Shumica dhe opozita duket se janë shumë pranë arritjes së një marrëveshje për aktet normative të nevojshme për vënien në zbatim të ligjit
Në Shqipëri, shumica dhe opozita duket se janë shumë pranë arritjes së një marrëveshje për aktet normative të nevojshme për vënien në zbatim të ligjit të ashtuquajtur të dekriminalizimit, i cili u miratua nga parlamenti dhjetorin e shkuar.
Pas bisedimeve të gjatë të nisura që pasditen e së mërkurës duket se pengesat kryesore janë kapërcyer. Madje deputeti socialist Taulant Balla, që së bashku me deputetin demokrat Oerd Bylkbashi, ka qenë protagonist i bisedimeve dypalëshe I konsideroi ato të mbyllura. “Kemi rënë dakort për të gjitha dhe ajo që ka ngelur është që kërkohet një mendim mbi ato që është dakortësuar nga ana e PD”, u shpreh zoti Balla.
Por më i matur është kryetari I parlamentit Ilir Meta. “Mendoj se konsensusi është pothuajse i arritur. Ne kemi punuar mbrëmë për një kohë të gjatë, sikurse ju e keni raportuar dhe ka patur një përafrim mjaft të gjerë. Sot është punuar gjatë gjithë ditës dhe mendoj se është momenti i duhur nesër për të përmbyllur këtë vendim. Pra, miratimin e tij në zbatim të ligjit për dekriminalizimin, pasi kemi edhe një afat kohor, që ky ligj duhet të hyjë në fuqi dhe të fillojë zbatimin e tij në mënyrë të plotë”, deklaroi kryetari i parlamentit Ilir Meta.
Në fakt edhe përfaqësuesi demokrat Bylykbashi nuk foli për një proces tërësisht të përfunduar. “Pres që nesër të kemi një përmbyllje të procesit”, nënvizoi ai ndërsa shpjegoi se ““Janë disa çështje që kanë të bëjnë me mekanizmat që funksionon procesi i verifikimit”
Palët kanë mbyllur modelin e formularit të vetdeklarimit, ku secila kishte një variant të sajin. Duket se ai i dakortësuar është më afër atij të demokratëve, të cilët kanë dhe një kërkesë tjetër, ndryshimin e propozuar në të ashtuquajturin ligj për dekrimnalizimi ku të parashikohet pezullimi nga parlamenti i deputetëve të arrestuar në flagrancë për vrasje apo tentativë vrasje, i kundërshtuar nga shumica. Por sipas kryetarit të parlamenti Meta, urgjente janë plotësimi i akteve, pasi nga data 6 mars, ligji duhet të jetë plotësisht efektiv. Sipas tij, propozimi I demokratëve “mund të diskutohet në çdo kohë siç e parashikon Rregullorja e Kuvendit, por të mos e zhvendosim debatin nga një detyrim imediat që Kuvendi ka edhe për shkak të një afati kohor, në çështje të tjera, pasi Kuvendi ka për detyrë të respektojë afatet dhe detyrimet e tij në zbatim të këtij ligji. Ne, respektojmë çdo kërkesë të drejtë dhe konstruktive të opozitës, por çdo kërkesë duhet të ecë në shinat e rregullores konsensuale”, nënvizoi zoti Meta.
Punimet e parlamentit gjatë ditës së djeshme u pezulluan në pritje të arritjes së konsensusit për aktet normative të dekriminalizimit. Seanca është thirrur sërish nesër paradite në përpjekje për t’I dhënë një zgjidhje përfundimtare kësaj cështjeje. (voa)