FMN: Shqipëria nuk plotëson kushtet për amnistinë fiskale

fmnNë Shqipëri, një mision i Fondit Monetar Ndërkombëtar, deklaroi sot se vendi nuk i përmbush kushtet për realizimin e aministisë fiskale të propozuar nga qeveria. Sipas Fondit, amnistia favorizon shmangësit e mëdhenj të taksave duke iu ofruar dhe imunitet nga ndjekja penale. Nga ana tjetër, administrata tatimore vlerësohet të jetë ende e dobët, ndërsa vendi me mangësi strategjike sa i takon luftës kundër pastrimit të arave dhe financimit të terrorizmit

 

Ideja e qeverisë shqiptare për zbatimin e një aministie të gjerë fiskale nuk po gjen mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare me peshë. Pasi gati dy javë më parë, Delegacioni i Bashkimit europian në Tiranë ripërsëriti se kishte shqetësime serioze për projektin, duke lënë të nënkuptohet se në formën aktuale, propozimi është i papranueshëm për ta, sot Fondi Monetar Ndërkombëtar ishte dhe më i qartë në kundërshtimin e kësaj nisme: “Projektligji ka të ngjarë të dëmtojë moralin tatimor. Amnistia fiskale mund të konsiderohet si një kartë “dalje nga burgu” për shmangësit e mëdhenj të taksave, sepse përfshin një falje të konsiderueshme të taksave, përveç heqjes së plotë të interesit dhe gjobave dhe dhënies së imunitetit efektiv nga ndjekja penale dhe inspektim i mëtejshëm nga forcat e zbatimit të ligjit për sa i përket burimit të fondeve që do të amnistohen. Qeveria duhet të ndryshojë amnistinë fiskale me një program deklarimi vullnetar, i cili nuk i përjashton nga të gjitha detyrimet tatimore”, shpjegoi shefja e misionit të FMN-së Yan Sun.

Por ajo saktësoi se dhe një program deklarimi vullnetar do të kërkonte përmbushjen e disa kushteve. Së pari që të ketë “një administratë tatimore moderne, kompetente, të mirëinformuar dhe me mjetet e duhura të kontrollit dhe zbatimit të ligjit” dhe së dyti “një kornizë efektive për luftën kundër pastrimit të parave dhe luftën kundër financimit të terrorizmit, që është në gjendje të zbusë rreziqet e deklarimit vullnetar”.

Ishte po shefja e misionit, zonja Sun e cila e bëri mëse të qartë se Shqipëria është larg së plotësuari këto parakushte, të cilat nuk përmbushen në shumë vende në zhvillim dhe me të ardhura të ulta. “Në rastin e Shqipërisë, ndërsa Drejtoria e Pergjithshme e Tatimve ka bërë progres, kapaciteti i saj i auditimit dhe hetimit mbetet ende i dobët, performanca e saj në mbledhjen e të ardhurave është e ulët, ndërsa shumë vlerësime nga auditimet mbeten të pambledhura, ka akses të pamjaftueshëm automatik në të dhënat e palëve të treta, veçanërisht informacionin e llogarive financiare. Shqipëria ende ka mangësi strategjike për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, deklaroi shefja e misionit të Fondit Monetar.

Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj nuk u shpreh rreth vlerësimeve të Fmn-së për amnistinë fiskale, në konferencën e përbashkët në përmbyllje të misionit. Ndërsa pas mbledhjes së qeverisë ajo deklaroi se po vijojnë konsultimet: “Ky është një prjektligj, ende në konsultim publik, me të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë, me të gjithë palët e interesit dhe nuk kemi ende një datë për miratimin e tij. Ne po punojmë që paralelisht të hartojmë të gjithë aktet nënligjore, me qëllim që kurdo që të arrijmë në një ligj final të kemi gati të gjithë infrastrukturën edhe për procedurat e kërkuara nga administrate shtetërore për zbatimin e tij”.

Por pavarësisht këmbanave të alarmit për rreziqet që mbart amnistia, kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla përsëriti dhe sot, se nuk ka tërheqje nga ky projekt: “Ne do ta miratojmë amnistinë fiskale”

Mbetet e paqartë nga ku buron kjo vendosmëri e socialistëve, përsa kohë, projekti, duke parashikuar dhe imunitet ndaj ndjekjes penale, kërkon një shumicë të cilësuar votash për miratim në parlament.

Aministia përfshin deklarimin vullnetar të një pasurie në vlerë monetare deri në 2 milionë euro, e cila legalizohet kundrejt një takse nga 7-10 përqind, pa asnjë përgjegjësi penale. Deri më tani asnjë nga autoritetet nuk ka dhënë shpjegim se si mund të vihet një pasuri deri në 2 milion euro me kursime nga puna. Pikëpyetje të forta janë ngritur dhe mbi aftësinë e institucioneve për të parandaluar që nga kjo nismë të mund të përfitojnë anëtarë të rrjeteve kriminale, pavarësisht kufizimeve të përcaktuara në projektligj.

Nisma e qeverisë ka hasur dhe në kundërshtime të forta të Dhomës amerikane të Tregtisë, të shumë ekspertëve të fushës, si dhe nga përfaqësuesit e opozitës, vota e të cilëve është e domosdoshme për votimin në parlament.

 

 

Zhvillimet në ekonominë shqiptare

Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerësoi se ekonomia shqiptare ka mbajtur një ritëm pozitiv këtë vit, pavarësisht goditjes që ekonomia globale ka marrë nga lufta e Rusisë në Ukrainë. “Ne parashikojmë që rritja ekonomike për vitin 2022 të jetë 3,7 për qind, mbështetur nga një aktivitet i lartë në turizëm, në pasuritë e paluajtshme dhe tek shërbimet. Rritja parashikohet të ngadalësohet në rreth 2 për qind në vitin 2023, duke pasqyruar kushte financiare më të shtrënguara, ngadalësimin në Europë, dhe tërheqjen e nevojshme të politikave mbështetëse”, deklaroi shefja e misionit.

Norma e rritjes prej 3.7 përqind është më e lartë se parashikimi i fundit i qeverisë shqiptare. Ministrja Ibrahimaj shpjegoi se tremujori i tretë pritet të karakterizohet nga një rritje e fortë, ndërkohë që në tremujorin e fundit, rritja do të tkurret. “Pritjet për rritjen ekonomike në tremujorin e katërt mbeten të rrethuara nga pasiguri më të larta, kryesisht në varësi sesi do të shkojnë zhvillimet ekonomike ndërkombëtare. Një ngadalësim i rritjes ekonomike ka të ngjarë të ndodhë për tremujorin e fundit për shkak të pasigurive të ngritura, gërryerjes së të ardhurave reale prej inflacionit dhe shtrëngimit të kushteve financiare”, tha ajo, duke njoftuar se ashtu si dhe FMN-ja dhe qeveria e ka rishikuar për lart parashikimin për vitin 2022, në 3.7 përqind nga 3.2 përqind.

Për vitin 2023 Fondi Monetar, vlerësoi se pret që rritja ekonomike “të ngadalësohet në rreth 2 për qind në vitin 2023, duke pasqyruar kushte financiare më të shtrënguara, ngadalësimin në Europë, dhe tërheqjen e nevojshme të politikave mbështetëse”. Ndërsa ministrja Ibrahimaj tha se dhe qeveria ka rishikuar për poshtë prarashikimet e saj në 2.6 përqind nga 3.9 që ka qenë vlerësimi fillestar. Megjithatë ajo saktësoi se në varësi të zhvillimeve në mjedisin e jashtëm, kjo normë mund të bjerë dhe nën 2 përqind, por duke përjashtuar mundësinë e rënies në recesion.

Pavarësisht paqartësive dhe pasigurive ekonomike globale për të ardhmen, Fondi Monetar nuk sugjeroi masa shtrënguese nga autoritetet, por kërkoi rritjen e të ardhurave “që janë ndër më të ulëtat në rajon si përqindje e PBB-së. Duke marrë parasysh gjasat për një inflacion të lartë në vitin 2023, grumbullimi i më shumë të ardhurave tatimore do të krijonte hapësirë për ndihmë të mëtejshme të shënjestruar e të përkohshme për shtresat në nevojë, pa rritur defiçitin buxhetor”.

 

Investimet publike dhe PPP-të

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar “forcimi i efikasitetit dhe besueshmërisë së financave publike mbetet thelbësor për ruajtjen e besimit të tregjeve dhe për zbutjen e kostove të rritura të huamarrjes”. Për këtë arsye misioni theksoi se “duhen reforma për të harmonizuar proceset e investimeve publike dhe Partneriteteve Publike Private (PPP), dhe integrimin e tyre të plotë në ciklin normal të buxhetit”, duke shtuar se “të gjitha projektet publike duhet t’i nënshtrohen kuadrit ligjor për investimet dhe prokurimin publik. Autoriteteve u kërkohet të publikojnë kontratat e prokurimit publik që lidhen me shpenzimet për pandeminë dhe rimëkëmbjen nga tërmeti, emrat e kompanive fituese dhe pronarët përfitues. Ne e ritheksojmë nevojën për minimizimin e përdorimit të akteve normative për të ndryshuar buxhetin”

Sa i takon sektorit të energjisë FMN-ja vë në dukje se “luhatja në tregun global të energjisë nënvizon urgjencën e reformave vendimtare për ta sjellë sektorin e energjisë elektrike në qëndrueshmëri financiare dhe për të ulur rreziqet fiskale. Subvencionet me bazë të gjerë duhet të hiqen, sepse u sjellin përfitime në mënyrë të shpërpjestuar atyre që kanë më shumë mundësi dhe i pengojnë sinjalet e çmimeve. Përshtatja graduale e tarifave në nivele që mbulojnë koston është kritike dhe duhet shoqëruar me masa mbështetje për shtresat në nevojë. Është gjithashtu thelbësore që të rritet transparenca e sektorit të energjisë elektrike dhe e drejtimit të ndërmarrjeve shtetërore”.

 

“Kujdes më ndërtimin dhe pronësinë e bankave”

Fondi Monetar vlerësoi se “vigjilenca e shtuar është jetike për të ruajtur stabilitetin financiar, ndërkohë që kushtet monetare shtrëngohen dhe konfigurimi financiar vazhdon të ndryshojë”. Misioni i FMN-së bëri thirrje “për monitorim nga afër dhe menaxhim të risqeve të mundshme nga rritja e lartë e kreditimit gjatë viteve të fundit, përfshirë huadhënien e rritur në monedhë të huaj”.

Sipas Fondit ka një mungesë të konsiderueshme të të dhënave mbi tregun e pasurive të paluajtshme dhe ndërtimin dhe “bëjmë thirrje për mbikëqyrje të shtuar të ndikimit të këtij sektori mbi stabilitetin financiar”.

Fondi kërkoi gjithashtu kujdes ndaj ndryshimit të pronësisë së bankave të nivelit të dytë që ka karakterizuar sektorin vitet e fundit, me largimin e institucioneve financiare të huaja, dhe futjen në lojë të sipërmarrësve vendas. “Prania e bankave me kapital të konsiderueshëm aksionar nga individët dhe grupet jofinanciare rrit riskun e mungesave në kapital, të transaksioneve ndërmjet palëve të lidhura dhe ekspozimeve të larta. Është kritike të garantohet që subjektet hyrëse në treg të kenë përvojë të lartë bankare dhe të përmbushin në mënyrë të vazhduar kriteret e përshtatshmërisë (përfshi aksionerët e mëdhenj dhe ata me aksione kontrolluese, pronarët përfitues dhe drejtuesit e lartë) që të operojnë në sistemin financiar shqiptar”, theksoi misioni i FMN-së duke kërkuar që “Banka e Shqipërisë të zbatojë një kuadër të përforcuar të licensimit dhe mbikqyrjes, dhe për autoritet që të zbatojnë rregullat përkatëse të konkurencës”.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>