Grupi parlamentar socialist i ka paraqitur kryetarit socialist të Parlamentit, Gramoz Ruçi, disa propozime për ndryshimin e rregullores.
Propozimet e socialistëve fusin shprehimisht termin prova. Pra, Prokuroria duhet ta dorëzojë relacionin e arsyetuar, të shoqëruar me prova.
Ky debat i provave doli gjatë kërkesës për arrestimin e Saimir Tahirit. Socialistët kërkuan që Prokuroria t’i provonte Kuvendit fajësinë, kurse demokratët thanë se Kuvendi nuk është gjykatë ndaj mjaftonte dyshimi i arsyeshëm për të lejuar arrestimin e deputetit.
Propozimet e reja të socialistëve i njohin gjithashtu të drejtën deputetit që t’i bëjë pyetje Prokurorisë gjatë shqyrtimit të kërkesës dhe të paraqesë shpjegimet e tij.
Gjë që realisht ndodhi në rastin “Tahiri”, kur ishte deputeti që praktikisht mori në pyetje prokurorët. Propozimet e reja reduktojnë kohën e hartimit dhe të paraqitjes në seancë të raportit të Këshilli për rregulloren, mandatet dhe imunitetin.
Ajo që ndodh në seancë shton një element të ri: Rregullorja sot parashikon që raporti i këshillit nuk është objekt diskutimi. Por propozimet e reja të socialistëve fusin mundësin për debat. Kurse votimi, i cili sot është i fshehtë, propozohet të bëhet I hapur.
Pra, deputeti mund ta dijë se kush prej kolegëve ka votuar pro apo kundër arrestimit të tij. Për ta ndryshuar rregulloren duhen të paktën 71 vota, të cilat grupi socialist i ka. Ndonëse ndryshimi i rregullave të përbashkëta të lojës në përgjithësi është bërë me konsensus.