Ditën e sotme, kryeministri Edi Rama, kryetari i Kuvendit Ilir Meta dhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, janë ulur në një tryezë për të diskutuar mbi “Korrupsionin zgjedhor”.
Mësohet se, presidenti i vendit Bujar Nishani ka konfirmuar se nuk do të marrë pjesë në konferencë.
Gjithashtu, në këtë konferencë të organizuar nga Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë, me temë “Korrupsioni zgjedhor, nevoja për një reformë elektorale të thelluar dhe gjithëpërfshirës”, janë të pranishëm edhe ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu dhe Romana Vlahutin, ambasadorja e BE-së.
Gjatë fjalë së tij, ambasadori amerikan Donald Lu e cilësoi mjaft të rëndësishëm dialogun mes palëve për reformën zgjedhore. “Për të arritur reformë të vërtetë, duhet të bëhet edhe më shumë”, tha Lu.
Ambasadori amerikan kërkoi nga liderët politikë që të mos vendosin në listat zgjedhore emrat e personave të korruptuar apo të inkriminuar, duke e quajtur mjaft të rëndësishëm edhe zbatimin e ligjit të dekriminalizimit.
“Udhëheqësit duhet të bëjnë më shumë për të larguar politikanët e korruptuar dhe me lidhje kriminale, mos t’i vendosin fare emrat e tyre në fletën e votimit. Miratimi i ligjit të dekriminalizimit ishte hapi i parë i rëndësishëm, dhe është po aq i rëndësishëm zbatimi i plotë i tij. Votuesit kanë nevojë që të marrin përgjegjësi për të mos pranuar para për votën e tyre dhe për të mos votuar kriminelë”, tha Lu.
Gjithashtu, ai vuri theksin edhe në transparencën e financave partiake, ku përmendi hapin e ndërmarrë nga Lëvizja Socialiste për Integrim.
“Partitë politike kanë nevojë të marrin seriozisht detyrimin për të siguruar financat transparente partiake. Kemi parë një parti që ka bërë të ditur planin për transparencë të financave të saj. Nxisim të gjitha partitë politike të prezantojnë auditin e financave të partive dhe fushatave të tyre dhe t’i bëjnë publike deklaratat e pasurive të të gjithë kandidatëve”, theksoi Lu.
Donald Lu e mbylli fjalimin e tij me shprehjen: “Shqiptarëve dhe amerikanëve u pëlqen të ankohen për politikanët e tyre. Ne mund të ankohemi sa të duam, po nga një demokraci ne jemi përgjegjës për politikanët që zgjidhen”.
(10:19) Rama: Në zgjedhjet e 2009-s dhe 2011-s u pengua transparenca
Në fjalën e tij, kryeministri Rama tha se është meritë e kryetarit të Kuvendit që çeli nisjen e diskutimeve dhe i hapi rrugë komisionit të reformës zgjedhore.
Rama u shpreh se, “duhet të shkëputemi nga kthetrat e së kaluarës, me zgjedhje si ato të vitit 2009 dhe 2011”. “Rruga drejt përsosjes nuk ka mbarim, por për realitetin në Shqipëri ka ende shumë vend për korrigjime. Problemet kanë ardhur duke u tkurrur, por vazhdojnë të jenë të pranishme në çdo zgjedhje”, shtoi kryeministri.
Sipas tij, në zgjedhjet e vitit 2009 dhe 2011 u pengua në mënyrë brutale transparenca. “Situata ka filluar të ndryshojë. Proceset zgjedhore të viteve 2015 dhe 2013 janë të gjithëpranuara nga vetë zgjedhësit”, tha Rama.
Ai ka nënvizuar më tej se aleanca qeverisëse PS-LSI është e interesuar për adresimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it dhe në këtë drejtim ka theksuar se i rëndësishëm është edhe konsensusi me opozitën.
“Reforma e re zgjedhore do të sillte shumë gjëra pozitive nëse do të kishte konsensus për të. Konsensusi është i domosdoshëm pasi nuk mund t’i privohet asnjë pale mundësia që të hyjë në lojë me rregulla të barabarta”, ka thënë Rama.
Në këtë tryezë, kreu i opozitës Lulzim Basha bëri publik parakushtin e tij për reformën zgjedhore. Edhe pse kreu i Kuvendit bëri të ditur se komisioni i reformës do të miratohet më 28 janar, Basha kërkoi që reforma të hartohet nga një qeveri teknike.
Duke përmendur herë pas herë se nuk është çështje ligji, por vullneti politik, kreu i demokratëve kërkoi pastrimin e listave të ardhshme zgjedhore, duke e konsideruar parlamentin aktual si më të inkriminuarin në 25 vite demokraci në Shqipëri.
“Dekriminalizimi, i cili pret akoma aktet nënligjore që uroj të miratohen së shpejti, për t’i hapur rrugë zbatimit të këtij ligji. Por është vetëm një gjysmë hapi, sepse nëse viti 2008 solli një sistem që fuqizoi krerët e partive politike nën parimin se do të ishte kështu më e lehtë të diktohej cilësi më e latë e kandidimit, ky parim u tradhtua dhe prodhoi për rrjedhojë parlamentin më të inkriminuar në historinë e pluralizmit. Spastrimi i listave me ligj do të mbetet i pamjaftueshëm nëse vullneti politik i liderëve që caktojnë listat zgjedhore do të çojë që në vend të personave me rekorde kriminale, profesorë etj”, tha më tej kreu i PD-së.
Më pas, fjalën e mori kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i cili u shpreh se ka bërë vetëm detyrën kur ka ndërmarrë nismën për fillimin e punës për impelementimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it.
“Shpresoj se do të kemi kohën dhe vullnetin politik që të përfundojmë këtë reformë para zgjedhjeve të vitit 2017”, ka thënë Meta. Gjithashtu, kreu i LSI-së ka nënvizuar se kjo reformë duhet të realizohet në kohën e duhur, duke u lënë të gjithë faktorëve të përfshirë kohën që i nevojitet.
“Kjo reformë po zhvillohet në një kohë kur ne besojmë se me përpjekje të përbashkëta do realizojmë edhe reformën në drejtësi. Këto reforma po i bëjmë më partnerët tanë, SHBA, BE dhe OSBE, që na kanë ndihmuar historikisht”, ka thënë Meta.
Ndërkohë, duke komentuar zgjedhjet e zhvilluara ndër vite, kryetari i Kuvendit ka vlerësuar se nga njëri proces në tjetrin ka pasur progres, por korrupsioni zgjedhor sipas tij vazhdon të jetë i pranishëm.
“Ne kemi probleme serioze që duhet të adresojmë për zgjedhjet dhe dekriminalizimi është një element që do të na ndihmojë në këtë drejtim. Gjithashtu, duhet të krijojmë një sistem sa më transparent”, ka thënë Meta.
“E rëndësishme është edhe të pranojmë humbjen dhe të mos nxjerrim justifikimin e radhës. Më i rëndësishëm është mesazhi pozitiv për qytetarin”, ka shtuar kreu i LSI-së.
/Shekulli Online/