rëndësishme për mua është që ato energji që janë akumuluar të shkojnë në drejtimin e duhur. Nuk duhet të jemi të tendosur, sepse është thjesht një ndeshje futbolli, do të luajmë si zakonisht, me pasime të shkurta, me zgjuarsi dhe të shfrytëzojmë ato raste që na paraqiten.
Është një kundërshtar i fortë, e njohim mjaft mirë, e kemi studiuar por dhe ne kemi pikët tona të forta. E respektojmë kombëtaren serbe, por ne do të besojmë në forcën tonë duke luajtur për të fituar ndeshjen. Të gjithë lojtarët janë të gatshëm për ndeshjen e nesërme, edhe ata që janë në stol, e vuajnë njësoj si ato në fushë. Secili prej tyre jep maksimumin për fanellën që ja veshur. Të gjithë lojtarët janë të gatshëm për sfidën secili prej tyre mund të shënojë dhe t’i shërbeje skuadrës.
Kundërshtari? Besoj se ne mund t’ia dalim, dhe nëpërmjet kësaj ndeshje ne do të tregojmë se përveç futbollit ne dimë të respektojmë kundërshtarin. Është një ndeshje deçizive, ndaj ju bëj thirrje se pa ndihmën , mbështetjen tuaj nuk arrijmë dot objektivat. Lojtarët që kemi grumbulluar janë ata që besojmë se mund të japin një kontribut të rëndësishëm për ekipin. Forca e grupit tonë janë dhe ata lojtarë që nuk luajnë”, është shprehur trajneri i kuqezinjve.
Kapiteni i kuqezinjve Lorik Cana kërkon që Shqipëria të shkëlqejë sot në fushë dhe jashtë saj në mbrëmjen e tetë tetorit. “ Mënyra se si ne e kemi përgatitur këtë ndeshje nuk ndryshim nga herët e tjera. Ne si skuadër dhe grup jemi rritur shumë, kemi përballuar çdo vështirësi. Çdo lojtar në këtë ndeshje ka një përgjegjësi të jashtëzakonshme për fanellën që mban veshur. Jemi bërë një ekip i jashtëzakonshëm që ka përballuar deri më tani sfida të rëndësishme, dhe jemi pretendent për t’u kualifikuar.
Çdo lojë ka pasur rëndësinë e vet, edhe ndeshja nesër(sot) do të ketë rëndësinë e saj dhe rezultatin e saj. Që të jemi të gjithë ne si shqiptarë pjesë e një ekipi dhe një trupi, një kombi, që ditën e lojës duhet të jemi të gjithë të vëmendshëm, jo vetëm për sjelljen individuale, por dhe të jemi të parët në mbarëvajtjen e rregullit dhe sjelljes korrekte. Qëllimi është ‘Euro 2016′ dhe vetëm ajo ka rëndësi, asgjë tjetër! Atëherë do të jemi të gjithë fitues”, ka shtuar më tej kapiteni i kuqezi. Të dy kanë qenë të qetë në deklaratat e tyre duke ditur rëndësinë e ndeshjes së sotme që mund të çojë kuqezinjtë në Europian.
Formacioni, Balaj e Basha drejt 11-es
Ka apo nuk ka ndryshime në formacion. Këtë do ta zbulojmë sot. Ose të paktën kështu mendohet edhe pse përflitet për surpriza. Duke parë kondicionin e lojtarëve, edhe rëndësinë e kësaj ndeshjeje, pritet që Xhani De Biazi të mos bëjë shumë ndryshime në formacion, krahasuar me sfidën pararendëse me Portugalinë. Hysaj do të luajë në të djathë të mbrojtjes, ndërsa në qendër mund të luajë Gjimshiti, ose Ajeti. Pjesa tjetër e ekipit është ajo që luajti ndaj luzitanëve. Ka edhe një dilemë në krahun e majtë të mesfushës. Do të luajë Lenjani, si dy kualifikueset e shtatorit, apo do të ketë vend për dikë tjetër? Alban Meha është në superformë dhe duket se e ka detyruar De Biazin ta llogarisë si titullar. Pjesa tjetër e skuadrës është po ajo. Me në portë Etrit Berishën, Canën, Agollin, Roshin, Kukelin, Abrashin, Xhakën e Cikalleshin. Gjithsesi, ky mendohet të jetë formacioni, ndonëse burime brenda kombëtares shqiptare kanë treguar mbrëmë se italiani mund të lërë jashtë 11-shes së parë disa lojtarë që kanë shkëlqyer me klubet e tyre. Çudia më e madhe është te lënia në bankë e Amir Abrashit që ka qenë fantastik me Freiburgun, apo Alban Mehës, Burim Kukelit, Herolind Shalës, Shkëlzen Gashit e Sokol Cikalleshit.
Serbët nisin “provokacijat”, por heshtin për Beogradin
Zëvendëspresidenti reklamon një goditje me gurë të autobusit, por nuk pranon të komentojë asgjë nga 14 tetori dhe një marrëveshje të mundshme mes politikës për një rezultat kuqezi
Serbia ka ardhur për të provokuar dhe deri pas largimit të tyre nga Shqipëria, gjithçka mund të dëgjohet. “Qimen do ta bëjnë tra”, ashtu siç ndodhi dhe do të ndodhë. Konferenca e djeshme e Serbisë, ka sjellë aromë “lufte”, por vetëm nga zyrtarët që bëjnë tragjike çdo gjë. Trajneri Radovan Çurçiç dhe kapiteni Branislav Ivanoviç ka qenë të qetë. Dy faqe të ndryshme. Në një dhomë të tejmbushur me gazetarë shqiptarë e serbë, tre përfaqësues të huaj kanë dalë për të dhënë opinionin e tyre.
Nënkryetari i Federatës Serbe të Futbollit, Aleksander Boskoviç, tha para medias se janë sulmuar me gurë gjatë rrugës. Sipas tij, nga goditja me gurë pati dëmtim të autobusit, por policia ka ndërhyrë menjëherë. Drejtuesit e federatës serbe ka bërë me dije se lidhur me këtë incident kanë vënë në dijeni UEFA-n. Shumë i qetë ka qenë trajneri serb Radovan Curçiç. Trajneri nuk ia uli meritat kuqezinjvë, duke pohuar se Shqipëria është një skuadër e fortë dhe e konsoliduar, ndryshe nga Serbia që është ende në formim e sipër. 43-vjeçari tha se skuadra do të mendojë vetëm te luajë futboll dhe asgjë tjetër. “Do të përqendrohemi vetëm tek ndeshja.
Kombëtarja jonë është ende në formim, ndërsa Shqipëria ka një skuadër të konsoliduar. Shqipëria është një ekip fortë dhe jo më kot është në vendin aktual në grupin tonë. Çdo trajner e di që një ditë do të largohet, por unë nuk mendoj se do të iki pas kësaj ndeshjeje”, tha Çurçiç. Branislav Ivanoviçc u shpreh se kjo sfidë i kalon kufijtë e sportit, por ekipi do të jetë i përqendruar vetëm te loja e luajtur. Lojtari, i cili luan në radhët e Çelsit, vijoi më tej se Serbia dëshiron ta fitojë ndeshjen dhe se pret që skuadra të luajë më mirë se në Beograd. Ivanoviçc theksoi se trajneri i Shqipërisë, De Biazi, e ka përgatitur skuadrën mirë nga ana psikologjikë, ndërsa shtoi se nuk beson se Serbia do të duartrokitet në stadium. Ivanoviç, duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve mbi impaktin e parë në Tiranë, tha se ishte i vetëdijshëm që ndeshja i kalon caqet e futbollit.
“Kjo ndeshje i kalon caqet e futbollit. De Biasi si italian e përgatit mirë skuadrën në aspektin psikologjik. Ne nuk jemi dyfish më të fortë se të tjerët. Ne duam ta fitojmë këtë sfidë, kemi ardhur vetëm për të luajtur futboll. Nëse do të ndryshoja gjë nga Beogradi është rezultati. Nesër(sot) pres të jemi dy herë më mirë se në Beograd. Nuk pres që tifozët të na duartrokasin. Gjatë rrugës kishte një pirg me gurë, njëri prej tyre ishte më i madh. Fatmirësisht nuk ishte një incident i rëndë. E dimë që kjo ndeshje tejkalon sportin, por ne duam vetëm futbollin dhe do të përpiqemi me çdo mënyrë ta fitojmë këtë ndeshje.
Në ballkan duhet të ndryshojnë shumë gjëra dhe shpresoj që kjo të ndodhë në të ardhmen”, është shprehur Ivanoviç. Më herët, me të mbërritur në Rinas sipas shefit të sigurimit të Serbisë, Mirko Milivoj, ka akuzuar palën shqiptare për ndryshim të marrëveshjes. “Ne kemi pasur bashkëpunim të madh deri para 15 minutash, kur morëm telefonatën se do të ndryshohen disa gjëra që i kemi diskutuar. Gjithashtu, edhe pse ramë dakord që në katin tonë në hotel, te jemi vetëm ne, u raportua se aty është edhe një qytetar amerikan. Ne nuk jemi pajtuar me këtë dhe nuk hymë pa u larguar ai”, deklaroi Mirko para udhëtimit për në Tiranë, shkruan telegraf.rs.
Si do të luajë Serbia kundër Shqipërisë
Radovan Çurçiç dhe Serbia duket se kanë ndryshuar si nata e ditën. Mesfushori i Çelsit, Nemanja Matiç dhe mbrojtësi i Sitit, Aleksandër Kolarov, janë rikuperuar dhe do të jenë të gatshëm për ndeshjen ndaj Shqipërisë, raporton media serbe. Me një vendosje 4-2-3-1, në portë pritet të luajë Stojkoviç. Në mbrojtje, nga e djathta Kolarov, në qendër dyshja Ivanoviç-Spajiç, ndërsa nga e majta Tomoviç. Dy mesfushorët para mbrojtjes do të jenë Matiç dhe i riu Brasanaç, i cili është në balotazh me Gudjel ose Saviç. Treshja e mesfushorëve ofensivë Tadiç, Tosiç dhe Ljajiç, do të mbështesin nga pas Mitroviçin e vetëm në majë të sulmit.
Karaxhiç: Nuk luajmë nëse ka incident të dytë
Tomislav Karaxhiç, ka kërcënuar Shqipërinë se nëse ndodh ndonjë gjë tjetër nuk do ta luajnë fare ndeshjen. Autobusi i Serbisë u sulmua me një guri gjatë rrugës nga aeroporti në hotel. “Fatmirësisht, askush nuk u lënduar dhe gjithçka kaloi shumë shpejt. Në hotel erdhëm me përfaqësuesit e sigurisë së Shqipërisë, të cilët ishin të befasuar me këtë akt”, tha Karaxhiç shkruan “telegraf.rs”. – “Ata na premtuan se diçka e tillë nuk do të përsëritet dhe nëse Zoti na ruan, dhe e njëjta ndodh sërish në rrugën për në Elbasan, ne nuk do ta zhvillojmë fare lojën”, ishte kategorik Karaxhiç.
Ja si kualifikohet Shqipëria
Shqipëria ka sfidën më të madhe sot për t’u kualifikuar në Europian direkt. Mundësitë që kuqezinjtë të shkojnë në Francë janë disa. Varianti kryesor është nëse danezët që u ka mbetur vetëm një ndeshje, nëse arrijnë të fitojnë në Portugali, atëherë Shqipëria duhet t’i fitojë të dyja ndeshjet e mbetura, saktësisht atë kundër Serbisë në shtëpi dhe ndaj Armenisë në transfertë. Mundësia e dytë është nëse Danimarka barazon në Portugali, Shqipërisë nuk i mjaftojnë dy barazime në ndeshjet e mbetura. Edhe pse do të kishin 13 pikë, po aq sa danezët e vendit të dytë, kuqezinjtë vuajnë ndeshjet direkte ndaj tyre, saktësisht faktin që ata kanë shënuar gol në fushën kundërshtare (0-0 në Kopenhagen, 1-1 në Elbasan). Shkurt duhet të fitojë një nga dy ndeshjet e mbetura. Por, nëse Portugalia na bën “nder”, duke fituar ndaj Danimarkës, atëherë ekipi i De Biazit ka shumë shanse për kualifikim. Kjo, sepse do t’i mjaftonin dy barazime ndaj Serbisë dhe Armenisë, ose nëse do të fitonte vetëm njërën prej tyre.
Mediat botërore: Praglufte në Tiranë
“Prag lufte”, “Tension i lartë”, “Shqipëria mund të shkruajë historinë kundër Serbisë”. Kështu shkruan “sportmagazine.knack.be” dhe media të tjera botërore. Pak a shumë në një mendje kanë qenë mediat gjermanfolëse me tension i lartë në sfidën Shqipëri-Serbi. “Gazzetta dello Sport”, e ka përshkruar me detaje atmosferën e prag ndeshjes së kuqezinjve ndaj Serbisë. Manlio Gasparoto, i dërguari i së përditshmes italiane, përshkruan atmosferën në kryeqytetin shqiptar në prag të ndeshjes, ku theksin e vë tek masat e rrepta të policisë për të evituar çdo incident të mundshëm.
Ai e quan praglufte, takimin e sotëm mes dy përfaqësueseve. Gasparoto nënvizon se Shqipëria do të luajë futboll dhe po kujdeset mirë për imazhin e saj. Në tribunën e shtypit të “Elbasan Arenës” si kurrë më parë në ndonjë stadium shqiptar do të jenë përfaqësues të mediave më të njohura të planetit. Siç konfirmon zyra e marrëdhënieve për shtyp në Federatën Shqiptare të Futbollit, në tribunën e mediave do të jenë gazetarët e CNN, BBC, Sky, Daily Mail, NY Times e të tjerë dhe padyshim ata të gazetave më të rëndësishme sportive si Gazzetta Dello Sport, L’Equipe apo Marca në Spanjë. Interesimi i jashtëzakonshëm padyshim që ka të bëjë me historinë mes dy vendeve por mbi të gjitha me ato që ndodhën një vit më parë në Beograd, me mediat globale që janë të interesuara të bëjnë dhe krahasimin me mënyrën se si u sollën tifozët serbë në 14 tetor dhe atë që do të shohin e përjetojnë në “Elbasan Arena”.
Policia: Po, autobusi mund të jetë goditur
Policia e Tiranës bëri dje me dije se që nga momenti i zbritjes së lojtarëve në aeroportin e Rinasit deri në mbërritjen e delegacionit në hotelin ku janë akomoduar nuk është konstatuar asnjë problem. Në momentin e mbërritjes përpara hotelit është vënë re se nga krahu i drejtuesit të autobusit kishte një plasaritje, e cila dyshohet se mund të jetë gjuajtur në një distancë të largët me gurë. “Policia po punon për verifikimin e të gjitha rrethanave dhe zbuluar autorësinë dhe vendosjen përpara përgjegjësisë personin që ka kryer këtë veprim”, thuhet në deklaratën e policisë.
Vuçiç nuk vjen?
Agjencia Tanjug raportoi se kryeministri serb Aleksandar Vuçiç, ka shmangur pjesëmarrjen në stadiumin “Elbasan Arena” për të parë nga afër përballjen Serbi-Shqipëri. Vuçiç ka të planifikuar për nesër me një zyrtar britanik, pas të cilit ma shumë gjasë që ai te mos jetë i pranishëm në sfidën e dy kombëtareve. Vuçiç mori ftesën zyrtare nga kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij zyrtare në Tiranë.
Udhëtimi
Kombëtarja serbe mbërriti në orën 18:00 të kësaj të mërkure nën masa të rrepta sigurie në aeroportin e Rinasit. Me qindra forca policore kishin rrethuar aeroportin shqiptar për ardhjen e përfaqësueses së Serbisë, e cila ashtu si Portugalia doli nga Porta VIP, me delegacionin kundërshtar që u akomodua menjëherë në dy autobusët që ishin vënë ne dispozicion të tyre që në pistën e Rinasit.