Deputetja e PDIU-së me 8 deputetë, e njohur si “Partia e Çamëve”, e krahasoi gjendjen në Luginë të Preshevës me genocidin grek në Çamëri, pa lënë mënjanë brengën për shqiptarët në shtetin maqedonas
Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet kërkoi bashkimin kombëtar pavarësisht formës dhe rrugës që duhet të ndiqet.
Deputetja Mesila Doda tha se pa krijuar shtetin-komb shqiptar qoftë edhe federativ, Ballkani nuk do të jetë kurrë i paqtë.
Ajo tha se kudo ku jetojnë shqiptarët, është Shqipëri dhe jo vetëm në shtetin politik “Shqipëri” dhe kufijtë e tij administrativë.
Zonja Doda foli në Këshillin Kombëtar të Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet të nënkryetarit të Kuvendit, Shpëtim Idrizi.
Për qëndrimin ndaj Republikës së Kosovës, deputetja Doda Demi kritikoi Shqipërinë dhe ndërkombëtarët duke e quajtur “turp” dhe barazim të viktimës me agresorin në rastin e krijimit të Gjykatës Speciale.
Ajo e krahasoi gjendjen në Luginë të Preshevës me genocidin grek në Çamëri, pa lënë mënjanë brengën për shqiptarët në shtetin maqedonas.
E përfaqësuar në Kuvend me tetë deputetë, Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, njihet ndryshe si “Partia e Çamëve”, shqiptarë e krahinës jugore etnike të Shqipërisë, Çamëri të aneksuar nga Greqia pas Konferencës së Londrës 1913. (Denion Ndrenika)