Elbasan, 3 të vrarë, 7 të plagosur

Një grup personash qëlluan me breshëri automatiku drejt një lokali. Ngjarja dyshohet për motive të vjetra hasmërie. 3 nga të plagosurit në gjendje kritike për jetën

elbasanQyteti i Elbasanit u trondit mbrëmjen e djeshme kur një grup i armatosur qëlloi me breshëri kallashnikovi drejt një lokali në afërsi të zonës së stadiumit. Tre persona mbetën të vdekur në vend, ndërsa 7 të tjerë u plagosën.

Duket se objektiv i sulmit kanë qenë pjestarë të familjes Çapja, por viktima ka patur edhe mes personave të tjerë që ndodheshin në brendësi të lokalit. Njëri prej të vrarë, është Agron Çapja. I biri i tij mbeti i plagosur së bashku me dy kushërinj të tij që mbanin të njejtin mbiemër. Sipas të dhënave paraprake të policisë, dyshohet se ngjarja mund të ketë motive hasmërie mes familjes Çapja dhe një tjetër familjeje po në Elbasan. Hasmëri e cila ka nisur që në vitin 2005 kur u vra biznesmeni Sokol Çapja.

Gjashtë të plagosur që ishin në gjendje më të rëndë u dërguan me helikopter në Tiranë. Mjekë të spitalit të Traumës shpjeguan se 3 prej tyre rrezikojnë jetën, duke qenë se “kanë plagë të shumta thuajse në çdo pjesë të trupit”.

Ndërkaq Elbasani, pak pas ngjarjes i ngjau një qyteti në shtetrrethim. Forca të shumta policie, të nisura dhe nga qytete të tjera, së bashku me ato të njësive speciale rrethuan të gjithë zonën ku ndodhi atentati dhe nisën kontrollet e banesave përreth. Postoblloqe të shumta u ngritën në të gjitha daljet e qytetit.

Dy prej atentatorëve mësohet se janë identifikuar. Në Elbasan vonë në mbrëmje shkoi dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Haki Çako. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>