Në Shqipëri, Gjykata e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit, pranoi sot kërkesën e Prokurorisë për gjykimin e ish ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu.
Prokuroria e posaçme rihapi çështjen ndaj zotit Mediu, pas kërkesës së familjes Durda, e cila humbi një fëmijë nga shpërthimi në depon e municioneve në Gërdec, ku mbetën të vrarë 26 persona, ndërsa mbi 250 të tjerë mbetën të plagosur.
Ish ministri akuzohet për “Shpërdorim të detyrës” kryer në bashkëpunim, dhe “Shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues. Të njejtat akuza që u ngritën ndaj tij në vitin 2009 edhe nga Prokuroria e Përgjithshme, por për të cilat zoti Mediu nuk u gjykua asnjëherë, pasi në verën e atij viti rifitoi mandatin e deputetit.
Sipas Prokurorisë së posaçme, ish ministri Mbrojtjes ka nxjerrë akte nënligjore në kundërshtim me ligjin. Zoti Mediu i ka hedhur poshtë akuzat, në mënyrë të përsëritur, duke pretenduar se procesi ndaj tij ka një sfond politik. Edhe sot gjatë seancës paraprake, avokati i tij kërkoi pushimin e çështjes. Por pas vendimit të gjykatës, mbrojtësi ligjor i zotit Mediu kërkoi gjykim të shkurtuar.
Gjykata ndërkohë, nuk pranoi që si palë në proces të jenë dhe familjarët e viktimave të shpërthimit në Gërdec, gjë të cilën avokati I tyre Dorian Matlija e cilësoi si “shkelje shumë të rëndë të standarteve. Familjarët e viktimave duhet të ishin aty. Gjykata duhej t’i jepte një përgjigje kërkesave të tyre”, u shpreh ai duke shtuar se sipas tij dhe dosaj hetimore nuk ishte e plotë.
Në muajin shkurt, ndërsa njoftoi dërgimin e dosjes së zotit Mediu për gjykim, Prokuroria e posaçme bëri të ditur po ashtu se kishte rregjistruar dhe një procedim të ri penal për “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë apo të të zgjedhurve vendore” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, lidhur me procedurat e ndjekura në atë kohë nga Ministria e Mbrojtjes, për shitjen e municioneve kompanive private. Një hetim për të cilin nuk ka megjithatë asnjë person të akuzuar.
voa