Ministria e Kulturës në Shqipëri po mbështet financiarisht rreth 40 projekte restaurimi të monumenteve në disa qytete historike. Në Gjirokastër modeli i ri i bashkëfinancimit me pronarët ka gjetur interes për të shpëtuar shumë shtëpi karakteristike që rrezikojnë të shemben. Pronarët thonë se po nxiten për investime nga zhvillimi i turizmit, por po përballen me kostot e rritura të ndërtimit.
Në një lagje historike të Gjirokastrës që quhet “Pazari i Vjetër “ në asamblin e shtëpive karakteristike njëra prej tyre po restaurohet. Financimi mbështetet nga një model i ri bashkëfinancimi mes sipërmarrësit dhe Ministrisë së Kulturës. Mbështetja shtetërore për 40 projekte të tilla në Shqipëri sigurohet përmes granteve falas me një vlerë nga 10 mijë deri në 50 mijë dollarë për secilin.
Maringlen Ligu që ka përfituar nga financimi thotë se kjo është një ndihmë e madhe pasi shumë pronarë shtëpish të vjetra në Gjirokastër janë në vështirësi për financime dhe shtëpitë rrezikojnë të shemben.
“Çdo lloj bonusi si edhe ky është ndihmues pasi nuk e ke menduar dhe të del para për shumë gjëra të papritura sic janë çmimet që janë rritur që nuk i prisnim. Kur kam filluar punimet çmimet ishin normale siç kanë qenë përpara, ndërsa tani janë rritur 30-40% dhe kjo të nxjerr jashtë nga parashikimet për investimin që bën”, thotë ai.
Maringleni punoi familjarisht për 25 vite në Selanik në sektorin e turizmit dhe u kthye pas periudhës së pandemisë për të restauruar këtë shtëpi dhe për ta kthyer në bujtinë. Shtëpia një vit më parë ishte në gjendje tejet të degraduar dhe madje një rrëshqitje masive e terrenit rrezikonte edhe zonën përreth.
Maringleni thotë se u nxit për t’u kthyer nga emigrimi nga ecuria e turizmit në Gjriokastër që vit pas viti e shikonte se po shënonte rritje.
“Unë jam marrë me turizëm. Kjo ka qenë puna ime dhe jashtë shtetit,në një restorant turistik në një zonë detare të Selanikut. Duke parë që turizmi po rritej në Gjirokastër mendova pse mos të kthehesha, të investoja këtu dhe të isha pranë familjarëve, të afërmve dhe qytetit tim.”
Mijëra të rinj po emigrojnë nga Shqipëria drejt vendeve evropiane dhe Gjirokastra ka treguesit, ndër më të lartit, ku rreth 1500 deri në 2000 banorë lënë cdo vit zonat e qarkut, i cili përfshin edhe Përmetin dhe Tepelenën.
Emigracioni është i vështirë, thotë Maringleni që e ka provuar atë për 25 vite.
“Të gjithë ata të rinj që ikin e fillojnë tani emigracionin. Nuk e dinë se si është, apo se si ka qenë. Mund të shikojnë një emigrant që ka 20-30 vjet dhe u duket se do shkojnë se do kenë të njëjtën përvojë, të njëtën të ardhme. Është shumë i vështirë emigracioni, do shumë vite të përshtatesh.”
Në Drejtorinë e Kulturës Kombëtare në Gjirokastër inxhinieri Vaso Polo thotë se bonusi i rijetëzimit ka gjetur interesim nga qytetarët, por nevojat për financime janë të mëdha.
“Ky bonusi i rijetëzimit, i cili ndahet në dy përbërës një për rijetëzimin e objekteve që mund të kthehen në bujtina dhe tjetri për fasadat e godinave që mund të mirëmbahen ka ngjallur interesin e qytetarëve”, thotë zoti Polo.
Rreth 400 monumente kanë problematika dhe kërkojnë ndërhyrje restauruese apo mirëmbajtjeje në qytetin që u pranua në Listen e Passurive Botërore të UNESCO-s 17 vite më parë.
“Ka rreth 400 objekte që janë me problematika që kërkojnë ndërhyrje patjetër . Shteti nuk mund t`i bëjë dot të gjitha. interesimi i qyetarëve është dhe do të jetë akoma dhe më i madh në të ardhmen. Duke parë ecurinë e këtij bonusi them se do vijojë të rritet interesi i qyetarëve”.
Mbështetja për fiancime për monumentet e kulturës është ende e vogël por Ministrja shqiptare e Kulturës Elva Margariti thotë se modele të tilla bashkëpunimi janë për t`u vlerësuar.
“Gjirokastra ashtu si Berati ka 10 aplikantë fitues nga bonusi i rijetëzimit. Në gjithë territorin e Shqipërisë kemi 41 projekte dhe është një përqindje shumë e mirë. Kjo na bën të bindemi që titulli UNESCO nuk është thjesht një dekoratë e hedhur mbi supe, por tashmë është përqafuar nga gjithë banorët. Eshtë kuptuar se vlera e shtuar e të qenit qytetarë të një qyteti UNESCO do të thotë edhe një kontribut i qyetarëve për të ruajtur vlerat e pasurisë botërore.”
Trashëgimia kulturore e Shqipërisë është një nga mbështetëset më të mëdha të sektorit turistik, i cili në disa qytete historike po merr rritje të shpejtë.
Ndërkohë ai përballet dhe me sfidat e shërbimeve më cilësore për turistët dhe me mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore të cilat rrezikojnë të zhduken nga degradimi i kohës apo mungesa e financimeve për mirëmbajtjen dhe restaurimin e tyre.
voa