DIHA: Shqipëria ka përmirësuar klimën e biznesit

DIHAShoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë prezantoi në Shqipëri rezultatet e një anketimi mbi biznesin. Përmirësime ka, por kërkohet më shumë kualifikim i fuqisë punëtore.

DIHA-Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri – është zëri i biznesit gjerman në Shqipëri. Rezultatet e një anketimi me kompanitë anëtare të DIHA, të kryer në muajt e parë të këtij viti, të prezantuara në një konferencë për shtyp, të zhvilluar të hënën (07.05)  në selinë e amabasadës gjermane në Tiranë, tregojnë që klima aktuale e biznesit në Shqipëri ka marrë një notë më të lartë se një vit më parë. Sipas tyre, 75 % e kompanive të anketuarve e kanë vlerësuar situatën ekonomike aktuale si të “mirë”ose “kënaqshëm”. Ndërsa situata për vetë bizneset shënon një rënie prej 8 % në krahasim me një vit më parë.

Barra tatimore dhe administrate publike – faktorë pengues për investimet e huaja

Harmut Jarosch, Drejtor Ekzekutiv i DIHA që prezantoi të dhënat e anketimit lidhur me nivelin e tërheqjes së invetitorëve të huaj për të investuar në Shqipëri thekson: “Kostoja e punës, produktiviteti, motivimi, kualifikimi, disponueshmëria e punonjësve si edhe fleksibiliteti në të drejtën e punës kanë marrë më shumë vlerësim sesa një vit më parë. Vlerësim më të ulët  kanë marrë barra tatimore, sistemi dhe administrata tatimore ”, theksoi  Harmut Jarosch. Anketimi tregon se 77 % e kompanive të anketuara  do të investonin përsëri në Shqipëri. Për qëndrueshmërinë e investimeve,  Shqipëria renditet para Maqedonisë, Kosovës, Kroacisë dhe Letonisë.

Forca e punës në Shqipëri me kualifikim të pamjaftueshëm

Anketimi i DIHA i ka kushtuar vëmendje edhe nivelit të përgatitjes së forcës së punës në Shqipëri për t‘iu përgjigjur nevojave të kompanive.  Vetëm 11% e të anketuarve mendojnë se niveli i përgatitjes se tyre i përgjigjet kërkesave të kompanive,  64 % mendojnë se niveli aktual i arsimimit është “pjesërisht “në përputhje me kërkesat e kompanive dhe 25% mendojnë që ai nuk u përgjigjet. Shumica e të anketuarve, 75% e tyre, mendojnë se kompanitë duhet të ofrojnë trajnime profesionale në përputhje me nevojat e kompanive.

Bizneset gjermane në Shqipëri- pritshmëri për  të rritur të ardhurat e tyre.

Përmirësimi i klimës së biznesit ka rritur pritshmëritë për rritje të të ardhurave të biznesit për kompanitë  gjermane dhe kompanitë që janë anëtare të DIHA në Shqipëri. Rezultatet e anketimit tregojnë se 56 % e kompanive të anketuarva presin rritje të të ardhurave dhe 33 %  e tyre mendojnë se niveli i të ardhurave do të jetë i njëjtë me atë të një viti më parë. Por gadishmëria e kompanive për të rritur numrin e punonjësve është rritur nga 31 % vitin e kaluar në 39% këtë vit. 47 %  e të anketuarve  nuk planifikojnë ndryshime në numrin e të punësuarve në kompanitë e tyre. Vetëm 14% e të anketuarve presin të shkurtojnë numrin e punonjësve.

Anketim në  Rajonin e Europës Qendrore dhe Jug-Lindore

Anketimi i DIHA në Shqipëri është pjesë e anketimeve të njëjta online në gjithe rajonin e Europës Qendrore dhe Jug- Lindore mbi klimën e biznesit dhe investimeve. Në këtë anketim morën pjesë përfaqësitë gjermane të tregtisë në gjithë Europën Qendrore dhe Jug-Lindore dhe 1.421 kompani nga të cilat 38 ishin nga Shqipëria. DIHA përfaqëson interesat  e biznesit gjerman në Shqipëri dhe kryen shërbime këshillimi për kompanitë gjermane dhe shqiptare në kërkime tregu. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>