Deklarata e Lu, Llalla: Hakmarrje sorosiane

ballalalaProkurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla është njëri nga 30 njerëzit e drejtësisë të cilëve Ambasada Amerikane u ka mohuar vizën dhe kjo mesa duket ka hapur kutinë e Pandorës.

“Si shkak për këtë veprim tërësisht në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit ka shërbyer një udhëtim për arsye shëndetësore në SHBA i bashkëshortes së prokurorit të përgjithshëm. Ky veprim i ambasadorit Lu është vijim i sjelljeve shantazhuese që ai ka prezantuar ndaj institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme. Këto presione të ambasadorit amerikan në Tiranë janë tipike Sorosiane, të cilat kërkojnë të manipulojnë opinionin publik dhe të zhvlerësojnë institucionet”, ka deklaruar Fjorida Ballauri, shefe e kabinetit të prokurorit të përgjithshëm.

Organi qendror i akuzës e akuzoi ambasadorin amerikan se lëvizjet e tij për heqjen e vizave lidhen me përfitimet personale të Donald Lu. Këto akuza Adriatik Llalla i ka bërë zyrtarisht të njohura nëpërmjet një letre presidentit të Republikës dhe kryetarit të Kuvendit. Thelbi i konfliktit, siç e paraqet prokuroria, e ka zanafillën tek reforma në drejtësi.

“Prej kohësh, zoti Lu, duke u prezantuar si nxitës i reformës në drejtësi në Shqipëri, ka kërkuar me presion që Prokuroria e Përgjithshme të mbajë qëndrime hapur pro paketës ligjore, edhe në ato raste kur projektet ligjore, siç ka rezultuar më pas nga Opinioni i Komisionit të Venecias, kanë qenë tërësisht në kundërshtim me normat kushtetuese, si edhe me respektimin e të drejtave të njeriut”, ka vijuar Ballauri.

Ajo ka theksuar se, “në komunikimet zyrtare dhe informale, ambasadori Lu ia ka bërë të qartë Prokurorit të Përgjithshëm se, nëse nuk do të mbronte publikisht ndryshimet ligjore, do të kishte pasoja personale dhe institucionale”. Por nuk është vetëm reforma në drejtësi thelbi i konfliktit mes Ambasadës Amerikane dhe Prokurorit të Përgjithshëm.

“Rasti më flagrant, i cili është i dokumentuar me shkresë zyrtare, i bërë publik edhe në media, i referohet ndërhyrjes së drejtëpërdrejtë të ambasadorit të SHBA në Tiranë në hetimin që Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier nisi ndaj kompanisë së naftës “Bankers Petroleum”. Kjo kompani akuzohej nga mediat dhe banorët e zonës ku ushtron aktivitetin se u kishte sjellë dëme të pariparueshme në pasuritë dhe shëndetin e tyre.  Për këtë rast, ambasadori Lu ka kërkuar, në kundërshtim me çdo lloj komunikimi diplomatik dhe ligjor, që hetimi të mos vijonte, pasi pasojat do të godisnin në mënyrë të drejtëpërdrejtë Prokurorin e Përgjithshëm”, ka thënë zyrtarja.

Top Channel i kërkoi informacion Prokurorisë së Përgjithshme mbi gjendjen e dosjes “Bankers”, por organi i akuzës nuk konfirmon nëse hetimet vazhdojnë, apo janë mbyllur.

Akuzat e kryeprokurorit ndaj kryediplomatit amerikan u lidhën edhe me politikën. Më saktësisht, me procesin e dekriminalizimit. Ky proces drejtohet nga Rovena Gashi, të cilës i është hequr viza amerikane pa i dhënë asnjë shpjegim, një ditë para hedhjes së shortit për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.

“Fakti që prokuroi u kërkua me urgjencë në Ambasadën Amerikane, vetëm një ditë para hedhjes së shortit për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, vlerësohet si një manovër aspak diplomatike, për të ushtruar shantazh ndaj përfaqësuesit të Prokurorisë, por edhe institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme, për interesa të segmenteve të caktuara politike që synojnë kapjen e institucioneve të drejtësisë”, ka thënë Ballauri.

Por, duke paralajmëruar furtunë në politikë për shkak të Dekriminalizimit, Prokuroria e Përgjithshme ka akuzuar ambasadorin për shantazh edhe ndaj politikanëve.

“Kjo strukturë po vijon me veprimet e saj dhe rezultatet do të prekin edhe deputetë të tjerë të Kuvendit të Shqipërisë, kryesisht persona të cilët Ambasadori Amerikan në Tiranë i ka shantazhuar publikisht dhe privatisht për të siguruar vota parlamentare për kalimin në Parlament të projektit të mbështetur prej tij për reformën në drejtësi, ku, mesazhe telefonike të dërguara nga kjo Ambasadë, janë bërë publike edhe në media”, ka shtuar Ballauri.

Gjatë mandatit të tij, kryeprokurori Adriatik Llalla ka paralajmëruar të paktën dy herë për dosje të mëdha që do të trondisnin politikën. Deri tani nuk kanë ndodhur, por këtë herë paralajmërimi i kryeprokurorit mori tone akuzuese për ambasadorin amerikan.

“Në vijim, ju informojmë gjithashtu se Ambasada Amerikane në Tiranë u ka revokuar vizën edhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë të Prokurorisë, të cilët kanë nën hetim persona me pushtet në Shqipëri, të cilët njihen publikisht si faktorë bashkëpunues të Ambasadorit Amerikan në Tiranë, zotit Donald Lu. Këta persona, të cilët gëzojnë mbështetjen e Ambasadorit Amerikan, janë pjesë e segmenteve të caktuara të politikës, por që ka dyshime që janë të lidhur edhe me botën e krimit të organizuar, të cilët po tentojnë në çdo formë për të deligjitimuar, shantazhuar dhe paralizuar institucionin e Prokurorisë”, ka shtuar zyrtarja e Prokurorisë së Përgjithshme.

/ Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>