Për një muaj me radhë Top Channel kthehet në një fushë gjigante futbolli për të gjithë shqiptarët anembanë globit.
Televizioni më i ndjekur i shqiptarëve starton mbrëmjen e kësaj të premteje një maratonë transmetimesh që do t’i dedikohet thuajse tërësisht Europianit 2016 në Francë, një turne ku kombëtarja kuqezi merr pjesë për herë të parë dhe për këtë arsye, por jo vetëm, meriton vitrinën e vëmendjes në vendin e shqiponjave.
Studio të reja, lidhje direkte nga çdo stadium ku do të luajë kombëtarja shqiptare, nga qendra stërvitore dhe nga çdo shesh ku do të festohet me simbolet kuqezi.
“Në këtë kampionat europian ne nuk jemi thjesht spektatorë. Është një ngjarje shumë e rëndësishme dhe Top Channel si çdo gjë tjetër e rëndësishme kalon në duart e tij. Top Channel këtë herë do të jetë pararojë e një kampionati vërtetë spektakolar”, shprehet Elert Yzeiri, drejtues i emisionit “Le Rendez-Vous”.
Në takimin me emër transalpin, por me analizë shqip dhe teknike të detajuar për lojtarët kryesorë dhe të rejat e fundit, do të gjejnë vend opinionet e çmuara të dy protagonistëve të afërt në kohë në futbollin shqiptar, Blendi Shkëmbi dhe Ervin Skela.
Sfidat e mbrëmjes do të paraprihen gjithashtu nga një analizë e hollësishme në “Le Rendez-Vous”, ndërsa qershia mbi tortë, “Procesi Sportiv” do të ofrojë për tifozët e futbollit një “show” më shumë diskutime, moviolë, por do të shërbejë gjithashtu si orakull për ndeshjet e ditës pasardhëse.
“Do të argëtoheni, do të informoheni…pasqyra më e mirë e këtij kampionati do të jetë në Top Channel, në “Procesin Sportiv” sepse jo vetëm kombëtarja shkon për herë të parë në një kampionat europian, por nga ana tjetër edhe komentet dhe ndeshjet do të jenë pikërisht këtu tek ne”, tregon Marina.
Materiale ekskluzive, intervista dhe opinione të protagonistëve direkt nga stadiumet kryesore të Euro 2016, këto dhe detaje pikante nga manovrat ekstreme të sigurisë, do ta bëjnë turneun të paharrueshëm për çdo shqiptar që e sheh nga ekrani i vogël.
/ Top Channel