Gjenerali Petr Pavel: Çdo sulm kundër ndonjë vendi aleati do përballohet nga Aleanca si një e tërë!

Gjen PavelNga siguria në Ballkanin Perëndimor përfiton siguria dhe stabiliteti në Europë, thekson gjenerali Petr Pavl, kryetar i Komitetit Ushtarak të NATO-s në intervistë ekskluzive për Deutsche Wellen.

DW: Gjeneral Pavel, cilat janë planet e NATO-s për të forcuar sigurinë në një rajon të brishtë si Ballkani Perëndimor?

Gjen. Petr Pavel: Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi strategjike për NATO-n dhe ne kemi investuar në sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor për më shumë se dy dekada. Me këtë asistencë, që nga vitet 1990, rajoni ka bërë përparim të rëndësishëm. NATO ka ndihmuar të marrin fund dy luftëra etnike në Ballkanin Perëndimor. Nga stabiliteti dhe siguria në këtë rajon përfitojnë stabiliteti dhe siguria në Evropë. Synojmë të ruajmë praninë, fokusin dhe  angazhimin tonë në Ballkanin Perëndimor për aq kohë sa kërkohet ndihma jonë dhe të mbështesim aspiratat euro-atlantike të vendeve në rajon. Për sa më lart, duhet thënë që ambienti i sigurisë ka ndryshuar ndjeshëm gjatë dy dekadave të fundit.

Aleatët e NATO-s, duke përfshirë ato në Ballkanin Perëndimor, po përballen me një gamë të gjerë sfidash komplekse, duke filluar nga një Rusi më e sigurtë, deri në trazirat në Lindjen e Mesme, terrorizmin, fluksin e migracionit, kërcënimet hibride dhe sulmet kibernetike. Për gati 70 vjet kemi mbrojtur stabilitetin dhe paqen, sepse kemi qënë të aftë të përshtatemi. NATO duhet të ketë mbrojtje dhe parandalim të besueshëm për të qenë në gjendje të mbrojë kundër çdo kundërshtari ose kërcënimi. Këto sfida të reja të sigurisë kanë shkaktuar përforcimin më të madh të mbrojtjes tonë kolektive, që nga fundi i Luftës së Ftohtë. NATO duhet të sigurojë që zotëron mbrojtje dhe parandalim të besueshme, që ka një sërë aftësish dhe mundësish për t’u përgjigjur në mënyrë të përshtatshme, kur kjo kërkohet. Ne kemi rritur gadishmërinë e forcave tona dhe aftësinë për t’i pozicionuar shpejt ato, nëse kjo do të duhet. Ne kemi përforcuar krahun tonë lindor me praninë tonë dhe grupet tona luftarake shumëkombëshe. Në të njëjtën kohë, ne kemi rritur praninë tonë në rajonin e Detit të Zi – në tokë, ajër dhe det. Po forcojmë edhe koordinimin tonë me organizata të tjera, përfshirë Bashkimin Evropian. Këto përshtatje/adaptime dërgojnë një mesazh të qartë se një sulm kundër ndonjë aleati do të përballohet nga e gjithë Aleanca, si një e tërë. Kjo përfshin edhe vendet aleate në Ballkan. Nëse njëri prej tyre do t’i bënte thirrje nenit 5 të Aleancës, aleatët do të qëndrojnë të bashkuar, të vendosur për të mbrojtur territorin e NATO-s dhe  penguar çdo agresion të mundshëm.

DW:  Nga pikëpama e NATO-s, cilët janë faktorët që rrezikojnë, e bëjnë vulnerabël paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor?

Gjen. Petr Pavel: Në mjedisin e sotëm të sigurisë, kërcënimet dhe sfidat tona në periferi dhe përtej saj janë aq të ndryshme sa edhe të shumta. Një nga sfidat, që aktualisht ndodhet në kufijtë tanë, është një Rusi më agresive dhe më e sigurtë në vetvete – një komb, me të cilin Aleanca ka punuar për më shumë se dy dekada pas Luftës së Ftohtë, që të ndërtojë një partneritet. E dyta është lufta kundër terrorizmit, ku ne duhet të sigurojmë adresimin jo vetëm të problemeve të tanishme por edhe shkaqet rrënjësore. Kombet mund dhe duhet të përgatiten për t’u përballur me këto kërcënime të jashtme, por vunerabiliteti ndaj tyre mund të burojë edhe nga sfida të brendshme. Vlerat demokratike, sundimi i ligjit, reformat e brendshme dhe marrëdhëniet e mira me fqinjët janë jetike për bashkëpunimin dhe stabilitetin rajonal. Kjo nuk është një rrugë e lehtë. Ajo kërkon angazhim të vërtetë, përparim të vërtetë në reforma dhe në pajtimin mes vendeve fqinjë. Aleanca sheh të ardhmen e rajonit në bashkëpunimin dhe integrimin euroatlantik për ata që e duan dhe jemi të vendosur të ndihmojmë vendet e rajonit të zbatojnë reforma reale për të mirën e qytetarëve të tyre, pa marrë parasysh nëse duan të anëtarësohen në NATO apo jo. Ne e respektojmë zgjedhjen e tyre, sido që të jetë ajo.

DW: Cili është thelbi i strategjisë afat shkurtër dhe afat mesme të NATO-s për të neutralizuar ndikimet e reja gjeopolitike, veçanërisht ato ruse, për të depërtuar në Ballkanin Perëndimor?

Gjen. Petr Pavel: NATO respekton plotësisht të drejtën e kombeve për të vendosur/zgjedhur marrëveshjet e tyre politike dhe të sigurisë. Ky është një parim themelor i sigurisë evropiane që kemi nënshkruar të gjithë, përfshirë Rusinë, siç përcaktohet në Aktin Final të Helsinkit. Megjithatë, ne kemi parë një rritje në përpjekjet nga burime të jashtme për të ndërhyrë dhe ndikuar në proceset demokratike në vende të ndryshme të Ballkanit Perëndimor. Çdo ndërhyrje e jashtme, qoftë me piraterinë informatike, propagandën apo nxitjen e trazirave, është në kundërshtim me parimet e marrëdhënieve të mira ndërkombëtare. Ne inkurajojmë qeveritë dhe institucionet vendore që të rrisin qëndresën ndaj këtyre lloj ndërhyrjesh dhe të sigurojnë që institucionet e tyre demokratike mbeten të forta, luftojnë korrupsionin, modernizojnë dhe zbatojnë reformat e nevojshme. NATO do të vazhdojë të punojë me partnerët e ndryshëm në rajon për të ndihmuar në forcimin e institucioneve të tyre demokratike dhe reformuar Forcave e tyre të Armatosura.

DW: Cilat janë parakushtet dhe mundësitë për anëtarësim në NATO të dy vendeve aspirante në Ballkanin Prëndimor,  Bosnjë-Hercegovinës dhe Maqedonisë? Po për Serbinë dhe Kosovën?

Gjen. Petr Pavel: Dera e NATO-s mbetet e hapur për të gjitha demokracitë evropiane që ndajnë vlerat e Aleancës tonë, që janë të gatshme dhe të afta të ndajnë përgjegjësitë dhe detyrimet e anëtarësimit dhe që përfshirja e tyre mund të kontribuojë në sigurinë dhe stabilitetin tonë të përbashkët. Në qershor, mirëpritëm aleatin tonë të 29-të, Malin e Zi. Kjo provon që funksionon politika e derës së hapur të NATOs. Por le të jem i qartë: ky nuk është një proces i lehtë dhe as i shpejtë. Është një proces i gjatë dhe që kërkon shumë punë dhe përpjekje. Pra, në mënyrë të natyrshme vendet bëhen të padurueshëm sepse duan të shohin rezultate të menjëhershme. Nga ana tjetër, procesi është natyrisht i gjatë sepse zbatimi i këtyre reformave thelbësore kërkon jo vetëm burime, por gjithashtu kohë dhe vendosmëri. Bosnjë – Hercegovina dhe ish Republika Jugosllave e Maqedonisë kanë një Plan Veprimi për Anëtarësim,(PVA)  që është programi i këshillimit, ndihmës dhe mbështetjes praktike të NATO-s, i përshtatur për nevojat individuale të vendeve që aspirojnë të bashkohen me Aleancën.

Të dy kombet po punojnë në mënyrë aktive për të përmbushur kushtet e vendosura nga Aleatët në PVA. Por, siç thashë, ky është një proces i gjatë dhe unë do t’u bëja thirrje anëtarëve që aspirojnë të kenë atë që nund ta quajmë durim strategjik. Unë do të advokoj që anëtarësimi në NATO të jetë qëllimi përfundimtar, por jo të gjitha kombet aspirojnë t’i bashkohen NATO-s. Për shembull, merrni Serbinë. Serbia nuk dëshiron të bashkohet me NATO-n dhe ka të drejtë të zgjedhë marrveshjet/ujditë e saj të sigurisë. Ne nuk i detyrojmë kombet të bashkohen me Aleancën tonë. Disa nga ato vende që nuk duan të jenë anëtarë të NATO-s zgjedhin të jenë partnerë të NATO-s. NATO bashkëpunon me më shumë se 40 vende anembanë botës. Dhe këto partneritete janë një histori e vërtetë suksesi. Ato ndihmojnë për të ruajtur paqen, forcuar stabilitetin dhe promovuar progresin për të gjithë ne. Këto vende gëzojnë qasje në këtë kuadër shumë të gjerë bashkëpunimi. Kjo, në vetvete, është jashtëzakonisht e rëndësishme, jo vetëm për të patur qasje në të gjithë ekspertizën dhe përvojën e vendeve të NATO-s, por gjithashtu edhe për të marrë pjesë në kurse, ushtrime dhe operacione. Dhe ne nuk mund ta harrojmë mbështetjen politike që qëndron prapa një shenje të fortë të partneritetit të NATO-s. Dhe kjo shprehje kuptimplote e partneritetit të fortë dërgon gjithashtu një mesazh të fortë tek kundërshtarët e mundshëm. Kështu që besoj se partneriteti i fortë ka një vlerë të madhe në vetvete.

DW: Kërcënimet terroriste nuk përjashtojnë Ballkanin Perëndimor. Çfarë të re ka për shmangjen e tyre, nga Konferenca në Tiranë, e Komitetit Ushtarak të NATO-s, zhvilluar së fundmi dhe për herë të parë në kryeqytetin e Shqipërisë?

Gjen. Petr Pavel: Takimi i parë i Komitetit Ushtarak të NATO-s në Tiranë iu kushtua përpjekjeve të NATO-s në Projektimin e Stabilitetit. Shefat e Mbrojtjes të NATO-s diskutuan një numër propozimesh konkrete lidhur me kontributet ushtarake për të mbështetur një qasje gjithëpërfshirëse, sistematike dhe koherente. Ata mirëpritën Qendrën për Jugun dhe arritjen e funksionimit të saj operativ fillestar, rolin e rëndësishëm që ajo do të luajë në përmirësimin e mirëkuptimit rajonal të NATO-s dhe aftësinë për të parashikuar krizat në rajon dhe theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me partnerë të tjerë të rëndësishëm, konkretisht me Bashkimin Evropian. Puna jonë për të luftuar terrorizmin përfshin shumë linja të ndryshme përpjekjesh dhe lloje aktivitetesh që nga Misioni ynë Mbështetës i Përhershëm në Afganistan, në trajnimin tonë për forcat irakiane deri në zhvillimin e teknologjive të reja për ҫminimin apo zbulimin e bombave.

NATO është tani një anëtar i plotfuqishëm i Koalicionit Global për të mposhtur ISIS dhe ne kemi rritur kontributin e avionëve të mbikëqyrjes AWACS, që i japin Koalicionit mundësi të ketë një pamje më qartë ajrore. Ne po punojmë gjithashtu për të përmirësuar informacionin dhe dijet tona si edhe mënyrën sesi ndajmë informacionin mes vendeve anëtare që aleatët të mund të ndërmarrin veprime të shpejta parandaluese kundër kërcënimeve me të cilat përballemi, përfshirë terrorizmin. Por duhet të kemi parasysh që terrorizmi nuk ka fe apo kufij. Ai nuk mund të mposhtet thjesht ushtarakisht, por duhet të trajtohet në disa nivele – social, ekonomik, politik dhe, kur është e nevojshme, edhe ushtarak. Nuk ka zgjidhje të thjeshtë. Terrorizmi nuk është fenomen i ri në vetvete i ri, por është rishfaqur vitet e fundit, më së shumti në formën e Shtetit Islamik të Irakut apo si njihet me inicialet DAESH. Për të qenë në gjendje që problemi të trajtohet me efikasitet duhet ta kuptojmë atë dhe të përdorim të gjitha mjetet në dispozicion. Besoj se përpjekjet e Aleancës së bashku me ato të Partnerëve tanë dhe organizatave shumëkombëshe mund të kontribuojnë shumë në rrëzimin e terrorizmit, por do të duhet kohë, burime dhe vendosmëri. Nuk ka zgjidhje të shpejtë.

DW: Cili është qëndrimi i NATO-s për kohën e transformimit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë nga roli i tyre mbrojtës në misionin e NATO-s në Forcat e Armatosura që janë plotësisht në përputhje me standardet e NATO-s?

Gjen. Petr Pavel: Jam shumë mirënjohës për angazhimin e fuqishëm të Shqipërisë ndaj Aleancës sonë dhe kontributeve të saj në misionet, operacionet dhe aktivitetet e NATO-s: në misionet tona në Afganistan dhe Kosovë, si edhe në Detin Egje. Ju nuk keni forca të armatosura shumë të mëdha, por kontribuoni sa më shumë që të jetë e mundur. Ju gjithashtu kontribuoni në Praninë e Përparuar të Forcave të NATO-s me trupa në Grupin kanadez të betejës, në Letoni. Shqipëria  ofron gjithashtu mbështetje të fortë për partnerët tanë, duke përfshirë kontributet për Fondet tona të Mirëbesimit për Ukrainën, duke ndihmuar në mbrojtjen kibernetike dhe tranzicionin e karrierës ushtarake. Përveç kësaj, Shqipëria luan një rol të rëndësishëm në ISIL, duke siguruar pajisje dhe trajnerë të forcave speciale në Irak. Shqipëria gjithashtu ndihmon në ndërtimin e stabilitetit më pranë shtëpisë, duke nxitur bashkëpunimin në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Shqipëria është një avokat i fuqishëm për politikën e deritanishme të NATO-s dhe për integrimin e fqinjëve të saj në familjen euroatlantike. Shqipëria ka ofruar gjithashtu të mbajë një Qendër të Ekselencës së NATO-s për luftëtarët e huaj. NATO dhe Shqipëria po koordinojnë rrugën përpara. Shqipëria jep kontribut të çmuar në sigurinë ndërkombëtare dhe ju jeni një promotor i stabilitetit në Ballkan dhe më gjerë.

DW: Gjeneral Pavel, cilat janë rezultatet kryesore të Konferencës në Tiranë, të Komitetit Ushtarak të NATOs, që ju drejtoni?

Gjen. Petr Pavel: Më lejoni së pari të falënderoj Shqipërinë për mbështetjen e madhe dhe mikpritjen e ngrohtë që morëm gjatë Konferencës së Komitetit Ushtarak në Tiranë, javën e kaluar. Konferenca e Komitetit Ushtarak ishte një mundësi për shefat e Mbrojtjes të NATO-s për të diskutuar disa nga pikat e rëndësishme në axhendën e NATO-s, si nevoja për të plotësuar mungesat aktuale në Misionin e Përhershëm Mbështetës, (MPM). Qëllimi i RPM është të trajnojë, këshillojë dhe ndihmojë forcat afgane të sigurisë dhe institucionet. Misioni vazhdon të ofrojë një kontribut thelbësor në luftën kundër terrorizmit. NATO aktualisht ka mbi 12.000 trupa në Misionin e Përhershëm Mbështetës për të treinuar, këshilluar dhe ndihmuar forcat afgane. Në muajt e fundit, më shumë se pesëmbëdhjetë vende kanë premtuar kontribute shtesë për t’i mundësuar trupave tanë të vazhdojnë të japin ndihmën e kërkuar nga forcat afgane të sigurisë, veçanërisht në lidhje me Forcat Speciale, Forcën Ajrore dhe zhvillimin e udhëheqësve të rinj. Edhe pse ka ende punë për të bërë, procesi i gjenerimit të forcës vazhdon. Misioni i Përhershëm Mbështetës i udhëhequr nga NATO është një kontribut thelbësor në luftën kundër terrorizmit. Dhe është çelësi për përparimin ushtarak të Afganistanit dhe mbështetjen e tij.

 

Shënim: Komiteti Ushtarak është autoriteti më i  lartë ushtarak i NATOs

Intervistoi: Ani Ruci

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>