Raportuesit e Këshillit të Europës që këto ditë kryen një mision faktmbledhës në Shqipëri, kanë dalë të mërkurën me një deklaratë ku rekomandojnë mes të tjerash kthimin e opozitës në Parlament dhe vazhdimin e reformave, me theks të veçantë tek ajo në drejtësi.
Për eurodeputetët Andrej Hunko dhe Joseph O’Reilly, bojkotimi i Parlamentit nuk mund të konsiderohet në asnjë rrethanë një strategji politike korrekte.
“Parlamenti është vendi i duhur ku forcat politike duhet të angazhohen në dialog dhe të përpiqen të gjejnë zgjidhje për situatën e krijuar”, thuhet në deklaratë.
Në dokumentin në fjalë nënvizohet se, Shqipërisë i duhen si mazhoranca ashtu edhe opozita për të çuar përpara procesin e reformimit. “Prandaj, çdo bojkot do të ketë pasoja negative dhe serioze për vendin”, vijon deklarata.
Duke u ndalur tek ajo në drejtësi, dy raportuesit vlerësojnë se situata politike mund të komplikojë përpjekjet për një sistem gjyqësor efikas kundrejt ndërhyrjeve politike, gjykimit të rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Vettingu gjyqësor është i një rëndësie parësore për të krijuar një gjyqësor të pavarur dhe është thelbësore që procesi të vazhdojë pa vonesa. Ndaj, të gjitha palët duhet të përmbahen nga pengimi i këtij zhvillimi të rëndësishëm”, vijon deklarata.
Nga ana tjetër, bashkëraportuesit e konsiderojnë jetike që ligji i Dekriminalizimit të implementohet me shpejtësi, pasi pastrimi i administratës publike nga elementë me rekorde kriminale është jetike për zgjedhjet e ardhshme të qershorit.
Në këtë drejtim, deklarata vë në dukje se, është e nevojshme që të gjitha forcat politike të angazhohen në përgatitjen e procesit elektoral, në mënyrë që zgjedhjet të zhvillohen sipas parashikimeve kushtetuese.
“Përsërisim se problemi kryesor sa i takon zgjedhjeve në Shqipëri është mungesa e vullnetit politik në radhët e partive të mëdha për të implementuar Kodin Zgjedhor me mirëbesim dhe dëshira e tyre për të politizuar administratën elektorale”, vijon deklarata e raportuesve.
/ Top Channel