HEC-et “Bistrica 1” dhe “Bistrica 2”, i janë shitur në maj të 2013-s, në masën e 100% të kapitalit, shoqërisë “Kurum International”. Vlera e shitjes ishte 52 milionë euro. Ndërkohë në vitet 1999-2011 nga shteti shqiptar, në këtë vepër, për rehabilitimin e plotë të saj, është financuar rreth 21 milionë euro, shumë kjo e marrë hua nga shteti. Edhe pse sot këto dy vepra janë privatizuar, huaja vazhdon të paguhet nga KESH-i. Pagesat do të vazhdojnë deri në vitin 2044.
Procesi i shitjes së “HEC Bistrica 1 dhe 2” nisi mbështetur në vendimet nr. 152 dhe 153, të Këshillit të Ministrave të datës 29.02.2012. Kontrata e blerjes u përmbyll me 21 maj 2013 dhe marrëveshja për blerjen e 100% të aksioneve të këtyre shoqërive është lidhur midis Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, në cilësinë e pronarit dhe shoqërisë “Kurum International”, në cilësinë e fituesit të tenderit.
Të dy hidrocentralet, “Bistrica 1” dhe “Bistrica 2”, janë rehabilituar plotësisht në kuadër të projektit “Furnizimi me energji i Shqipërisë së Jugut BiSaBu”, që nisi 24 qershor 1999 dhe përfundoi me 31 dhjetor 2011. Më konkretisht, investimet konsistonin në rehabilitimin e pajisjeve mekanike hidrike dhe instalimet ndihmëse, punime civile, rehabilitimin e pajisjeve shpërndarëse, rehabilitimin e pajisjeve elektrike përfshi modernizimin dhe sistemin e ri të kontroll-monitorimit.
Vlera totale e projektit “Furnizimi me energji i Shqipërisë së Jugut BiSaBu””, financuar nga banka gjermane “KfW- Bankengruppe” është rreth 33.2 milionë euro. Nga ky financim, 21 milionë euro janë përdorur për rehabilitimin e plotë të HEC-eve “Bistrica 1 dhe 2”, ndërsa diferenca për investime të tjera në sektorin energjetik. Periudha e shlyerjes së huasë 33 milionë euro sipas planit të pagesës ka nisur 31 korrik 2007 dhe përfundon më 30 dhjetor 2044.
Deri më tani KESH-i ka shlyer rreth 10 milionë euro principal dhe rreth 2.2 milionë euro interes. Në përfundim të afatit të shlyerjes së kësaj kredie, me dt.30.12.2044 parashikohet që KESH-i të shlyejë rreth 2.6 milionë euro interesa dhe principalin e mbetur prej rreth 23.7 milionë eurosh.
“Fiks Fare” ka kontaktuar edhe me KESH-in dhe ish-administruesin e këtyre 2 HEC-ve. KESH-i konfirmoi se vazhdon të paguajë huanë e marrë për rehabilitimin e veprës. Ndërsa që nga momenti i kalimit të pronësisë tek “Kurum International”, nuk ka më informacion për prodhimin e këtyre HEC-ve apo tregtimin e energjisë.
Në lidhje me këtë çështje, zv.ministri i Industrisë dhe Energjitikës, Ilir Bejtja, deklaron se pas një auditi të detajuar, studimit të hollësishëm të dosjeve të privatizimit të HEC-ve, jo vetëm “Bistricës 1 dhe 2”, por edhe atij të Shkopetit dhe Ulzës, çështja i ka kaluar prokurorisë.
Sipas auditit të kryer nga Ministria e Energjetikës, për HEC-et “Bistrica 1 dhe 2” nuk rezulton të ketë vlerë rregullimi në çmimin e shitjes. Ku do të përfshihej edhe vlera e investimit e kryer nga shteti shqiptar, vetëm dy vjet para shitjes. Në këto kushte, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, në përmbushje të detyrimit ligjor të parashikuar nga neni 281 i Kodit të Procedurës Penale, kërkoi nga organi i akuzës regjistrimin e procedimit penal ndaj shtetasve Florjon Mima dhe Enno Bozdo, për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal.
Megjithatë ky audit zgjati më shumë se dy vjet. Sipas zv/ministrit kjo për shkak të volumit të dosjeve, dhe për faktin se i gjithë dokumentacioni nuk ishte më në dorë të shtetit, por të një subjekti privat. Sipas tij, kundërshtimi i kontratave të lidhura nga shteti me privatin, kanë një afat kohor për rreth tre vjet. Ai theksoi se janë duke punuar ngushtë me prokurorin, pasi mendohet se dëmi mund të jetë më i madh. “Nëse llogaritet edhe fitimi i investimit të kryer nga shteti që do të kthehej në rreth 15-17 vitet e ardhshme atëherë, dëmi shkon deri në rreth 110 milionë euro, vetëm për Bistricën.”
Ndërsa “Kurum International” nuk i është përgjigjur interesimit të gazetarëve të “Fiksit”, të cilët kanë kërkuar informacion mbi prodhimin e këtij hidrocentrali pas shitjes dhe investimet e bëra nga kjo kompani në këtë vepër pas blerjes. (shekulli)