Hapet baza e Nato-s në Kuçovë, ulen dy avionët e parë

Eurofighter KucoveNë Shqipëri, sot u inaugurua baza ajrore e Nato-s në Kuçovë, një investim prej mbi 50 milionë eurosh i Aleancës. Gjatë një ceremonie ku morën pjesë autoritetet më të larta të vendit si dhe përfaqësuesë të Nato-s dhe vendeve anëtare, u vu në dukje rëndësia e saj strategjike, edhe për rajonin e Ballkanit. Baza, do të shërbejë dhe si qendra kryesore për forcat ajrore shqiptare.

 

Dy avionë ushtarakë italianë “Eurofighter”, të nisur nga baza e Aviano-s në Itali, ishin të parët që u ulën në pistën e bazës së re taktike dhe operacionale të Nato-s, në Kuçovë, e cila në kohën e komunizmit kishte strehuar dhjetra avionë të prodhimit rus e më pas kinez, për t’iu kundërvënë perëndimit. Nga sot, kjo bazë pas dy vite punimesh, është në dispozicion të Aleancës.

Ajo do të shërbejë “për t’iu përgjigjur kërcënimeve që vijnë nga kufiri lindor dhe jugor i Aleancës, njëkohësisht edhe rritjes së aftësive tona të mbrojtjes kolektive, duke promovuar ndërveprimin midis forcave aleate dhe duke mundësuar një përgjigje të shpejtë dhe efektive ndaj çdo sfide që mund të lindë. Gjithashtu baza ajrore Kuçovë, e vetmja e këtij lloji në Ballkanin Perëndimor, do të kontribuojë në mundësimin e planit rajonal jugor-lindor në mbështetjen e operacioneve dhe stërvitjeve të Aleancës, patrullimin e hapësirës ajrore, mbështetjen logjistike si kapacitet i vendit pritës apo edhe për qëllime e situata të tjera”, tha gjatë fjalës së tij Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë shqiptare Gjeneralmajor Arben Kingji.

Pork jo bazë nuk do të shërbejë vetëm për qëllime ushtarake, pasi siç deklaroi dhe ministri shqiptar i Mbrojtjes Niko Peleshi “ka kapacitetin e nevojshëm për të mbështetur përpjekjet tona të përbashkëta në përballje me fatkeqësitë natyrore. Pozicioni gjeografik i favorshëm mund ta kthejë këtë vend në një nyjë lidhëse të vlefshme për të gjitha vendet e rajonit tonë”.

Përfaqësuesë të Nato-s dhe vendeve anëtare vlerësuan rolin e Shqipërisë në gjirin e Aleancës, ndërsa theksuan rëndësinë e kësaj organizate, veçanërisht në kontekstin e konflikteve aktuale që kërcënojnë dhe vetë Europën

Dhe për presidentin Bajram Begaj, “Nato, nëpërmjet këtij investimi, tregon se Shqipëria ka një rëndësi strategjike për aleancën. Është një investim për të forcuar kapacitetet, planet, burimet dhe infrastrukturën e aleancës. Ky investim merr një rëndësi të veçantë sidomos më kushtet kur siguria në hapësirën euroatlantike është e rrezikuar”.

Kryeministri Rama po ashtu vuri në duke se baza e Kuçovës ka një rëndësi “që i tejkalon kufijtë e Shqipërisë. Një bazë e cila është një tjetër element sigurie për rajonin tonë të Ballkanit Perëndimor i cili e dimë mirë se është një rajon jo i pa rrezikuar nga kërcënimi dhe ambiciet neo-imperialiste të Federatës Ruse”.

Baza e Kuçovës do jetë dhe qendra kryesore për forcat ajrore shqiptare, flota e së cilës pritet të pasurohet, me dronë të tjerë “Bajraktar” të blerë nga Turqia, apo dhe me helikopterë të tjerë amerikanë Black Hawk, të cilët u ngritën sot për herë të parë nga kjo bazë.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>