Pas deklarimeve për të ankimuar në Kushtetuese ligjin për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ambasadori amerikan deklaron se PD rrezikon të bëhet ajo parti që populli shqiptar beson se po mbron të korruptuarit
Në Shqipëri ambasadori i Shteteve të Bashkuara Donald Lu tha se Partia demokratike po rrezikon të shihet si një forcë e rreshtuar në mbrojtje të gjykatësve dhe prokurorëve të korruptuar. Gjatë një bashkëbisedimi me disa studentë të Gazetarisë të cilët po ndjekin kursin e Gazetarisë investigative, ambasadori Lu ai nënvizoi se deklarimet e opozitës për të çuar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Rivlerësimin e gjykatësve dhe prokurorëve. “Është e drejta kushtetuese e opozitës ta ankimojë ligjin në Gjykatën Kushtetuese apo të bojkotojë mbledhjet e mëtejshme të komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi. I kemi thënë udhëheqjes së Partisë Demokratike se rrezikojnë të bëhen ajo parti që populli shqiptar beson se është kundër kësaj reforme dhe se po mbron gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, ose gjyqtarë e prokurorë tek të cilët kanë ndikim politik”.
Ligji tanimë është botuar në fletoren zyrtare, pasi presidenti Bujar Nishani zgjodhi të shprehet në heshtje, duke mos firmosur dekretimin, por dhe duke mos ja rikthyer as parlamentit. Të paktën dhe 6 ligje të tjera të paketës së Reformës në Drejtësi, janë në proces dhe janë parashikuar t’i nënshtrohen votimit në sallën e parlamentit javën e ardhshme. Për ambasadorin amerikan “reforma në drejtësi është e pakthyeshme”, ndërsa saktësoi se “ne, Shtetet e Bashkuara, iu bëjmë thirrje të gjitha partive politike në Shqipëri të vazhdojnë të kërkojnë zbatimin e plotë dhe të shpejtë të reformës në drejtësi”.
Ambasadori amerikan foli edhe lidhur me debatet për fenomenin e kultivimit të marijuhanës, duke përmendur dhe lidhje politikanësh me trafikun e drogës. “Pyetja që kam disa herë në media është nëse situata sot është më keq se sa ishte nën qeverinë e kaluar. Dhe reagimi im është se mendoj të dyja, qeveria e kaluar dhe qeveria aktuale kanë probleme me trafikimin e drogës dhe ka politikanë që kanë përfituar nga lidhjet e tyre me trafikantët e drogës. Dhe mendoj se ia vlen të sjellim në mend që e dimë se ka një numër anëtarësh të parlamentit, ka kryebashkiakë në Shqipëri dhe ka pasur kandidatë për kryebashkiakë që kanë pasur dënime për trafik droge në shtete anëtare të BE-së”, u shpreh ambasadori Lu. (voa)