Rreth 30 mijë fëmijë do të ulen sot për herë të parë në bankat e shkollës, duke nisur një fazë të re e të gjatë në jetën e tyre. Ndërkohë, e hëna shënon fillimin e vitit të ri shkollor edhe për 489 mijë nxënës dhe 36 mijë mësues në të gjithë vendin.
Por me nisjen e vitit të ri shkollor Tirana është përballur me një trafik të rënduar. Kryebashkiaku Erion Veliaj planifikoi një plan për ditën e parë të shkollës për nxënësit e 9-vjeçareve dhe gjimnazeve, i cili duket se nuk është zbatuar.
Në orët e para të mëngjesit (07:00-08:00) rrugët kryesore të kryeqytetit ishin pothuajse të bllokuara nga vargu i makinave.
Të “stresuar” në këtë ditë nuk ishin vetëm fëmijët me prindërit, por edhe qytetarët e tjera të cilët u bllokuan në trafik për shkak të ngarkesës.
Bashkia e Tiranës lëshoi urdhrin e ri më 11 shtator për t’i mundësuar qarkullim të lehtë nxënësve që duhet të nisin shkollën në orën 08:00 .
Sipas urdhrit të kryetarit Veliaj, gjatë ditës ndalohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë dhe të furgonave të transportit në unazën e vogël të Tiranës. Duket se ky urdhër nuk është zbatuar, pasi në rrugët brenda Unazës u vërejtën furgona, të cilët ndoshta nuk ishin vënë në dijeni për urdhrin e ri.
Ndërkohë sipas Ministrisë së Arsimit, këtë vit do të garantohet transporti për 32 mijë nxënës, të cilët e kanë shkollën mbi 2 kilometra larg vendbanimit, si dhe transporti për 12 mijë mësues që punojnë mbi 5 kilometra nga vendbanimi.
Ndryshe nga shkollat e tjera në vend, në “Shkollën e Kuqe” nxënësit bojkotuan mësimin, pasi së bashku me prindërit kundërshtuan vendimin për të vendosur “Italishten” si gjuhë e parë e huaj pa u konsultuar më parë me ta.
Të gjithë fëmijët, që vitin e ardhshëm do jenë të ulur në bankat e shkollës fillore, sot nisën përgatitjen në parashkollor. Bashkë me nxënësit e 9-vjeçareve dhe të gjimnazeve, nisën mësimin edhe parashkollorët.
Kufizimet e qarkullimit të makinave në brendësi të Unazës së Vogël
Plani i lëvizjes së automjeteve në qytetin e Tiranës përfshin kufizim 24 orë i mjeteve në brendësi të unazës së vogël, përveç veturave, urgjencave, zjarrfikësit dhe autobusëve urban
Gjatë orëve të ditës do të ndalohet qarkullimi i të gjitha mjeteve që furnizojnë dyqanet, marketet apo supermarketet me mallra të ndryshme. Subjektet tregtare mund të kryejnë veprimtarinë e tyre furnizuese nga ora 20.00 e mbrëmjes deri në orën 06.00 të mëngjesit.
Ndërsa nga ora 6.00-20.00 do ndalohet qarkullimi i mjeteve me ngarkesë të përgjithshme mbi 3.5 ton (në Unazën e mesme të qytetit, në brendësi të saj, si dhe në rrugët Sulejman Delvina, Abdyl Frashëri, Ismail Qemali, Elbasanit dhe Blv. Bajram Curri).
Po ashtu nga ora 6.00 – 20.00 ndalohet qarkullimi i mjeteve me ngarkesë të përgjithshme mbi 18 ton (në brendësi të unazës së madhe të qytetit, si dhe në akset kryesore hyrëse në të).
Nga ora 6.00 – 20.00 ndalohet qarkullimi i mjeteve me ngarkesë të përgjithshme deri në 25 ton (në akset kryesore hyrëse në qytet).
/Shekulli Online/