Hahn: Dënoj thirrjet për veprime që minojnë të drejtën për të votuar

HahnKomisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin Johannes Hahn shprehu sot keqardhje që opozita nuk po merr pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit dhe i bëri thirrje asaj të mos organizojë veprime që do të minonin të drejtën e qytetarëve për të votuar në ditën e zgjedhjeve.

Në një mesazh drejtuar qytetarëve të Shqipërisë sot, zoti Hahn thotë se i duhet të respektojë por megjithatë ndjen keqardhje të thellë për vendimin e opozitës për të mos marrë pjesë.

“Shqiptarët kërkojnë dhe meritojnë zgjedhje që ofrojnë alternative të gjera dhe që respektojnë standardet zgjedhore. Megjithatë, procesi demokratik duhet të vazhdojë edhe nëse disa vendosin të mos marrin pjesë”, thotë ai.

Partia Demokratike, forca kryesore e opozitës në Shqipëri kishte vënë si kusht krijimin e një qeverie teknike dhe shtyrjen e zgjedhjeve për pjesëmarrje në votim, duke thënë se shumica aktuale nuk gëzon legjitimitet për një proces të rregullt zgjedhor.

Ai shprehu mbështetjen e plotë për misionin e vëzhgimit të ODIHR-it dhe shtoi se është në interesin e Shqipërisë dhe autoriteteve të vendit që OSBE/ODIHR-i dhe vëzhguesit e tjerë ndërkombëtarë të jenë në gjendje të kryejnë rolin e tyre thelbësor.

Zoti Hahn dënoi me forcë çdo lajmërim për thirrje për “veprime” që do të pengonin të drejtën e qytetarëve për të votuar dhe të tjera të drejta themelore. Ai theksoi se veprime të tilla bien ndesh me standartet e Bashkimit Evropian.

Duke folur për anullimin e votimit në Kavajë, zoti Hahn tha se fakti që ato nuk u mbjatën nuk ishte fitore për askënd, por një “humbje e qartë për demokracinë”.

Ai shprehu besimin e plotë se populli i Shqipërisë do të kërkojë nga udhëheqësit e Shqipërisë që të tregojnë përmbajtjen dhe pjekurinë politike, që priten nga një vend që aspiron anëtarësimin në BE.

Komisioneri evropian tha se udhëheqësit politikë do të vihen para përgjegjësisë nëse përpiqen të sabotojnë aspiratat legjitime të popullit të Shqipërisë për një të ardhme më të mirë.

Zoti Hahn tha se BE-ja do të ndjekë dhe do të vëzhgojë nga afër procesin electoral dhe do të vazhdojë të mbështesë qytetarët e vendit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>