“Shqipëria dhe Serbia po bëjnë shumë për Ballkanin.” Kështu është shprehur Kryeministri Edi Rama, në nisje të debatit televiziv në emisionin Okruzenje (Fqinjësi) në një televizion austriak, ku bashkë me homologun serb, Aleksandër Vuçiç, iu është përgjigjur pyetjeve rreth çështjeve të ndryshme në raportet mes dy vendeve, si dhe në raportet e Ballkanit Perëndimor me Europën. Gjatë debatit të zhvilluar në Vjenë, në një nga ditët e samitit të mbajtur më 27 gusht, dy liderët u zotuan se do të bëjnë më të mirën për forcimin e bashkëpunimit, sidomos për të bashkëpunimin mes të rinjve, duke i cilësuar ata një instrument me rëndësi për thellimin e raporteve dhe përshpejtimin drejt integrimit europian. Dy kryeministrat iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve dhe shoqërisë civile për projektet e përbashkëta rajonale të paraqitura në Samitin e Vjenës.
Kryeministri serb, Vuçiç u shpreh që në nisje se e pranon që serbët kanë pasur një qëndrim racist ndaj shqiptarëve, ndërsa theksoi se kjo histori duhet të ndryshojë. “Besoj se vazhdoj ta kenë. Që të mos jetë më kjo, ne duhet të njihemi. Nëse dikush thotë se kjo nuk është arsye e mjaftueshme, pra, që të fillojmë të bashkëpunojmë, ai nuk e kupton të ardhmen dhe do të vdesë me pikëpamjet naive në të kaluarën”, theksoi Vuçiç. Megjithatë, kur u pyet për “Shqipërinë e Madhe”, ai u shpreh se askush nuk do që ta shohë atë, duke kërkuar që Kryeministri Rama të tregohet më i kujdesshëm me deklaratat e tij.
Duke folur për projektet e rëndësishme infrastrukturore, Vuçiç vlerësoi autostradën Nish-Prishtinë-Durrës, si një projekt për të cilin është punuar shumë. I pyetur si mund të stimulohen të rinjtë e rajonit për të arritur tregun e punës, ai tha se ata duhet të edukohen me sipërmarrjen e lirë, por njëherësh duket një reformim i legjislacionit të punës dhe ndërlidhje e tregut të punës dhe shkollimit.
Kryeministri Rama foli për reformat e qeverisë dy vitet e fundit, duke u zotuar se reformimi politik shkon paralel me atë ekonomik. Duke e vënë theksin te bashkëpunimi i përbashkët, sidomos te bashkëpunimi i të rinjve, Kryeministri Rama tha se do të krijohet një zyrë e përbashkët, që do të krijojë shembullin e këtij bashkëpunimi, deri te të parët e ndeshjeve së bashku. “Për një top shkuam në luftë”, tha Rama, duke iu referuar ndeshjes Serbi-Shqipëri në Beograd, ndërsa shtoi se ky realitet do të ndryshojë.
Pozitive ishte përgjigjja e Kryeministrit Vuçiç ndaj ftesës së homologut shqiptar për të parë ndeshjen mes Shqipërisë dhe Serbisë në “Elbasan Arena”. “Rama më ka ftuar dhe nëse nuk do të kem një punë shumë shumë të rëndësishme, do të shkoj në Tiranë, në Elbasan, më saktë. Unë me shallin serb ngjyrë të kuqe, të bardhë e të kaltër dhe ai me shallin e tij kuqezi”. I pyetur nëse incidenti me dron mund të përsëritet, Vuçiç u shpreh: “Jam i sigurt dhe shpresoj që jo”. Ndërsa në fund shtoi: “Pas 90 minutash do të merremi vesh sesi serbët do të ndërtojnë hotele në Durrës, sesi do të eksportojnë më shumë në Shqipëri dhe sesi do të vijnë për pushime në Shqipëri.”
Përsa i përket çështjes së njohjes së Kosovës, Vuçiç tha se Serbia nuk e ndryshon qëndrimin dhe se vendet shohin dy realitete të ndryshme, por e mira sipas tij, është që po bisedohet. Mirëpo ai, – siç u shpreh se po e thoshte për herë të parë këtë – theksoi se nuk po sheh problem të serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë. Ndërsa Kryeministri Rama u përgjigj se, Kosova është një çështje mosdakordësie mes dy vendeve por shtoi se, mosdakordësia është “një aspekt që na ndan, por jo një aspekt për të mos bashkëpunuar”. Po ashtu, ai vlerësoi se, janë bërë hapa konkretë në dialogun mes Serbisë dhe Kosovës. I ashpër ishte toni i Ramës, kur u shpreh se Europës duhet t’i vijë turp ngaqë po i mbyll kufijtë Kosovës, duke mos liberalizuar lëvizjen e lirë.
Kryeministri Rama e ka vënë theksin te nevoja e madhe që vendet e Ballkanit Perëndimor kanë për t’u integruar në BE, ndërsa përsëriti kritikat e tij ndaj ngadalësisë së Unionit në qasjen e tij ndaj këtyre vendeve. Për këtë çështje, Rama dhe Vuçiç kanë ndarë një qëndrim të përbashkët. “Sa herë e kritikoj BE-në, Vuçiç më përgëzon”, tha Kryeministri ynë me humor. Dy kryeministrat e kanë vënë theksin te reformat rrënjësore dhe ndryshimi i mentalitetit.
Shefi i qeverisë shqiptare, Edi Rama dhe homologu i tij serb, Aleksandër Vuçiç zhvilluan një debat gjatë Samitit dyditor të Vjenës, i cili u transmetua për herë të parë për publikun. Debati i regjistruar në emisionin Okruzenje (Fqinjësi) ka nisur të transmetohet në orën 21:00 në TVSH, si dhe njëherësh në televizionet e rajonit. Lajmin e bëri të ditur më herët Kryeministri Rama, nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”. Debati ku dy kryeministrat folën në gjuhën e tyre u transmetua në TVSH në vendin tonë, në të njëjtën orë me vendet e tjera të rajonit: Kosovë (RTK1), Serbi (RTS 1) dhe Maqedoni (Alsat M).
/Shekulli Online/