FMN: Vettingu s’kalon në tendë. Bëni detyrën tuaj në Parlament

fmnMesazhet e forta për politikën në Tiranë zakonisht vijnë nga Brukseli ose Uashtingtoni, por këtë herë ai që ka një apel të fortë është institucioni ndërkombëtar më prestigjioz në botë për ekonominë dhe mesazhi i FMN-së më shumë shkon për opozitën.

“Bordi i drejtorëve në Uashington theksoi se zbatimi i suksesshëm i reformës në drejtësi është shumë i rëndësishëm për ekonominë. Për këtë arsye ne u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë, përfshirë opozitën, të angazhohen në mënyrë më konstruktive dhe të bëjnë detyrën që duhet bërë në Parlament, sepse reforma në drejtësi nuk mund të kalojë kur njerezit janë në rrugë, duke u ulur në një tendë të bardhë”, ka deklaruar përfaqësuesi i përhershëm i Fondit për Shqipërinë, Jens Reinke.

Deklarata e zotit Reinke duket një referencë e qartë më shumë për protestën e opozitës, e cila është prej dhjetë ditësh jashtë Kuvendit. Por pse FMN lëshon një mesazh për reformën në drejtësi, në dukje një çështje jashtë misionit të tij?

“Sundimi i ligjit është ndoshta pengesa më e madhe për rritjen ekonomike dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare. Pra, ka nevojë për sigurinë e pronës, zbatimin e kontratave dhe për më shumë parashikueshmëri. Të gjitha këto kërkojnë që gjyqësori të jetë më efektiv në mënyrë që investitorët dhe publiku të sigurohen se korrupsioni nuk do të luajë rol domethenës”, thotë Reinke.

Sipas kreut të FMN-së në Shqipëri, zvarritja e reformave rrit faturën për Shqipërinë. “Reformat duhet të bëhën të besueshme duke kaluar përtej një cikli zgjedhor dhe qeveria e re që do dalë nga zgjedhjet duhet të angazhohet në mënyrë konstruktive për t’i çuar përpara, qoftë reformën në drejtësi qoftë atë të financave publike, për t’u bërë të besueshme për investitorët vendas apo të huaj”, shton Reinke.

/ Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>