Trajneri i Shqipërisë, Gianni de Biasi, e ka ndarë mendjen për 11 futbollistët që do të jenë titullarë ndaj Serbisë.
Ai në seancën e sotme stërvitore ka caktuar lojtarët që do të luajnë nga minuta e parë.
Burime të Telegrafit brenda Kombëtares shqiptare kanë treguar se italiani ka lënë jashtë 11-shes së parë disa lojtarë që kanë shkëlqyer me klubet e tyre.
Çudia më e madhe është te lënia në bankë e Amir Abrashit që ka qenë fantastik me Freiburgun, apo Alban Mehës, Burim Kukelit, Herolind Shalës, Shkëlzen Gashit e Sokol Cikalleshit, transmeton Telegrafi.
Si duket forma e mirë në klube nuk i ka lënë përshtypje De Biasit, i cili ka rikthyer si titullar Migjen Bashën, Andi Lilën, Bekim Balajn e Ledian Memushajn.
Formacioni startues i Shqipërisë: Berisha, Hysaj, Cana, Gjimshiti, Agolli, Lila, Xhaka, Basha, Memushaj, Lenjani, Balaj. /Telegrafi/