Në Tiranë parlamenti nisi sot shqyrtimin e një projekt-ligji të ri për eficencën e energjisë. Një ligj i mëparshëm nuk u zbatua asnjëherë, ndërsa tani është Bashkimi Europian, që i kërkon Shqipërisë standartet e veta.
Komisioni parlamentar i veprimtarive prodhuese dëgjoi ekspertët, grupet e interesit dhe studiues të pavarur, mbi mënyrat se si të kursehet energjia me teknologji bashkëkohore, në një vend ku ajo shpërdorohet dhe keqpërdoret masivisht.
Parlamenti shqiptar nisi sot diskutimin e një projekt-ligji për eficensën e energjisë, duke dëgjuar propozimet e studiuesve dhe grupeve të interesit.
Projekt-ligji synon të nxitë përdorimin më të efektshëm të energjisë, duke futur teknologjitë e reja në ndërtim dhe ngrohje.
Ekspertët pohuan se Shqipëria ka mbetur prapa endeve të rajonit në këtë fushë edhe me ligje edhe me investime praktike.
Shqipëria ka humbur 10 vjet pa bërë asgjë për futjen e teknologjive të reja për energjinë efektive.
Ekspertët kërkuan që të shkurtohet afati 12 mujor i përgatitjes së akteve nënligjore, sepse kështu humbet edhe nje vit tjetër.
Po ashtu ata propozuan që në institucionet që duhet ta zbatojnë këtë ligj duhet të jetë edhe pushteti vendor.
Në planin kombëtar të veprimit kërkohet që deri në 2020 Shqipëria do të kursejë 15 për qind të energjisë së saj, kur ligji dhe aktet ende nuk janë gati dhe kur cdo vit përdorimi i energjisë rritet me 8 për qind.
Agjencia kombëtare që krijon ky ligj duhet të ketë kontroll mbi investimet mbi energjinë efektive, për të matur se cfarë pajisjesh po instalohen dhe se sa do ta ulin ato konsumin e energjisë.
Gjithashtu nevojitet një fond kombëtar për eficensën e energjisë, i cili të plotësohet nga institucione ndërkombëtare dhe të mos përzihet me nevoja të ngutshme të sektorëve të tjerë si mjedisi.
Specialistët kërkuan që krahas teknologjive të reja, ligji i ri të mos bjerë ndesh me ligje të tjera në fushën e energjisë, apo që agjencia e re të mos ngatërrojë detyrat me institucionet ekzistuese.
Në vitin 2005 parlamenti miratoi një ligj për eficenën energjisë, por nuk u zbatua asnjëherë, pohuan studiuesit, dhe në 2008 nisën përpjekjet për një ligj të ri, i cili ka 7 vjet që po diskutohet.
Tani Shqipëria është vendi i fundit në rajon, që nuk ka një ligj për këtë problem themelor. (voa)