Dekriminalizimi prek dy deputetë dhe kryebashkiakun e Kavajës

Në Shqipëri, dy deputetë dhe një kryetar Bashkie pritet të humbasin mandatin e tyre në kuadër të të ashtuquajturit ligj për Dekriminalizimin. Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se ka konstatuar se deputeti i Partisë Demokratike Dashamir Tahiri, ai i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim Shkëlqim Selami dhe kryetari i Bashkisë së Kavajës Elvis Rroshi, përfaqësues i Partisë Socialiste “janë në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksioneve” që kryejnë. Vendimi përfundimtar për heqjen e mandateve të tyre pritet tani të merret nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve.

Për deputetin Dashamir Tahiri, prokuroria deklaroi se pas hetimeve të thelluara nuk ka deklaruar në formularin për Dekriminalizimin thë dhënat se “në vitin 1995 është raportuar nga policia në Foggia për krime lidhur me falsifikimin e parave; Në vitin 2009 është dënuar nga Gjykata në Ravena (për të vuajtur 9 muaj burgim) për përdorim të një leje drejtimi shqiptare të falsifikuar” dhe se “ është kontrolluar disa herë nga policia”.

Për deputetin tjetër të LSI-së Shkëlqim Selami, rezulton se ndaj tij ka patur “një masë sigurimi ‘arrest me burg’, nxjerrë nga ana e gjykatës së Brindizit, si i dyshuar për pjesëmarrje në organizatë kriminale që merrej me “Trafikim të qënieve njerëzore”. Masa ndaj tij është dhënë në vitin 1994 dhe është ekzekutuar në vitin 2006. Në kuadër të kësaj mase, ai ka qëndruar një javë në paraburgim në Brindizi dhe më pas është lënë i lirë, në vijim të hetimit”.

Një listë më e gjatë të dhënash të fshehura është zbuluar për kryetarin e Bashkisë së Kavajës Elvis Rroshi. Bëhet fjalë për “një dënim për veprën penale të përdhunimit në grup”, në vitin 1995 në Itali. Nuk ka deklaruar përdorimin e disa emrave në Zvicër. Në prill 1993 ka hyrë në mënyrë të paligjshme në shtetin zviceran dhe ka kërkuar azil, 14 maj 1993, është ndaluar nga policia e Zyrihut për një rast droge dhe është dëbuar 4 muaj më vonë. Në korrik 1997 ka hyrë përsëri në mënyrë të paligjshme dhe ka kërkuar azil. Në gusht 1997 është dëbuar sërish”. Rroshi madje rezulton që në vitin 2015 të ketë qenë nën hetim, me një nga emrat e ndryshëm që ka përdorur, dhe të Agjencisë amerikane të luftës kundër drogës, DEA. Sipas prokurorisë “në vitin 2015 DEA , ka informuar autoritetet zvicerane se po hetonin një shtetas të quajtur Enver Rroshi për trafik droge dhe pastrim parash”.

Kryebashkiaku i Kavajës, ishtë vënë prej kohësh në shënjestër të akuzave për të kaluarën e tij. Në Maj ai dha dorëheqjen pasi u bë publik vendimi i dënimit të tij për “përdhunim në grup”. Kryeministri Edi Rama e kishte mbështetur publikisht atë ndaj lumit të akuzave. Por pas dorëheqjes, kreu i qeverisë reagoi duke deklaruar se “gjithkush që ka një dënim gjykate me heqje lirie, nuk e ka dot mbështetjen e Partisë Socialiste për të kandiduar për çfarëdoqoftë apo qëndruar në një detyrë publike që ka”. Megjithatë ai nuk shkoi më tej se kaq, dhe nuk firmosi shkarkimin e Rroshit i cili më pas u tërhoq nga ideja e largimit vullnetar nga detyra, ndonëse në qershor do të arrestohej. Në muajin Tetor, me vendim Gjykate atij ju hoq “arresti shtëpiak”, ndërkohë që hetimi ndaj tij vazhdon. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>