“Lidershipi politik duhet të përcaktojë zyrtarisht piketat ku duhet të kalojë ky proces pa devijuar”. Propozimi i Presidentit ndërsa palët kanë rënë dakort për t’u mbështetur te Komisioni i Venecias.
Presidenti Bujar Nishani propozoi mbrëmë që vijimi i procesit të reformës në Drejtësi të përcaktohet nga drejtuesit politik në vend. Në fjalimin e mbajtur gjatë pritjes tradicionale të fillim vitit me përfaqësuesit e medias, ai deklaroi se vullneti i shprehur i aktorëve politikë në mbështetje të reformës “duhet të ketë një produkt. Duhet të prodhojë një mekanizëm, i cili duhet të nxjerrë jashtë sistemit njëherë e përgjithmonë prokurorët dhe gjyqtarë e korruptuar e të paaftë, si dhe shkallmojë nga themeli piramidën e administratorëve të korruptuar, të nëpunësve zhvatës të pasurive publike që u zënë rrugën mundësive për zhvillim të shqiptarëve. Që ky mekanizëm të mund të jetë i tillë, duhet garantuar ndërtimi i tij tërësisht jashtë ndikimit dhe kapjes politike”.
Sipas presidentit Nishani “pas mendimeve tashmë të qarta të Komisionit të Venecias, përgjegjësia e vijimit të procesit mbetet tek lidershipi politik në vend, i cili duhet të përcaktojë zyrtarisht piketat ku duhet të kalojë ky proces pa devijuar”. Për këtë arsye ftesa e kreut të shtetit është që drejtuesit politikë “të ulen në një tryezë koordinimi për t’i lënë më pas hapësirën ekspertëve që ta jetësojnë vullnetin e tyre politik”, ndërsa u shpreh i gatshëm që institucioni që ai drejton të japë “ndihmesën e nevojshme koordinuese mes palëve në këtë problematikë”.
Ftesa e presidentit vjen disi e papritur dhe në një moment kur procesi ndodhet në fazën përmbyllëse të ndryshimeve kushtetuese. Ka qenë politika ajo e cila e ka përcaktuar rrugën e reformës me ngritjen e komisionit të posacëm parlamentar. Ky komision ka dhe produktet e tij. Pas hartimit të analizës së sistemit në pjesën e parë të vitit të shkuar, grupet e ekspertëve vendas dhe të huaj, prodhuan më pas dokumentin me ndryshimet kushtetuese i cili në dhjetor mori vlerësimin paraprak të Komisionit të Venecias. Sërish palët politike, pozitë dhe opozitë, shprehën gatishmërinë për të punuar mbi këto rekomandime të cilësuara si “baza për të vijuar më tej”. Aktualisht ekspertët i kanë pasqyruar këto rekomandime. Ndryshimet kushtetuese të ripunuara duhej t’i dorëzoheshin Komisionit të Venecias brenda ditës së djeshme, por afati u shty për disa ditë për t’i lënë më shumë hapësirë debateve, vecanërisht propozimeve nga opozita.
Por përfaqësuesit e partisë demokratike u tërhoqën tre ditë më parë duket pretenduar se nga pala tjetër nuk kishte asnjë reflektim ndaj cështjes së përdorimit të 3/5 të votave në emërimin e drejtuesve të disa prej institucioneve të drejtësisë. “3/5 është një shumicë e cila kap sistemin e drejtësisë, e kap sot, e kap edhe më vonë dhe që është një zgjidhje e cila është e atakuar fuqimisht nga Komisioni i Venecias, e cila ka thënë shprehimisht; aplikimi i një shumice prej 3/5 në kushtet aktuale kur kjo shumicë është sot e kontrolluar nga mazhoranca çimenton kapjen politike”, deklaroi Enkelejd Alibeaj, ekspert i Partisë demokratike, sipas të cilit kjo cështje duhet të zgjidhej nga drejtuesit e forcave kryesore politike parlamentare dhe se “çdo hap tjetër pa tejkaluar këtë lloj ngërci, që mund të zgjidhet vetëm mbi bazën e kompromisit politik midis aktorësh politikë, drejtuesish kryesor, do të ishte thjesht dhe vetëm një kozmetikë”.
Nëse në ditët e mbetura, deri të hënën e ardhshme, nuk do të ketë ndonjë kthesë në marrëdhëniet mes palëve, atëherë Komisionit të Venecias do t’i shkojë projekti i rishikuar në mungesë të përfaqësueve të opozitës. Ndërkohë një grup ekspertësh të Venecias pritet të vijnë sërish në Shqipëri, përpara se ata të dalin me një vlerësim përfundimtar për ndryshimet kushtetuese. (voa)