Policia shton masat për natën e ndërrimit të viteve, edhe për ditët e para të vitit të ri. Duke filluar nga sot deri më datë 4 janar 2017 do të ketë shtim të prezencës policore në të gjithë territorin e vendit. Në të gjitha Drejtoritë Vendore të Policisë në qarqe është vendosur një grup i FNSH-së, të cilët po ashtu do të patrullojnë akset kryesore.
Në të gjitha Pikat e Kalimit të Kontrollit Kufitar janë marrë masat për shtim të sporteleve dhe të burimeve njerëzore ndërsa për monitorimin e situatës në të gjithë vendin, në gadishmëri janë edhe efektivët e Drejtorisë së Antiterrorit si dhe Njësia Operacionale Antiterrorizëm.
Gjatë 72 orëve, do të angazhohen në patrullim gjithsej 4500 punonjës policie në 2460. Patrulla të Përgjithshme, 780 punonjës të policisë rrugore, 21 grupe të FNSH-së , 54 forca të Repartit Special RENEA, 40 forca të Forcës së Posaçme Operacionale, 50 forca të Drejtorisë së Antiterrorit dhe Njësia Operacionale Antiterrorizëm, 760 punonjës të Policisë Kufitare dhe 155 agjentë e specialistë të Sektorit Kundër Narkotikëve dhe Sektorit kundër Krimeve të Rënda.
Një orë para momentit të ndërrimit të viteve në sheshet kryesore të qyteteve të vendit do të shtohen policët nën drejtimin e vetë drejtorëve të drejtorive vendore , shefa komisariatesh etj.
Policia u bën dhe një herë thirrje të gjithë prindërve që të mos lejojnë fëmijët të përdorin fishekzjarret pa praninë e tyre, ndërsa drejtuesit e mjeteve të mos përdorin alkool. / Top Channel