Palët menduan se kishin gjetur kompromisin, por kuptuan se nuk ishte kjo e përbashkëta, thotë eurodeputeti gjerman, Knut Fleckenstein për ngërçin politik në Shqipëri, përpjekjen për ujdi e dështimin e kompromisit.
DW: Zoit Fleckenstein çfarë menduat sot kur u zgjuat pasi patë zhvillimet në Shqipëri, apo ishit informuar që dje?
Knut Fleckenstein: E di që dje në darkë dhe kam qenë deri sot në mëngjes në kontakt të vazhdueshëm telefonik me kolegët, me komisionerin Hahn. Nga distanca duket e vështirë të gjykosh, po qe se nuk do të jesh i padrejtë, por duket se të gjithë kanë besuar se kishin një rezultat të përbashkët dhe në fund kuptuan se sërish nuk ishte ajo e përbashkëta ajo që kishin arritur.
Nuk e lexuan mirë kompromisin politikanët shqiptarë, apo ku ishte problemi?
Arsyet ishin fillimisht tek i ashtuquajturi procesi i vetingut, çfarë roli kanë vëzhguesit ndërkombëtarë në procesin e përzgjedhjes së atyre që zgjedhin gjykatësit, për këtë u ra dakord, po ashtu nëse vëzhguesit ndërkombëtarë e refuzojnë një kandidaturë, si duhet ata ta argumentojnë këtë, pasi kjo u zgjidh, të gjithë kishim ndjesinë se pengesat e fundit u kaluan, por duket se Partia Demokratike i ka dhënë rëndësi faktit që kjo të aplikohej edhe në proceset e tjera të emërimit.
Nuk ishte sqaruar kjo më parë, pra përzgjedhja e anëtarëve të rinj të institucioneve si Këshilli i Lartë i Gjyësorit e Këshilli i Lartë i Prokurorisë?
Kjo ishte sqaruar fillimisht, që duhej të funksiononte në bazë të një sistemi tjetër, por PD-ja ka pasur përshtypjen se e kishte bërë të qartë se kjo që u negociua, vlen për të gjitha institucionet. Më duket se është e vështirë të kuptohet për njerëz normalë.
Një rrugë e vështirë e mundimshme për një kompromis? Pse kjo situate, ku qëndron fajtori?
Le të presim se çdo të arrijë të bëjë sot parlamenti, është e vështirë të gjesh një fajtor, por bie në sy se opozita, gjithmonë kur është menduar se gjithçka u vu në vijë, sjell diçka të re në tavolinë.
Konferenca e kryetarëve të enjten në mëngjes nuk gjeti zgjidhje, duket se edhe LSI-ja mbështet qëndrimin demokrat, megjithëse thotë se do t’i japë votat për reformën…
Edhe unë e kam dëgjuar këtë, duket se ata janë të mendimit, që në fund kishin rënë në ujdi që procedurat do të jenë të njëjta për të gjitha proceset e emërimit, por nuk ka qenë asnjë nga BE aty, kur ata në fund i biseduan këto gjëra, prandaj nuk mund të jap informacion se cila është e vërteta. Procesi ka qenë kaq i vështirë dhe i mundimshëm. Ekspertë europianë, amerikanë, Komisioni i Venecias, të gjithë kanë punuar për këtë, besoj se edhe nëse nuk ka dakordësi për ndonjë detaj, ujdia e përgjithshme duhet të jetë kaq e madhe, saqë kush e do këtë reformë vërtet, thotë Po.
Një nga kërkesat e demokratëve ishte që reforma nuk duhet të prekë sovranitetin e institucioneve, pika e debatit këtu ishte Operacioni Ndërkombëar i Monitorimit. E shikonit ju sovranitetin të rrezikuar?
Jo aspak, këtë e tregon edhe kompromisi që u arrit. Kjo është asistencë në një vend, ku drejtësia përcaktohet nga politika, pra të kesh nga jashtë njerëz neutralë që ndikojnë në këtë proces, me qëllim që të bëhet i mundur vërtet një fillim i ri. Nuk flasim për një demokraci të gjatë, të forcuar, por për një vend që përpiqet shumë, së paku disa, të riformësohet në një demokraci të fortë, ku drejtësia nuk është top në duart e politikës.
Domethënë besimi tek pala shqiptare mungon, se mund ta bënte këtë reformë e vetme ashtu si duhet…
Besoj se ne nga jashtë mund të ofronim një asistencë të mirë, çështja nëse sovraniteti kufizohet merr përgjigjen jo. Kjo sepse vetëm nëse parlamenti shqiptar thotë Po, kjo asistencë do të pranohet. Nëse parlamenti thotë jo, atëherë kjo mbaron.
Nëse Parlamenti Shqiptar e voton reformën, a mundet që Shqipëria të hapë negociatat në vjeshtë?
Nëse do të flisnim për Parlamentin Europian është e vetëkuptueshme, që Komisioni do t’i propozojë Këshillit që t’i fillojë sa më shpejt bisedimet e anëtarësimit. Nëse nuk arrihet shumica për këtë reformë sot, sepse ka kritika për këtë apo atë pikë, atëherë kjo nuk do të jetë më e mundur kaq shpejt.
Nëse kemi një Jo, prisnin zgjedhje të reja në Shqipëri, siç flitet?
Ka mundësi për të cilat nuk dua të spekuloj tani. Zgjedhje të reja ka vetëm, nëse një qeveri nuk është më e aftë të funksionojë, kjo varet nga dy partnerët qeveritarë. Por në rast tjetër, ose duhet pyetur populli me referendum, ose duhen vazhduar negociatat, deri sa të gjendet konsesusi në Parlament.
Si e shihni Shqipërinë nga larg, kaq shumë përpjekje, kaq shumë mundim për kompromis, ju jeni angazhuar shumë këto kohë…
Kam filluar ta dua këtë vend. Kam njohur kaq shumë njerëz, jashtë politikës që duan të japin kontributin e vet në vend. Shoqëria civile po fillon të zhvillohet. Kam njohur deputetë, jo vetëm në një parti, por në disa që e duan vërtet ndryshimin, prandaj ia vlen mundimi të ndihmosh këtë vend, popullin e këtij vendi që të ketë një jetë më të mirë.