Italia është një nga mbështetësit kryesorë të rrugëtimit europian të Shqipërisë dhe Edi Rama rikonfirmimin e mori sërish gjatë vizitës zyrtare në Romë.
Hapja e negociatave dhe bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve mbizotëroi bisedimet mes dy homologëve, në vizitën e parë pas marrjes së detyrës nga Paolo Gentiloni.
Rama, i cili e shfrytëzoi vizitën për të ftuar biznesin Italian të investojë në Shqipëri, shprehu bindjen se qeveria ka bërë gjithçka duhet për të çelur negociatat.
“Ne besojmë fort se kemi bërë gjithçka për të hapur negociatat, gjithçka që ka të bëjë me atë që na u vu përpara si detyrë shtëpie dhe jam i sigurtë se me ndihmën e Italisë në radhë të parë, por edhe të vendeve të tjera, gjërat që janë bërë, mund të marrin rëndësinë e duhur, që ta çojmë akoma më tej këtë proces dhe të hapim negociatat për pranim vitin tjetër. Për këtë, Italia meriton vërtetë gjithë falënderimet tona dhe nga ana tjetër besoj se ky qëndrim kaq miqësor është edhe falë faktit që shumë shqiptarë sot kontribuojnë në ekonominë italiane, kontribuojnë në pjesëmarrjen në shoqërinë italiane si qytetarë të mirë dhe të zotë të Italisë”, deklaroi Rama.
“Besoj se koha për çeljen e negociatave mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë ka ardhur, ndaj duke filluar nga diskutimi i parë që do të zhvillojmë në Këshillin Europian në dhjetor dhe pastaj, sidomos në 2018-ën, ka disa afate vendimtare për të cilat duhet të punojmë në mënyrë që të kemi rezultat. Shqipëria ka bërë hapa të jashtëzakonshëm përpara dhe i ka bërë edhe në sektorë ku ka pasur një vëmendje të madhe nga ana e Bashkimit Europian. Bashkimi Europian ka interes jo vetëm ndaj Shqipërisë, por edhe ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor, që ta mbajë të hapur perspektivën e pranimit”, tha nga ana tjetër Gentiloni.
Mes të tjerash, dy kryeministrat kanë diskutuar edhe për partneritetin strategjik mes dy vendeve, si dhe luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar.
/ Top Channel