Vetëm pak orë përpara nisjes nga puna të Parlamentit te ri, Komisioneri për Zgjerimin, Johannes Hahn u është drejtuar me një videomesazh shqiptarëve, gjatë përfundimit të Shkollës Verore Europiane të Këshillit Kombëtar të Integrimit.
“Zgjedhja për t’u bërë pjesë e BE-së është një prej atyre zgjedhjeve për të cilat ju shqiptarët për dekada nuk keni pasur asnjë dyshim. Gjithsesi, përkthimi i aspiratave politike në veprime konkrete për të rritur cilësinë e jetës, paqe, dinjitet dhe prosperitet është gjithmonë shumë komplekse dhe sfiduese. Ai vjen nëpërmjet punës së vështirë, reformave të vazhdueshme dhe siç dihet, nëpërmjet dialogut intensiv me të gjithë pjesëtarët e shoqërisë. Pas një viti intensiv me reforma dhe zgjedhje, në ditët në vijim ju do të keni një Parlament të ri dhe një qeveri të re. Ne e presim me padurim këtë zhvillim të ri dhe mundësitë që shtrihen përpara nesh”, thotë Komisioneri.
E pranishme në aktivitetin përmbyllës të punimeve të kësaj shkolle verore, Ambasadorja e BE në Tiranë, Romana Vlahutin ripërsëriti mbështetjen e BE për nisma të tilla, pasi sipas saj, procesi i integrimit përfshin të gjithë shoqërinë.
Ndërkaq, Majlinda Bregu i mbylli me një batutë punimet e kësaj shkolle, por dhe aktivitetin e saj politik. “Nga nesër jam e papunë…”, tha ajo.
/ Top Channel