Ekskluzive/ “Aeroporti të përgjysmojë tarifat”/ Zbulohet raporti për financat e koncesionarit të Rinasit

AeroportiEksperti i pavarur që auditoi koncesionin e aeroportit të Rinasit i ka sugjeruar qeverisë shqiptare të kërkojë menjëherë përgjysmimin e të gjitha tarifave aeroportuale.

Top Channel publikon ekskluzivisht raportin e BDO për auditimin ekonomik të kontratës koncesionare të aeroportit.

Sipas auditimit, kompania koncesionare Tirana International Airport ka fituar deri më tani 84 milionë euro më shumë nga skenari bazë që është miratuar me kontratën koncesionare në vitin 2004. Kjo i jep automatikisht të drejtë qeverisë që të kërkojë kompesim 100 për qind të këtyre parave.

Në raportin e auditimit, BDO ka analizuar disa skenarë se si mund të merret kompesimi. Por sipas saj mënyra më e mirë është kombinim I dy masave, ulja me 50 për qind e të gjitha tarifave aeroportuale dhe detyrimi i kompanisë koncesionare për të kryer 36 milionë euro investime shtesë deri në vitin 2027 kur përfundon koncesioni. Kjo sipas BDO, do të rikthente ekuilibrin ekonomik të koncesionit, siç parashikohet në marrëveshjen koncesionare.

Por çfarë do të thotë ky sugjerim për qytetarët? Aktualisht çdo pasagjer që niset nga Rinasi paguan 40 euro tarifa aeroportuale. Këto para paguhen në çmimin e biletës, por arkëtohen nga koncesionari i aeroportit. Auditiuesi i pavarur ka sugjeruar që kjo tarifë të ulët menjëherë në 20 euro, çka rrjedhimisht do të reflektohej në uljen e çmimit të biletave për qytetarët dhe do të afronte më shumë kompani “low cost” në Rinas.

Auditimi ekonomik i koncesionit të Rinasit u fillua në verën e vitit 2018, pas një urdhëri të përbashkët nga ministrat respektiv të infrastrukturës dhe financave të asaj kohe, Damian Gjiknuri dhe Arben Ahmetaj. BDO e përfundoi auditimin në janarin e vitit të kaluar. Por për një vit kjo çështje është lënë në heshtje dhe qytetarët shqiptarë vazhdojnë të paguajnë padrejtësisht të paktën 20 euro për çdo biletë nisje nga Rinasi./Klodian Tomorri/

Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>