Negociatat mes qeverisë dhe opozitës, me ndërmjetësimin e Parlamentit Europian, nuk ia dolën që të ulnin bashkë në një tryezë dialogu Edi Ramën dhe Lulzim Bashën.
5 orët e negociatave ishin intensive, por pa produkt të përbashkët. Takimi i parë i David McAllister nga e djathta dhe Knut Fleckenstein nga e majta e Parlamentit Europian, ishte me bashkëkryetarët e koalicionit qeveritar, Edi Rama dhe Ilir Meta. Ata janë njohur me një dokument që synonte përmirësimin e standardit të zgjedhjeve, por që nuk përfshinte si pikë kërkesën e opozitës për qeverinë teknike.
Burime pranë qeverisë i thanë Top Channel se mazhoranca e ka vlerësuar dokumentin si një bazë të mirë për dialog me opozitën dhe se do të ishte e gatshme të diskutonte me të në një tryezë dialogu.
Burime të tjera, që e kanë parë dokumentin, bënë të ditur për Top Channel se ai përmban disa çështje që janë menduar se i japin besueshmëri procesit zgjedhor. 3 prej tyre janë drejtimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga opozita, ndryshimi i disa drejtuesve të policisë, si dhe ndryshimet në Kodin Penal për të ashpërsuar dënimin për shitblerjen e votës.
Por, për opozitën ky dokument nuk ishte një zgjidhje. Burime nga opozita thanë për Top Channel se ndërmjetësuesit europianë informuan se dokumenti është hartuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian dhe prezenca e OSBE-së dhe kanë kërkuar të mësojnë pozicionin e opozitës, nëse ai përbën një bazë për dialog.
Të njëjtat burime thanë se kryetari Lulzim Basha është shprehur se e vetmja bazë për dialog është qeveria teknike dhe mandati i saj. Pas marrjes zyrtarisht të kësaj kërkese të opozitës, negociatorët janë ulur me palët në të njëjtin vend, tek Pallati i Kongreseve, në të njëjtin orar, në orën 19:00 të mbrëmjes së të martës, por në formate të veçanta. Europiani i djathtë McAllister me opozitën dhe europiani i majtë Fleckenstein me qeverinë. Takimi i opozitës zgjati më pak se 30 minuta, sepse burimet thanë se fokusi ishte kërkesa e opozitës për qeverinë teknike. Lulzim Basha nuk dha detaje.
Burime të Top Channel thanë se në takimin e dytë me McAllister, opozita ka mbrojtur qëndrimin se negociatat nisin vetëm me formimin e qeverisë teknike si pika e parë e diskutimeve të tryezës së dialogut. Pala e qeverisë doli më vonë nga takimi, ndoshta pasi është përcjellë zyrtarisht kërkesa e opozitës. Që, mesa duket, nuk është pranuar, por kryeministri Edi Rama nuk dha një përgjigje të qartë.
Ilir Meta ishte edhe më hermetik. Ai përsëriti disa herë vetëm një shprehje që nuk përcillte optimizëm: “Nuk kam koment”.
Dhe me të njëjtën heshtje u larguan edhe negociatorët. David McAllister foli vetëm sa për të thënë se qëndrimi i tyre do të bëhej i njohur nëpërmjet një deklarate.
Ndërsa pritej deklarata e negociatorëve, burime nga mazhoranca i pohuan Top Channel se dështimi o negociatave e prodhoi një rezultat, ndoshta jo zgjidhje, por zgjedhje në 18 qershor, edhe pa opozitën.
/ Top Channel