Numri 14 duket se i dha fat këngëtares Elhaida Dani, duke i prerë biletën për në natën finale të “Eurovision”-it.
Elhaida dhuroi shumë emocion me zërin e saj , e cila kulmoi në pjesën e dytë të këngës ku tingujt e baladës e pushtuan skenën e Vjenës. E ndjekur dhe nga një kor prej tre shoqëruesesh, vajzat ishin në sinkron jo vetëm me zërin e tyre, por edhe me veshjen që i dha tepër finesë paraqitjes skenike të tyre.
Ajo që ra në sy në këtë natë të “Eurovision”-it, ishte skenografia dhe ndriçimi që ndiqte çdo performancë të artistëve që debutuan në skenën e Vjenës.
Tashmë janë edhe dy net të tjera të festivalit, përkatësisht një tjetër natë gjysmëfinale , si dhe finalja e ditës së shtunë ku do të përcaktohet edhe fituesi i këtij viti.
Performanca e Elhaidas ka marrë lavdërime edhe nga komentatorë të shumtë gjatë kësaj nate gjysmëfinaleje. Ndërkohë që BBC-ja ka vëne në dukje një armë të fortë për këngëtaren shkodrane, pikërisht veshjen e saj, pasi siç theksuan pas daljes së Danit në skenë, ishte tepër e rëndësishme që një këngëtare femër të dilte me të tillë veshje, pas incidentit të Madonës me një të ngjashme.
Edhe Kryeministri Rama e komentoi performancën e shkëlqyer të këngëtares shkodrane, i cili në profilin e tij në “Facebook” shkroi: “Forca Elhaida, tanimë finalja e madhe të pret dhe gjithë shqiptarët do të jenë me ty të shtunën”.
/ Top Channel