Fatos Klosi: Ardhja e muxhahedinëve, një shërbim ndaj SHBA-ve

fatos_klosiArdhja e muxhahedinëve në Shqipëri është një shërbim i vogël që ne i bëjmë Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundrejt mbështetjes së saj të madhe. Kështu e konsideron ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, në një koment për gazetën “Shekulli”, ardhjen edhe të rreth 2000 muxhahedinëve në vendin tonë. Sipas Klosit pavarësisht numrit kjo nuk mund të konsiderohet aspak një shqetësim për sa kohë që muxhahedinët e ardhur më herët nuk kanë sjellë asnjë lloj shqetësimi për vendin tonë. Ai i konsideron si xhelozi dhe komentet e mediave të vendeve të rajonit të cilat e kanë konsideruar ardhjen e muxhahedinëve në Shqipëri, si rrezik për gjithë rajonin.

Deklarata

“Ardhja e muxhahedinëve në vendin tonë është si problemi i armëve kimike. Shtetet e Bashkuara të Amerikës na kanë bërë aq shumë jo shërbime, por gjëra edhe më të mëdha kështu që ne kaq kemi mundësi t’u bëjmë për ta”, shprehet Klosi. Ai thekson se kurrsesi ardhja e tyre nuk mund të konsiderohet si problem për sa kohë që në vendin tonë ka tashmë një numër të madh muxhahedinësh të cilët nuk kanë krijuar asnjë lloj problemi. “Komente ka plot, por unë di grupin e parë që nuk ka krijuar asnjë shqetësim. Ata janë në qejfin e tyre madje na kanë dhënë neve mësim për mënyrën si e kanë organizuar jetën, si jetojnë paqësisht. Ata vijojnë të jenë këtu. Pse nuk pyesin çfarë bëjnë ata, sa të rrezikshëm kanë qenë por merren me këto zhurmat. Unë nuk shoh asnjë problem”, shprehet ai. Sa i përket numrit më të madh të muxhahedinëve që pritet të vijnë në Shqipëri, Klosi shton se : “Aq ishin edhe më parë, por nuk e shoh absolutisht si problem”. Edhe komentet e medieve të huaja për një rrezik të mundshëm, Klosi i konsideron vetëm si xhelozi.

“Mbase janë xhelozë që nuk i kanë çuar në këto vende”, shprehet ai. Pothuajse të gjitha mediat greke pasqyruan vizitën e Sekretarit Amerikan, Xhon Kerri, por të gjitha mbanin kryesisht tituj të tipit: “Shqipëria do të presë 2000 muxhahedinë nga Irani”, duke treguar në këtë mënyrë një farë shqetësimi. “Rreth 2 mijë anëtarë të organizatës së opozitës iraniane “Mojahedin-e-Khalq” pritet që të mbërrijnë në Shqipëri pasi qeveria shqiptare ka arritur një marrëveshje me amerikanët. Në maj të vitit 2013, qeveria “Berisha” strehoi 210 muxhahedinë, ndërsa kryeministri Edi Rama ka rënë dakord për të mirëpritur edhe 2.000 të tjerë, nga 2.800 që ndodhen në “Kampin liria” në Irak”, është shprehur portali “Pro Njus”, teksa në të njëjtën linjë me të kanë qenë dhe një sërë mediash të tjera, si “Iefimerida”, “Injusgr”, etj. Një pjesë e madhe e mediave e kanë pasur ndër shkrimet kryesore në faqet e tyre në internet lajmin për pritjen e muxhahedinëve, që sipas tyre ata mund të jenë një rrezik, pasi bëhet fjalë për një numër vërtet të lartë.

Marrëveshja

Muxhahedinët e parë në Shqipëri kanë mbërritur në vitin 2012 ku qeveria drejtohej nga demokrati Sali Berisha. Kontingjenti i parë i muxhahedinëve përbëhej nga 200 persona të cilët janë pasur me të tjerë herë pas here. Prej 1 janarit të vitit 2015 deri në janar të këtij viti në vendin tonë janë strehuar 524 muxhahedinë të moshave të ndryshme. Ata vinë në grupe 10 deri në 20 veta dhe pasi regjistrohen në qendrën e azilkërkuesve në Babrru, shpërndahen në banesa me qira, të cilat gjenden dhe paguhen nga UNHCR. Sa i përket marrëveshjes, kryeministri Edi Rama deklaroi publikisht se nuk kishte diskutuar me Sekretarin amerikan të Shtetit, Xhon Kerri mbi çështjen e muxhahedinëve. Por korrespondentja e “Zërit të Amerikës” Pam Dockings, e cila ishte në avionin e zotit Kerri gjatë udhëtimit të tij në Tiranë, njofton se Sekretari amerikan i Shtetit, mes të tjerash, e shfrytëzoi vizitën e tij në Shqipëri për të falënderuar qeverinë për sistemimin e anëtarëve të një grupi opozitar iranian të njohur me emrin Mujahedin e Khalq, ose MEK.

Në dy vitet e fundit, shkuan ajo më tej, Shqipëria ka pranuar rreth 1,000 anëtarë të këtij grupi, dhe sipas një zyrtari të lartë të Departamentit të Shtetit, ajo ka premtuar të pranojë edhe 2,000 të tjerë. Zyrtari i bëri komentet përpara arritjes së zotit Kerri në Tiranë. Më tej, ai shton se gjatë vizitës të së dielës është rënë dakord që Sekretari Kerri të mos flasë në publik për zhvendosjen e tyre, pasi kjo temë është ende shumë e ndjeshme. Në fund, “Zëri i Amerikës”, raporton se Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar Shqipërinë me asistencë teknike dhe monetare, nëpërmjet Kombeve të Bashkuara, për të rritur kapacitetet për strehimin e tyre. Shumica e anëtarëve të MEK-ut kanë jetuar në kampet e ngritura nga SHBA në Irak. SHBA-të e kanë ndihmuar Shqipërinë për risistemimin e grupit, i cili ka mbështetur operacionet ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme dhe luftën kundër terrorizmit. Ndihma amerikane përfshin një donacion prej 20 milionë dollarësh dhënë agjencisë së OKB-së për refugjatët, për risistemimin e MEK, tha zyrtari i Departamentit të Shtetit. Për këtë qëllim, edhe Shqipërisë i është dhënë ndihmë sigurie dhe zhvillimi për të shtuar aftësitë e sistemimit të refugjatëve.

Ish-imami: Muxhahedinët janë spiunë

Ish-imami i xhamisë së fshatit Mëzez, Bujar Hysa, i akuzuar si njëri nga organizatorët e rekrutimit dhe dërgimit të besimtarëve mysliman në Siri, komenton vizitën e Sekretarit amerikan të Shtetit amerikan, Xhon Kerri. Në vazhdën e akuzave kundër shtetit shqiptar, që e akuzon për burgim të padrejtë, Hysa ironizoi me ardhjen e muxhahedinëve iranianë në Shqipëri. Sipas tij, ai nuk kishte ndihmuar apo mbështetur 2 000 spiunët iranianë që pritet të vijnë në Shqipëri. Duke nënkuptuar faktin se ai ka ndihmuar besimtarët myslimanë që luftonin regjimin e Asadit. Kjo ndihmë, u provua edhe nga përgjimi i celularëve që të dyshuarit tashmë të arrestuar kishin në përdorim në fazën hetimore. Sipas prokurorisë, të dyshuarit kishin në përdorim më shumë se 3 numra secili dhe komunikonin shpesh me personat që dëshironin të shkonin në Siri dhe ata që kishin ikur, duke mbajtur kontakte vazhdueshme. Gjykata dëgjoi për disa orë këto përgjime, për të cilat të pandehurit pretenduan se nuk provohet fakti se ata kanë ndihmuar terroristët.

Radioja iraniane: Kerri sjell terroristët në Shqipëri

“Kerri sjell terroristët në Shqipëri”-është titulli i një komenti të gjatë, që redaksia për gjuhën shqipe e radios shtetërore iraniane “IRIB”, i ka kushtuar vendimit të qeverisë shqiptare për të pranuar rreth 2 mijë pjesëtarë të një grupimi opozitar iranian në mërgim. Shkrimi është publikuar në faqen e internetit të radios shtetërore iraniane, e cila shoqërohet edhe me foto nga jeta e përditshme e pjesëtarëve të grupit në Tiranë. “Lëvizjet e fundit të grupit terrorist Monafekin (Muxhahedine Khalk) në Shqipëri dhe transferimi i një grupi tjetër të pjesëtarëve të kësaj organizate terroriste nga Iraku në Shqipëri, tregon hartimin e një plani afatgjatë për formimin e një baze të qëndrueshme në Shqipëri dhe forcon edhe më shumë mundësinë që Masud Raxhavi aktualisht po përgatit kampin e Shqipërisë që të vendoset aty.

Pas dështimit të bisedimeve të grupit terrorist Monafekin që për kthim në bazën Ashraf të Irakut, ky grup terrorist ka filluar të hulumtojë një bazë të re për pjesëtarët e vet. Kjo është për arsye se organizata terrorist Muxhahedine Khalk ka nevojë për vëzhgim struktural dhe për kontrollim të ashpër të pjesëtarëve të saj në mënyrë që t’i mbajë të mbyllur ata. Përveç kësaj, pjesëtarët e kësaj organizate terroriste për shkak të pakënaqësisë së tyre, gjithmonë janë në kërkim edhe të rastit më të vogël për tu ndarë nga ky grup që përdorët si vegël i fuqive të mëdha për lojën e tyre të pistë në rajonin e Lindjes së Mesme.

Kjo vërtetohet edhe nga ndarja e shumë pjesëtarëve nga ky grup terrorist gjatë viteve të fundit. Kjo është bërë pavarësisht kërcënimeve që bëheshin nga eprorët e tyre. Hyrja në kampin “Liberti” dhe humbja e shpresave për tu kthyer përsëri në kampin “Ashraf” të Irakut u bë shkak që krerët e këtij grupi terrorist të lakmojnë që ta shndërrojnë kampin “Liberti” si një bazë të përhershme të tyre. Mirëpo vendimi serioz i qeverisë së Irakut për dëbimin e organizatës terrorist Muxhahedine Khalk nga territori irakian, si dhe irritimi i popullit irakian ndaj pranisë së terroristëve të këtij grupi në vendin e tij, i detyroi krerët e këtij grupi terrorist që të kërkojnë një bazë të re për t’i vendosur pjesëtarët e kësaj organizate terroriste. Në këtë mes me ndërmjetësimin e Amerikës, u zgjodh Shqipëria që të jetë vendi i ardhshëm për pranimin e terroristëve të organizatës “Muxhahedine Khalk””, thuhet në komentin e botuar në radion iraniane.

Aty shtohet më tej se faktor tjetër që ndikoi në dërgimin e terroristëve të Muxhahedine Khalk në Shqipëri ishin edhe ligjet shqiptare të cilat dallojnë nga ligjet e vendeve të tjera evropiane dhe u japin mundësi krerëve muxhahedinëve që të kontrollojnë në mënyrë të ashpër pjesëtarët e kësaj organizate. “Përveç kësaj, kohëve të fundit burimet informative kanë bërë të ditur se po bëhen përpjekje të mëdha që në Shqipëri të transferohen edhe disa pjesëtarë të grupit terrorist Muxhahedine Khalk që janë të përndjekur nga Interpoli dhe disa prej tyre janë persona shumë të afërt me Masud Raxhafi, kreun e grupit terrorist Muxhahedine Khalk si shefja e gardës së sigurisë së Raxhavi, Fatemeh Vatankhah Rahmani e njohur me nofkën “Sima Vatankhah, “Zhaleh Mahram Nia, anëtare e zyrës së Masud Raxhavi dhe “Roqaieh Abbasi” e njohur me nofkën “Raana”. Kjo dëshmon qartë se edhe kreu i organizatës terroriste Muxhahedine Khalk po përgatitet të transferohet në kampin e Shqipërisë”, vijon komenti ku sillet në vëmendje ardhja e muxhahedinëve të parë në 2012-n.

Pritja e Kerrit nga Nishani, përplasja qeveri-presidencë

Deklarata dy ditë më parë e kryeministri Edi Rama i cili nuk u kursye ta krahasonte presidentin Bujar Nishani si ‘shef protokolli’, ndërsa priste Sekretarin amerikan të Shtetit, Xhon Kerri në aeroport, ka sjellë reagimin e ashpër të presidencës. Sipas saj, qëndrimi i Ramës nuk përfaqëson nderimin dhe mirënjohjen që shqiptarët anembanë botës kanë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit amerikan. “Institucioni i Presidentit të Republikës dënon ashpër deklaratën e papërgjegjshme të Kryeministrit Rama gjatë intervistës së tij në emisionin “Dritare” në televizionin ‘Vizion Plus’, më datë 15 shkurt 2016, në koment të takimit të Presidentit të Republikës me Sekretarin e Shtetit, Xhon Kerri në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” gjatë vizitës së tij në Shqipëri. Kërkesa e Sekretarit Kerri e përcjellë përmes Ambasadës së SHBA-së në Tiranë për të takuar Presidentin e Republikës gjatë mbërritjes së tij në Shqipëri ishte një nder i veçantë dhe respekt ndaj Institucionit dhe vetë Presidentit Nishani.

I kërkojmë Kryeministrit të vendit të tërheqë menjëherë deklaratën fyese dhe spekulative ndaj Presidentit të Republikës dhe Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, pasi një qëndrim i tillë nuk përfaqëson nderimin dhe mirënjohjen që shqiptarët anembanë botës kanë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit amerikan.”- deklaroi dje këshilltarja e presidentit, Brikena Arapaj. Pas kësaj deklarate sërish nuk ka munguar ironia e Ramës i cili iu përgjigj presidentit në faqen e tij në “Facebook”. “Presidenca me ka keqkuptuar! Thjesht isha e jam i keqardhur që Presidenti i Shqipërisë i doli avionit përpara. Si e pse kjo s’ka pikë rëndësie”, shkruan Rama në “Facebook”. Dy ditë më parë kryeministri deklaroi se nuk do të donte ta shikonte presidentin e vendit si një shef protokolli ndërsa priste Sekretarin amerikan të Shtetit, Xhon Kerri në aeroport. “Nuk kam dëshirë ta komentoj.

Ai është Presidenti i Shqipërisë. Është edhe presidenti im kur takon këdo qoftë që vjen nga jashtë. Për hir të vërtetës nuk do të doja që presidentin e vendit tim ta shihja duke bërë shefin e protokollit në Rinas. Besoj mbi normën elementare ka prevaluar dashuria për SHBA-në. Ndërkohë që kur Sekretari i Shtetit erdhi në kryeministri tek dera e priti shefi i protokollit”, tha ai. Ndërkohë që Rama e konsideroi si normale mungesën e një takimi me kryeparlamentarin Ilir Meta. “Nuk është në praktikën e Sekretarit të Shtetit që të vizitojë kryetarin e parlamentit. Nuk më rezulton që Hilari Klinton t’i ketë bërë një vizitë Jozefinës, edhe pse ishte grua. Edhe si grua mund t’i kishte bërë një vizitë. Por, nuk është në praktikën protokollare të Sekretarëve të Shtetit të vizitojnë kryetarët e parlamenteve”, tha ai. (shekulli)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>