“Kapacitetet e terapisë intensive në aparatura jetë-shpëtuese janë rritur me 50% për përballimin e situatës së shkaktuar si pasojë e COVID19”. Deklarata u bë nga Ministrja Ogerta Manastirliu, gjatë ceremonisë së dorëzimit të 10 respiratorëve të rinj nga ambasadori gjerman në Tiranë, në spitalin COVID2 “Shefqet Ndroqi”.
Duke e vlerësuar si një ndihmë në kohën e duhur, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tha se po përgatitemi për përballimin e situatës së vjeshtë-dimrit, me disa skenarë.
“Falë mbështetjes së qeverisë shqiptare, Bashkimit Europian dhe partnerëve të tjerë kemi arritur të dyfishojmë flotën e aparaturave në terapinë intensive. Jemi përpara një situate e cila është serioze. Kemi rreth 200 pacientë të shtruar në të dy spitalet Covid. Por falë angazhimit të qeverisë, për të fuqizuar kapacitetet spitalore, vetëm në skenarin e parë ne kemi të dedikuar më shumë se 500 shtretër në dispozicion të qytetarëve të cilët kanë nevojë për trajtim spitalor. Në planin tonë të vjeshtë-dimrit kemi forcuar akoma më shumë kapacitetet e spitaleve rajonale, duke dyfishuar shtretërit në dispozicion të trajtimit të Covid19”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë deklaroi nga spitali “Shefqet Ndroqi” se do të intensifikohen inspektimet në terren, në shkolla, aktivitete biznesi etj, për respektimin e masave antiCOVID.
“Kjo nuk është një luftë që fitohet vetëm me rritjen e kapaciteteve, por ka shumë rëndësi sjellja e qytetarëve. Strukturat tona po vijojnë punën në terren për të monitoruar zbatimin e masave antiCOVID në aktivitete biznesi, në shkolla dhe në aktivitete të tjera, pasi është shumë i rëndësishëm zbatimi i masave, për të patur një ecuri të kontrolluar të epidemisë”, tha Manastirliu.
Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, z. Peter Zingraf shprehu mbështetjen e vazhdueshme për Shqipërinë nga vendet e Bashkimit Europian. “Jam shumë i kënaqëur për ndihmën e vazhdueshme nga vendet e Bashkimit Europian që treguan edhe një herë se janë aleatë të ngushtë të Shqipërisë. Edhe shtete të veçanta si Gjermania kanë ofruar akoma më shumë ndihmë, siç është kjo e sotmja me aparatura të teknologjisë së lartë për frontin e luftës kundër pandemisë, për të rritur nivelin e punës së stafit mjekësor”, tha ambasadori gjerman gjatë ceremonisë së dorëzimit të respiratorëve në spitalin “Shefqet Ndroqi”.
Plani vjeshtë-dimër i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për përballimin e COVID19 parashikon rritjen e kapaciteteve spitalore, duke përfshirë edhe spitalet rajonale. Ministrja Manastirliu rikonfirmoi edhe angazhimin financiar të qeverisë shqiptare për vaksinën antiCOVID dhe kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për respektimin e masave për kufizimin e përhapjes së COVID19. Manastirliu ndau dhe me stafin e spitalit “Shefqet Ndroqi” angazhimin e qeverisë jo vetëm për të vijuar pagesën e bonusit special për mjekët në vijën e parë të përballjes me COVID19 por edhe rritjen e konsiderueshme të pagave për të gjithë mjekët dhe infermierët, duke filluar nga viti që vjen.