– Një telefonatë, në mos e papritur, emocionuese, u regjistrua në prag të 10 korrikut të vitit 1977, mes ish-komandantit të ishullit të Sazanit, Naim Muhaj dhe udhëheqësit komunist Enver Hoxha. Në një bisedë, që zgjati përreth 5 minuta dhe u ruajt e regjistruar prej vitesh në muzeun e ishullit, Hoxha shprehu konsideratën, që ushtarakët në ishull i gjeti në gatishmëri të plotë. Në vitet ’70, çdo pushtues i mundshëm që do të kërkonte të mësynte në Sazan, me shumë gjasë do të ndeshej në vështirësi. Në një zonë sa strategjike, aq edhe të rrezikuar, si nga deti, ashtu dhe nga ajri, ushtarakët që shërbenin aty, por edhe banorët e qytezës së Sazanit, pak e ndjenin ankthin e rrezikut. Kjo, falë atij qyteti tjetër që u ndërtua nën tokë. Një labirint i madh tunelesh, që në një kohë të shkurtër tërhiqnin poshtë, jo vetëm njerëzit, por edhe kafshët që ata mbarështonin. I ndërtuar me kosto jashtëzakonisht të mëdha, Sazani asokohe, vizitohej rregullisht nga kryeministri Mehmet Shehu dhe nga drejtues të lartë të shtetit.
Ish-komandanti i ishullit, Naim Muhaj në vazhdim të intervistës për “Shekulli”-n, flet për sigurinë e territorit dhe gatishmërinë e kuadrove në zonë. Ai sjell në kujtesë punën e palodhshme dhe investimet që u bënë në ishull për fortifikimin e tij. Mungesa e burimeve ujore ka qenë një nga problemet më të mëdha jetike për ishullin. Por, edhe depozitimi nëpërmjet anijeve cisterna ka pasur kosto të mëdha. A janë bërë shpime në ishull dhe sa kanë qenë shanset për të gjetur burime nëntokësore uji? Pasi mori detyrën, Mehmet Shehu urdhëroi shokët e naftës që të bëjnë shpime në ishull. Ata erdhën aty dhe shpuan deri në thellësinë 4900 metra. Ata punuan me synimin për të nxjerrë naftë, por në pamundësi të saj, të gjenin ujë. Mirëpo, për fat të keq nuk doli as naftë, as ujë. Pusi u shfrytëzua për efekte studimore dhe furnizimi i zonës me ujë vazhdonte të bëhej me cisterna të mëdha që vinin nga Vlora në ishull. Ju keni kryer detyrën e komandantit të ishullitdhe si i tillë kishit një përgjegjësi të madhe për sigurinë dhe drejtimin. Por, lidhur me udhëheqësit e kohës, sa shpesh e vizitonin ata Sazanin dhe a keni mbajtur komunikime me ta?
Nga vetë rëndësia që kishte ishulli, udhëheqësit e Partisë dhe të shtetit, aso kohe e vizitonin shpesh atë. Kishte shumë prej tyre, që vinin me merakun e madh për punën aty, për detyrat, gatishmërinë etj. Kishte dhe nga që vinin për të kaluar kohën ose pushonin. Megjithatë, duhet thënë se ishulli vizitohej shpesh. Ai që ka vënë më shumë gurë dhe ka marrë pjesë në betonimin e themeleve të ishullit, ka qenë kryeministri i Shqipërisë, Mehmet Shehu. Shpreh dhimbjen time dhe konsideratën për atë njeri, i cili sakrifikoi aq shumë. E kam takuar me dhjetëra herë dhe duhet thënë se çdo problem që shkonte te veshi i Mehmet Shehut ishte i zgjidhur. Ai që e bënte më këmbëngulës, ishte fakti se nuk i kthehej dy herë të njëjtit problem. Pra, ka meritën e veçantë të transformimit total të ishullit të Sazanit. Vetë Enver Hoxha e ka vizituar ishullin e Sazanit? Enver Hoxha nuk ka ardhur kurrë në Sazan. Kjo nuk do të thotë se ai nuk ka pasur vëmendjen atje.Unë, duke qenë në detyrën e komandantit të ishullit, kam biseduar personalisht në telefon me të, që nga Sazani.
Kujtoj që ishte viti 1977, kur një mëngjes herët isha në zyrë dhe po përgatitesha për të shkuar në disa reparte. Nga aty, merr në telefon centralisti i ishullit, duke më thënë: Të kërkon në telefon Komandanti i Përgjithshëm. U emocionova. Mora fletoren dhe lapsin dhe fillova të shkruaja. Pas pak minutash, centralistja e Ministrisë më lidhi në telefon me të dhe biseda telefonike që kryem është pasqyruar në muzeun e ishullit, që sot është i braktisur. Pra, Enver Hoxha foli me komandën e ishullit të Sazanit. Fillimisht më pyeti “Si jeni? Si shkoni? Si janë shokët?”. Pasi i dhashë një informacion për ishullin më tha: “U mora për t’ju uruar me rastin e festës” (ishte pragu i 10 korrikut, festës së ushtrisë). “U mora për t’ju përshëndetur dhe për t’ju uruar për sukseset që keni arritur dhe për të provuar gatishmërinë tuaj. Gëzohem shumë që jeni në gatishmëri”. Biseda ka zgjatur 4-5 minuta. Po, personalisht jeni takuar me Enver Hoxhën? Më pas e kam takuar në Pleniumin e Komitetit Qendror, ku morëm pjesë, si të ftuar, sepse nuk ishim anëtarë të Pleniumit, por komandat e njësive operative të rangjeve të larta merrnin pjesë në mbledhje.
Më kërkoi në mesin e sallës, duke thënë që komandanti i ishullit të qëndrojë, ndërsa të tjerët të bëjnë pushim. U takova me të, më përqafoi, më përgëzoi, bëmë një fotografi bashkë dhe porositi Sulo Gradecin që komandantit të ishullit t’ia japë fotografinë në Sazan. Fotografia nuk mbërriti në ishull, sepse pas këtij aktiviteti unë nuk isha më komadant i ishullit. Pas ikjes nga ishulli, unë jam emëruar komandant i Korpusit të Tiranës për 4 vjet, dhe më pas në vitin 1984 më emëruan komandant të Divizionit të Lushnjës. Lëvizja ishte për motive politike. A kishte ishulli një arkitekturë dhe sistem të sofistikuar për mbrojtjen e banorëve? Si lajmëroheshin dhe ku vendoseshin ata në rast të një sulmi të mundshëm? Duhet thënë se përveç objekteve që janë ndërtuar në sipërfaqe dhe janë të dukshme, ka dhe po kaq objekte nën tokë. Ishulli i Sazanit ka pasur dy fytyra, një të dukshme dhe një të padukshme. Sazani kishte një qytezë mbi tokë dhe një nën tokë.
Të gjitha njësitë dhe repartet. Të gjitha familjet e ushtarakëve, deri te kafshët që mbarështonin, kishin strehime kolektive, për t’u futur në rast bombardimi të mundshëm. Dhe thuhej: Ky është strehimi kolektiv i çerdhes. Kjo e fundit vendosej në kohë kërcënuese, në periudhën përgatitore të luftës, në sistem tunel, në lartësi 30-40 metra shkëmb, çka e bënte tejet të siguruar. Po i njëjti sistem u ndërtua për kopshtin, shkollën, repartet si dhe popullatën e paangazhuar në luftë. Sa tunele numërohen? Janë me qindra tunele. Madje ka pasur dhe tunele të Flotës, ku futeshin anijet tona luftarake. Kishte tunele ku mund të futej gjithë artileria bregdetare, kundërajrore dhe tokësore. Ishte llogaritur që gjithë popullata të sigurohej në tunele, madje deri aty sa kishte tunele të posaçme dhe për strehimin e bagëtive, në rast të bombardimit dhe mitralimit. Pra, i gjithë qyteti mund të futej nën tokë. Kaq investime të mëdha janë bërë në periudhën e socializmit.
Natyrisht, këto kishin kosto dhe shpenzime shumë të mëdha, por sipas politikës së atëhershme, çështjes së mbrojtjes së vendit dhe veçanërisht drejtimeve kaq të rëndësishme, u jepej shumë përparësi. Duke u shtrirë në një sipërfaqe të madhe, por njëkohësisht si një ishull me dy funksione, ushtarak dhe civil, a ka pasur zona të ndaluara për popullatën? Dhe më e rëndësishmja, a ka sot në Sazan armatime të rrezikshme? Unë nuk e di me siguri, por në ishull, tashmë mina dhe predha të paplasura mund të ketë. Gjatë kohës, kur në ishull lulëzoi jeta, sasia e armatimeve ishte e gjitha nën tokë dhe në kuadrin e rrëmbimit dhe braktisjes së Sazanit, edhe mund të kenë ngelur predha. Rreziku është i mundshëm. Nga ana jonë, duhet thënë së popullsia ka qenë përherë e sigurt. Kur e pamë në maj të këtij viti, aty nuk kishte asgjë. Përveç dy kafshëve të egra që gjetëm, gjithçka tjetër ishte për të ardhur keq. Kur filloi braktisja e ishullit? Në fillim të viteve ’90, njerëzit nisën të largoheshin. Kjo u vu ré në vitin 1993 dhe dy vite më vonë besoj se nuk kishte më asnjë familje. Ato emigruan asokohe drejt Italisë dhe në qytetet shqiptare. Kulmi i shkatërrimit ishte viti 1997. Flota jonë e famshme, me të gjitha anijet ushtarake, u fundos e gjitha dhe sot janë nën ujë. Këto janë pasuri më vete, por nuk është marrë askush me to deri më sot.
“Për botën është izolim, për mua është liri”
Në fillim të këtij viti, një grup ushtarakësh që shërbyen dikur në bazën ushtarake, formuan shoqatën e ishullit të Sazanit
Për mbrojtjen dhe ruajtjen e ishullit të Sazanit, një grup ushtarakësh që jetuan dhe shërbyen atje për vite me radhë, janë bashkuar, duke krijuar shoqatën e Ushtarakëve të ishullit të Sazanit. Komandant Muhaj tregon për funksionimin e saj në qytetin e Vlorës, që nga fillimi i këtij viti. “Në qytetin e Vlorës është ngritur dhe funksionon një shoqatë e ushtarakëve e ishullit të Sazanit. Kjo shoqatë ka programin e saj, ka statutin e vet, edhe funksion nga 25 janari 2015. Objekti i saj janë traditat kulturore, patriotike, atdhetare të ishullit dhe kuadrove të tij. Në këtë kuadër, ata kërkojnë të jenë faktorë në shqyrtimin e problemeve në ishull, sepse jo vetëm që kjo masë kuadrosh ka lënë pjesë të jetës së vet atje, por mua personalisht dhe kolegeve na duket sikur ishulli është pjesë e jona”, thotë Muhaj. Ndërsa, për zërat që e gjykojnë ishullin nga larg, por edhe të tjerë që e përshkruajnë si vend izolimi, komandant Muhaj duket se hedh poshtë çdo koment të tillë. Për të ishulli përfaqëson lirinë, madje nëse do të jetonte një jetë të dytë, Sazanin nuk do ta ndërronte me asnjë vend tjetër. “Ou, do të ishte kënaqësia më e madhe. Kam një komshi, i cili është pilot në profesion. Më ka pyetur për dëshirën më të madhe që kam pas fatkeqësisë (koha kur dola nga izolimi, nga burgu), çfarë do që të bësh? I jam përgjigjur se, do të isha i lumtur që kur të bija në shtratin e vdekjes, pa dhënë shpirt, të më bëje një fluturim mbi Sazan. Ishulli për mua është jeta ime. Gjithçka është aq shumë e lidhur me të, sa në ëndërr më del vetëm ishulli” tregon Muhaj, duke mos i fshehur emocionet.
Parimi i sigurisë
“Si në të gjithë territorin shqiptar, veçanërisht për fortifikimin e ishullit u aplikua një program origjinal shqiptar, sipas parimit ‘Njeri dhe qendër zjarri’, për t’i futur nën tokë të gjithë njerëzit, pajisjet materiale dhe rezervat qysh në kohë paqeje. Ky fortifikim u realizua me sukses të plotë dhe në më pas shtojmë që u fortifikua vija bregdetare me të gjitha mjetet. Pavarësisht se banda e sigurimit të shtetit hodhën baltë mbi ishullin dhe mbi ne dhe bënë për vete udhëheqësit anadollakë, si Simon Stefani, Lenka Çuko, Prokop Murra, Hekuran Isaj etj. Ne nuk ndërtuam as ishullin e Kretës, as Mazhinonë, as kanalin e Suezit, por ndërtuam një fortifikim origjinal shqiptar”, tregon ish-komandanti Muhaj.
Jugu i Sazanit
Krahu jugor i ishullit lartësohet me një kodër 331 metra mbi nivelin e detit. Një pjesë e madhe e shpatit që zbret poshtë, në drejtim të gjirit të Japrakut, është e mbuluar me pyllin e pishave. Ato shtrihen deri te ndërtesat e banimit të lagjes mbi plazhin familjar të ishullit. Këto pjerrësi kanë pisha, fiq, shkurre, valanidh, shkurre e lis.
Porti detar
Porti i ishullit është ndërtuar në vendin ku ka qenë porti antik i Shënkollit. Në një fotografi të vitit 1915 duket bankina e lashtë, e cila ka qenë në krahun e sotëm jugor të portit. Ndërtimi i tij iu besua inxhinierit ushtarak me përmasa të mëdha që të përfshinte të gjithë gjirin e Shënkollit.
Rrugët e ishullit
Ishulli përshkohet nga rrugë këmbësore dhe monopate të shumta në të githë pjesët e tij. Rrugët kanë ‘biografinë’ e tyre. Te muret antike, pranë portit, është gjurma e një rruge të lashtë, qarkuar me gurë të mëdhenj. Ajo zgjatet drejt lëndinës, në pjerrësitë lindore të gjirit të Shënkollit, poshtë kodrës veriore.
Plazhet e Sazanit
Në bregun lindor të Sazanit janë shumica e plazheve ranore të ishullit. Ato ndodhen pranë kepit të Shënkollit, në gjirin e Japrakut, i cili zgjatet deri në kepin e jugut të ishullit. Kjo zonë ka dhe disa plazhe të vegjël, kryesisht zallishte. Kodra jugore ka pjerrësi të buta, me shpatet e mbushura me bimësi të dendur dushku dhe shkurresh të larta. (Shekulli / Neritan Gjergo)