Autokolona me autobusë të paguar nga partitë politike, vërshojnë nga Greqia sa herë që ka zgjedhje në Shqipëri.
Por, Greqia është vënë në alarm për shkak të mundësisë së votimit të emigrantëve shqiptarë në Greqi përmes postës.
Në një interpelancë të thirrur nga deputeti i “Demokracisë së Re”, Theodoros Karaoglou, ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, i është përgjigjur interesit lidhur me ligjin e miratuar nga Parlamenti i Shqipërisë më 18 shkurt 2016 “për identifikimin dhe regjistrimin e adresës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”, i cili ne fakt është hapi i parë për votimin e shqiptarëve jashtë Shqipërisë.
“Pikëpyetje krijon mundësia e ndërlidhjes së procesit të regjistrimit të adresave nga shtetasit që jetojnë jashtë vendit me të drejtën për votimin postar. Ndikimi që do të ketë ky ligj në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe në veçanti në të drejtën e votës krijon shqetësim te qeveria greke, sidomos në dritën e ligjit ekzistues zgjedhor shqiptar, por edhe të Kodit Zgjedhor në reformim e sipër, veçanërisht nga dispozitat e këtij ligji që do të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në të drejtat e minoritetit grek”, deklaroi Kotzias.
Siç lë të kuptohet dhe përgjigjia e kreut të diplomacisë greke, me të drejtën e votimit me poste të shqiptarëve, Athina i druhet humbjes së kontrollit të disa zonave në jug të vendit, të cilat prej vitesh kanë qenë bastione të PBDNJ-së, parti që mbron interesat e minoritetit grek në Shqipëri.
Greqia nuk ua njeh të drejtën e votës shtetasve të saj jashtë vendit, dhe duket se po lëviz për të mos ua lejuar edhe shqiptarëve. Kotzias deklaron se këtë çështje ia ka ngritur si palës shqiptare ashtu dhe institucioneve të BE-së.
/ Top Channel